Të vjedhësh një shtëpi është një punë mjaft e lodhshme kur e mendon, ndaj dhe është normale të të kapë oreksi. Por është mirë që të shmangni çdo copë ushqimi që mund të ndodhet në skenën e krimit pasi policia mund t’ju identifikojë nëpërmjet saj, edhe vite më vonë kur mendoni se i keni shpëtuar krimit.
Media “Lad Bible”, shkruan se një kriminel në Gjermani është kapur thuajse një dekadë më vonë pasi grabiti një shtëpi, sepse konsumoi një copë salçiçeje.
Në vitin 2012, policia nisi hetimet në një shtëpi që ishte vjedhur në qytetin e Gevelsberg, të Gjermanisë, teksa grabitësi ishte zhdukur prej kohësh. Por ata arritën ta kapnin atë vetëm nëpërmjet një cope salçiçeje që dyshohej se ishte ngrënë nga ai dhe më pas ishte hedhur.
Një dekadë më vonë, nga një mostër e ADN-së që u mor nga fragmenti i salçiçes, u identifikua një 30-vjeçar shqiptar si personi që kishte kafshuar salçiçen gjatë grabitjes.
Ai ishte arrestuar edhe më parë për dhunë dhe policia i kishte marrë një mostër të ADN-së që ishte futur në bazën e të dhënave ndërkombëtare.
Si rezultat, ata arritën të vërtetojnë që ADN-ja e gjetur në salçice përputhej me atë të mëparshmen, gjë që i lejoi ata të gjenin autorin e grabitjes që daton në mars të 2012.
Sipas policisë, ADN-ja ishte marrë fillimisht nga ekipi mjeko-ligjor në Nordrhein-Westfalen, i cili tani ka rihapur çështjen e vjedhjes dhe duan ta ekstradojnë 30-vjeçarin shqiptar nga Franca në Gjermani, ku hetimi vazhdon.
Pra, ADN-ja është mjaft e dobishme në zgjidhjen e krimeve, madje edhe ato historike.