Dritan Leli nuk do jetë më pjesë e ekipit të PS dhe fushatës së PS në Vlorë. Kryeministri Edi Rama kërkon përjashtimin e kryebashkiakut të Vlorës Dritan Leli nga Partia Socialiste.
Vendimi vjen pasi Leli refuzoi të dorëhiqet nga posti i kryebashkiakut për të marrë një vend të pasigurt në listën e kandidatëve për deputet. Burimet thonë se kur Rama ka marrë refuzimin nga Leli, e ka marrë në telefon dhe i ka thënë të zhduket nga Bashkia e Vlorës
Dritan Leli nuk është kryebashkiaku i parë i Vlorës, i cili largohet në mënyrë spektakolare fillimisht nga gjiri i partisë dhe më pas nga detyra.
I ulur në të njëjtën zyrë, disa vite më parë, të njëjtin fat pati edhe Shpëtim Gjika. Madje, ky i fundit me zor ia doli t’i shpëtonte burgut pasi largimi nga bashkia u parapri dhe ndoq nga disa padi penale për shkelje gjatë detyrës.
Burime bëjnë me dije se gjatë këtyre ditëve, kur i është kërkuar të largohet nga detyra e kryebashkiakut dhe të pranojë kandidimin për deputet, Leli është paralajmëruar se nëse nuk “dëgjon” do të kishte fatin e Shpëtim Gjikës.
“Armiku” i parë i Lelit në Vlorë ishte pikërisht Damian Gjiknuri, i cili nuk e honepsi asnjëherë dhe nuk pranoi të punonte me të. Ishte po ashtu Gjiknuri që i lexoi sot Asamblesë së Socialistëve të Vlorë mesazhin e Ramës, ku thuhej se Leli nuk “kishte më punë me ta”.