Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka komentuar sot emrat e kandidatëve për deputete që janë përfshirë në listat e partive politike.
I ftuar në ABC, Hoxha u shpreh se nuk ka ndodhur një shkëputje e botës së krimit nga figurat politike, por nga ndodhur vetëm një shkëputje nga vëmendja e mediave.
“Këtë radhë bota e krimit nuk është shmangur nga presioni i amerikanëve, por janë siguruar rrugë të reja pa u shfaqur në ekrane dhe pa bërë zhurmë. Që tek listat e deputetëve është krijuar një kujdes. Nuk ka më persona që janë nga bota e krimit, por që mund të kenë lidhje familjare me botën e krimit”, tha gazetari.
I pyetur se sa kushton sot një kandidat, gazetari tha se kjo është në varësi të zonës ku edhe operon pasi sipas tij nuk ka një shifër standarde.
Gjatë bisedës në studio Hoxha tha se sot zgjidhet një person që mund të jetë profesionist në fushën e tij, por që sërish është nën kontrollin e grupit kriminal.
“Deri në momentin që u shpallën koalicionet lista që kishte opozita në Shkodër, merr diku 3-4 mijë vota që nuk janë pak. Çuditërisht njeriu që flet gjithmonë në atë zonë apo për qytetarin digjital këtë radhë ka heshtur.
Është një parti që e ka qendrën në një nga lagjet e Shkodrës ku përmenden gjithmonë ngjarje. këtë radhë nuk foli fare. Pra personazhet nuk janë larguar nga fushata, janë aty. Na ana tjetër e njëjta gjë po përpiqej të bëhej me mazhorancën.
Orët e fundit shumë deputetë kanë dhënë dorëheqje me arsyetimin se do t’i hapin rrugë të rinjve. Por më rezulton se ka emra që janë larguar për shkak të presionit që është bërë. Të gjitha palët janë munduar të përfitojnë nga bota e krimit.
Fakti që LSI çon ish shefin e shërbimit sekret në Durrës janë për mua lëvizje që vendosin shumë. Çfarëdo të ndodhë në Fier dihet tashmë. Çfarëdo të ndodhë në Shkodër , Lezhë Dibër apo Kukës dihet që favorizohet e djathta. Trysnia do të vijë nga periferia dhe do të përballet në qarqet kryesore”, tha më tej Hoxha.