Vaksina e AstraZeneca u vlerësua për efektin, koston e avantazhet për t‘u ruajtur lehtë. Por po shfaqen dyshime lidhur me efikasitetin e saj. Disa vende kanë shqetësime serioze, madje kanë ndalur përkohësisht vaksinimin.
Nga Kathrin Wesolowski, Louisa Wright, Joscha Weber
Pse Danimarka dhe Norvegjia kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca?
Ministria daneze e Shëndetësisë njoftoi të enjten (11.03) se do të ndërpresë për momentin përdorimin e vaksinës së AstraZeneca. Kjo vjen pas “raporteve të mpiksjeve të rënda të gjakut tek njerëzit e vaksinuar me vaksinën AstraZeneca”, tha ministria në një deklaratë. “Ne kemi nevojë për sqarime përpara se të vazhdojmë të përdorim vaksinën nga AstraZeneca,” tha Søren Brostrøm, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shëndetësor danez, i cili këshillon dhe punon me Ministrinë e Shëndetësisë. Norvegjia ka ndjekur shembullin si rezultat i ngjarjes në Danimarkë. Shqetësimet pas rasteve të vdekjeve pas vaksinës janë rritur ditët e fundit, megjithëse ende nuk është provuar, nëse ato kanë lidhje me vaksinimin. Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) gjithashtu po analizon vaksinën e AstraZeneca pas njoftimeve për mpiksje të rënda të gjakut. (E akt. Ndërkohë edhe Islanda e Rumania kanë pezulluar dhënien e vaksinës, kurse Italia e Austria ndaluan vaksinat e një furnizimi të caktuar, shkruan ZEIT online. Gjermania nuk e ka ndalur dhënien e vaksinës, por Instituti gjerman Paul Ehrlich po verifikon shqetësimet lidhur me Astra Zenecan.)
DW rreth disa pyetjeve që shtrohen për vaksinën e AstraZeneca.
Sa efektive është vaksina e AstraZeneca kundër variantit të Afrikës së Jugut të COVID-19?
Një provë me 2.000 njerëz në Afrikën e Jugut zbuloi se vaksina e AstraZeneca siguronte “mbrojtje minimale” kundër rasteve të lehta dhe të moderuara të variantit B.1.351, i identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut. Ky variant po shkakton shumicën e infeksioneve brenda vendit.
Askush nga njerëzit në testim nuk vdiq, u sëmur rëndë apo iu desh të shtrohej në spital. Efikasiteti kundër rasteve të rënda që dalin nga varianti B.1.351 nuk u vlerësua në studim sepse pjesëmarrësit ishin në rrezik më të ulët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca edhe nëse variante të ndryshme janë të pranishme në një vend. “Aktiviteti i antitrupave neutralizues është ekuivalent me atë të vaksinave të tjera COVID-19 që kanë demonstruar aktivitet kundër rasteve më të rënda, veçanërisht kur intervali i vaksinimit optimizohet në 8-12 javë,” raportoi AstraZeneca.
Vaksina AstraZeneca do të sigurojë ende një mbrojtje kundër variantit B.1.351, sepse antitrupat e krijuar pas vaksinimit do të njohin pjesë të variantit të virusit dhe do t’i bllokojnë ato, tha për DW Sarah Pitt, një lektore kryesore në Universitetin e Brighton dhe pjesmarrëse në Institutin Britanik të Shkencave Biomjekësore.
Pse vaksina e AstraZeneca nuk është aq efektive kundër variantit të Afrikës së Jugut?
Vaksinat COVID-19 që janë aprovuar për përdorim e bëjnë trupin të prodhojë antitrupa kundër proteinave “spike” të versionit origjinal të koronavirusit. Por tani antitrupat janë duke luftuar kundër viruseve që nuk e njohin plotësisht formën e proteinave.
Kjo do të thotë që asnjë antitrup nuk bashkohet me pjesën e ndryshuar të proteinës, dhe virusi ende mund të ngjitet në një qelizë njerëzore. Por antitrupat do të bllokojnë pjesët e virusit që ai i njeh, kështu që akoma ofron një mbrojtje.
Një studim i vaksinës Moderna zbuloi se ishte pak më pak efektive ndaj variantit B.1.351, por nivelet neutralizuese ishin gjithsesi mbi ato që pritej të ishin mbrojtëse. Një studim i vaksinës BioNTech-Pfizer gjithashtu zbuloi se vaksina ishte pak më pak efektive ndaj variantit B.1.351.
Çfarë po bën AstraZeneca për të adresuar variantin e Afrikës së Jugut?
Kreu i grupit kërkimor të Oksfordit, Sarah Gilbert, i tha BBC se vaksina duhet të mbrojë kundër varianteve të rënda. Por në të njëjtën kohë, ajo tha se zhvilluesit po punojnë për një vaksinë të modifikuar për të luftuar variantin e Afrikës së Jugut. Kjo ka të ngjarë të jetë gati në vjeshtë, tha ajo.
Sa efektive është vaksina e AstraZeneca kundër varianteve të tjera të virusit?
Vaksina e AstraZeneca është zbuluar të jetë 76% efektive kundër koronavirusit origjinal pas dozës së parë. Kur jepet një dozë e dytë, 12 javë ose më shumë pas dozës së parë, efikasiteti rritet në 82%. Vaksina gjithashtu është zbuluar se zvogëlon kohëzgjatjen e ngarkesës virale, e cila mund të ngadalësojë transmetimin e virusit.
Një studim i vaksinës së AstraZeneca kundër variantit B.1.1.7, i raportuar së pari në Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi se efikasiteti ishte i ngjashëm me efikasitetin kundër virusit origjinal.
A duhet të merrni vaksinën e AstraZeneca nëse ju ofrohet?
OBSH ka rekomanduar përdorimin e vaksinës së AstraZeneca për personat e moshës 18 vjeç e lart, edhe nëse ekzistojnë variante të koronavirusit, sipas rekomandimeve të përkohshme.
Edhe nëse merrni një nga variantet e virusit që u gjet për herë të parë në Afrikën e Jugut (i njohur si B.1.351 ose 501Y.V2), Mbretërinë e Bashkuar (B1.1.1.7) ose Brazil (P.1), vaksina e AstraZeneca do t’ju mbrojë. Kjo sepse të gjitha këto janë variante të llojit origjinal të koronavirusit, për luftimin e të cilit është zhvilluar vaksina. Nuk do të jetë në gjendje të njohë pjesët që kanë mutuar, por do të jetë në gjendje të njohë pjesën tjetër.
A është e sigurt vaksina e AstraZeneca për përdorim nga të gjitha moshat?
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar përdorimin e vaksinës AstraZeneca për njerëzit nga mosha 18 vjeç e lart, duke pfshirë edhe ata që janë 65 vjeç e lart. “Duke marrë parasysh tërësinë e provave të disponueshme, OBSH e rekomandon vaksinën për përdorim edhe për persona të moshës 65 vjeç e lart,” shkroi OBSH në rekomandimet e tij të përkohshme për vaksinën AstraZeneca.kan
Agjencia Evropiane e Barnave gjithashtu ka raportuar se vaksina e AstraZeneca mund të përdoret për të parandaluar sëmundjen tek njerëzit e moshës 18 vjeç e lart.
Komisioni i vaksinave në Gjermani, STIKO, e hoqi vendimin që AstraZeneca t’u jepet vetëm njerëzve të moshës 64 vjeç e poshtë. Tani ajo mund të jepet edhe për më të moshuarit. Më parë Komisioni kishte përmenduar si arsye mungesën e të dhënave në lidhje me efektivitetin e vaksinës për njerëzit e moshuar.
Shumica e pjesëmarrësve në studimet e AstraZeneca kanë qenë midis 18 dhe 55 vjeç. AstraZeneca tha në shkrimin e rezultateve të veta, se “efikasiteti i vaksinës në grupmoshat më të vjetra nuk mund të vlerësohej”.
Kush po i prodhon vaksinat e AstraZeneca?
Vaksina është duke u zhvilluar dhe prodhuar nga një ekip nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania farmaceutike Britanike-Suedeze AstraZeneca. Ekipi hulumtues përfshin shkencëtarë nga Instituti Jenner dhe Grupi i Vaksinave të Oksfordit.
Çfarë lloj vaksine është AstraZeneca dhe si funksionon?
Vaksina e AstraZeneca nuk është një vaksinë mRNA si Moderna dhe BioNTech-Pfizer, por një vaksinë e virusit vektor. Ajo përdor si mekanizëm transporti i një virusi të zakonshëm dhe të padëmshëm që gjendet tek shimpanzetë. Vaksina transporton proteinën sipërfaqësore të SARS-CoV-2 në qelizat njerëzore, ku shkakton një përgjigje imune kundër koronavirusit.
Përse është kaq tërheqëse vaksina e AstraZeneca?
Ndryshe nga vaksinat BioNTech-Pfizer dhe Moderna, AstraZeneca nuk ka pse të ruhet në temperatura të ulëta. Vaksina mund të ruhet, transportohet dhe trajtohet në temperatura normale të ftohjes (2-8 gradë Celsius / 36-46 gradë Fahrenheit) për të paktën gjashtë muaj.
Sipas AstraZeneca, zinxhiri i thjeshtë i furnizimit të vaksinës dhe zotimi pa fitim do ta bëjë atë më të volitshëm, por çmimi i saktë i një doze të vaksinës AstraZeneca nuk është i qartë.
AstraZeneca dhe BioNTech-Pfizer kanë bërë marrëveshje me COVAX, një iniciativë globale që synon shpërndarjen e vaksinave me kosto të ulët në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në një tweet i cili tashmë është fshirë, sekretarja e shtetit belg Eva De Bleeker publikoi çmimet e supozuara të BE-së për dozë: 15€ (18 dollarë) për Moderna, 12€ për BioNTech-Pfizer dhe 1.78 € për AstraZeneca.