Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dënuar largimin që Kryeministri Edi Rama i bëri ditën e sotme gazetares së Fax News, Edona Haklaj gjatë një transmetimi direkt, pasi nuk kishte maskë. Incidenti ka ndodhur gjatë një trasmetimi live kur kryeministri Rama e pyeti gazetaren përse nuk ka vendosur maskën, ndërsa ajo i thotë që e ka harruar nga nxitimi. Kryeministri i kërkon të shkojë ta marrë teksa e largon nga radha e gazetarëve.
Meta thotë se ky është një sulm i dënueshëm dhe se përdorja e forcës mbi një reportere në krye të detyrës është e papranueshme për traditën shqiptare, moralin njerëzor, për çdo shoqëri demokratike dhe etikën institucionale. Ai i bën thirrje shoqatave të gazetarëve brenda e jashtë vendit si dhe atyre për mbrojtjen e të drejtave të grave. Ai shton se do të ketë zero tolerancë për dhunën, kanosjet dhe kërcënimet ndaj medias duke përdorur si pretekst pandeminë.