Teuta zhgënjen në “Niko Dovana”/ Kastrioti i merr një pikë

0

Një tjetër rezultat që zhgënjen pritshmëritë në Durrës e të vetë teknikut Edi Martini, që ka parë skuadrën e tij të humbasë shansin për tu ngjitur në vendin e parë, duke ia lënë atë Lacit. Durrësakët nuk shkojnë dot më shumë se 0-0 në Niko Dovana përballë Kastriotit, që ‘shtrëngohet’ duke ndjerë afrimin e Bylis për të marrë pikë në një transfertë shumë të vështirë.

Është mbyllur pa gola sfida mes Teutës dhe Kastriotit, që mbylli edhe javën e 24 të Superiores. Një pjesë e parë nën ton për të besuarit e Martinit, që nuk kërcënuan asnjëherë portën e Hidit. Ish-portieri i Teutës pati një rikthim të qetë në Durrës, me Teutën, që nuk bëri dot diferencën edhe në pjesën e dytë. Gjithsesi, lëvizjet e Martinit i dhanë një farë agresiviteti bregdetarëve, por që nuk mundën në asnjë rastë të kalonin barrierën e ndërtuar nga Ndreu, që nuk gabon pothuaj asnjëherë në ndeshjet që kanë rëndësi.

Me këtë rezultat, durrësakët rikthejnë dominancën e barazimeve, i 12 në këtë kampionat dhe bashkohen me pikë në një treshe kërcënuese pas Lacit, bashkë me Partizanin e Vllazninë, me nga 42 pikë, ndërkohë që Kastrioti mban vendin e 7 me 29 pikë, 7 më shumë se Bylisi i vendit të 8, që momentalisht mbetet në zonën e playout.

Artikulli i mëparshëmMjekja shqiptare në SHBA: Pezullojeni për dy javë injektimin në popullatë të vaksinës së AstraZeneca
Artikulli i radhësBayern marshon drejt titullit, Werder Bremen ‘viktima’ e radhës