Përplasja për godinën/ Të dhënat e KQZ rrëzojnë Veliajn, FRD me 1.1 % të votave

0

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, justifikoi mësymjen e policëve bashkiakë për të nxjerrë drejtuesit e Frymës së Re Demokratike nga zyrat e tyre mesditën e kësaj të Premteje, duke u mbështetur në mënyrë abuzive në ligjin ‘Për partinë politike’.

Veliaj deklaroi në një lidhje telefonike me një prej televizioneve në Tiranë se ‘Fryma e Re Demokratike’, e cila së fundmi iu bashkua koalicionit opozitar për zgjedhjet e 25 Prillit, gjendet në një godinë në pronësi të Bashkisë dhe që, sipas ligjit, nuk duhet ta ketë në përdorim.

Veliaj citoi ligjin ‘Për partitë politike’, në nenin 22 të të cilës parashikohet që të drejtën për godinë publike për seli qëndrore e ka ‘edhe partia politike, mesatarja e votave të së cilës në tri zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë mbi 1 për qind në shkallë vendi’.

Sipas Veliajt, Fryma e Re Demokratike, e drejtuar tashmë nga Sali Shehu, nuk e plotëson këtë kusht.

Në fakt, konstatimi i kryebashkiakut të Tiranës është tërësisht i pasaktë dhe rrëzohet nga të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Fryma e Re Demokratike është themeluar në vitin 2012, nga ish-presidenti Bamir Topi. Ajo ka marrë pjesë në dy zgjedhje të përgjithshme, konkretisht në vitin 2013 dhe në vitin 2017.

Në vitin 2013, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ‘Fryma e Re Demokratike’ ka siguruar 1.70 përqind të votave.

Kjo dallohet qartësisht në tabelën përmbledhëse të hartuar nga KQZ, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013.

Në vitin 2017, Fryma e Re Demokratike merr pjesë sërish në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Në atë betejë elektorale, gjithnjë sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ‘Fryma e Re Demokratike’ fiton 0.32 përqind të votave të elektoratit.

Image

FRD është një parti e re, e cila nuk i ka kaluar 3 procese zgjedhore dhe, për këtë arsye, përllogaritjet e votave, si edhe lidhja e tyre me përdorimin e një godine publike, bëhet me pjesëmarrjen e saj në dy proceset zgjedhore (2013 dhe 2017).

Në këto dy procese elektorale, ‘FRD’ ka siguruar mesatarisht 1.1 përqind të votave (1.70 + 0.32/2 = 1.01, duke kaluar pragun minimal që ligji u siguron partive që të marrin në përdorim një godinë.

Pra, në bazë të ligjit ‘Për partitë politike’, FRD ka të drejtën që të ketë një godinë si seli qendrore.

Erion Veliaj, në reagimin e tij televiziv pas tensionimit të situatës në selinë e ‘FRD’, deklaroi gjithashtu se ky entitet politik ka tre vjet që nuk ka rinovuar kontratën e huapërdorjes me Bashkinë e Tiranës.

Pikëpyetja më e madhe është-përse u kujtua Bashkia e Tiranës, pas 3 vjetësh, dhe në një moment kur ‘Fryma e Re Demokratike’, tashmë nën drejtimin e Sali Shehut, iu bashkua koalicionit opozitar në zgjedhjet e 25 Prillit?

Artikulli i mëparshëmPresidenti Ilir Meta zbret në “fushën e lojës”/ Përplaset fizikisht me Policinë Bashkiake në zyrat e FRD-së
Artikulli i radhësVeliaj: Meta i çmendur/ Reagon Presidenca: O vemje, qen rrugësh i pasterilizuar