23 vjeçari që vrau Behar Sofinë: Kam bërë shumë qitje, s’kisha prekur armë me dorë

0

Zbardhet dëshmia e 23-vjeçarit Ernejt Shyti, vrasësit të Behar Sofisë, i cili u arrestua dje në Mal të Zi dhe iu dorëzua autoriteteve shqiptare.

Duket se në dëshminë e dhënë, të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, Shyti jep detaje për organizatorët e krimit, mënyrën e rekrutimit, dhe thekson se Skënder Vathi fillimisht i ka kërkuar Xhuliano Vishës të vrasë Sofinë, por ky i fundit nuk ka pranuar sepse e kishte vëzhguar për një kohë të gjatë viktimën dhe kishte dyshime se 66-vjeçari mund ta identifikonte e kësisoj t’i shmangej.

I riu gjithashtu tregon se me Vishën njihet prej shumë vitesh, për shkak se janë nga e njëjta zonë (Kërrabë), dhe se janë miq të ngushtë.

Shyti pohon se në Mal të Zi, ku edhe iu vendosën prangat, punon si punëtor krahu. “Në momentin që u arrestova, isha duke shtruar pllaka në aeroport”, – dëshmon 23 vjeçari.

Me Xhuliano Vishën njihem prej shumë vitesh sepse jemi nga e njëjta zonë dhe ne jemi miq të ngushtë. Një muaj para se të ndodhte ngjarja, Xhuliano Visha më kërkoi të takoheshim dhe më premtoi afro 50 mijë euro me qëllim që unë të vrisja një person. Ai më solli pistoletën dhe foton e personit që duhet të vrisja, të cilit unë nuk ia dija emrin, por më thanë se duhet ta thërrisja me një nofkë që ata më dhanë. Duke qenë se nuk kisha prekur asnjëherë armë me dorë, bashkë me Xhuliano Vishën shkuam në zonën e Kërrabës, prej nga jemi me origjinë, dhe bëmë disa herë qitje.

E kemi ruajtur për afro 1 muaj viktimën dhe të gjitha lëvizjet e tij. Leonard Xhixhës, të cilin unë e kam njohur përmes Xhuliano Vishës, i ishte caktuar që të ruante lëvizjet e viktimës dhe do duhej që të më njoftonte mua në momentin që ai të dilte nga shtëpia. Unë kam lëvizur për ditë të tëra me radhë me pistoletën në xhep, me qëllim që ta ekzekutoja 66-vjeçarin. Me ta komunikoja me një celular që më dha Skënder Vathi dhe në këtë celular unë kisha kontaktet e këtyre tre personave, Skënderit, Leonardit dhe Xhulianos.

Ditën e ngjarjes unë dola nga banesa ime, që ndodhet midis rrugës “Bardhyl” dhe zonës së “Brrylit”, me bicikletën që kisha vjedhur, dhe u nisa drejt vendit ku ishte vendosur të ekzekutohej Behar Sofia. Jam afruar aty dhe në momentin kur Leonardi më dërgoi mesazh se personi që duhej të vrisja sapo kishte dalë nga banesa, unë iu afrova dhe e qëllova.

Plumbi i parë nuk shkrepi, më pas unë kam qëlluar dhe dy herë të tjera dhe me nxitim jam larguar. Me bicikletën që kisha vjedhur kam shkuar afër kodrave të liqenit, kamë lënë aty rrobat dhe më pas jam larguar në drejtim të Kërrabës, ku edhe kam qëndruar. Atje kam marrë një taksi dhe jam nisur në drejtim të Malit të Zi, të nesërmen pas ngjarjes.

Në Mal të Zi unë punoj si punëtor krahu dhe në momentin që u arrestova, isha duke shtruar pllaka në aeroport.

Si u zbulua autori i vrasjes dhe bashkëpunëtorët

Policia dhe Prokuroria kanë shtrirë hetimet përmes tabulateve telefonike dhe kamerave të sigurisë. Skënder Vathi dhe Leonard Xhixha janë identifikuar në momentin kur kanë shoqëruar me automjetin e tyre Ernejt Shytin, që ky i fundit të njihej me shënjestrën, por edhe një ditë përpara se Behar Sofia të ekzekutohej. Vathi është pikasur në kamerat e sigurisë në një tavolinë disa metra larg Sofisë, teksa ky i fundit po konsumonte kafenë, dhe pritej të lëvizte nga çasti në çast.

Kur Ernejt Shyti është larguar pas vrasjes së 66-vjeçarit në drejtim të kodrave të liqenit, ka lënë atje veshjen dhe celularin që ia kishte vënë në dispozicion Skënder Vathi.

Në këtë celular janë gjetur dy mesazhe që Leonard Xhixha ia dërgonte Shytit. Dhe përmes këtij aparati telefonik, është mësuar vendi ku banonte i riu.

Vëllai binjak i Ernejt Shytit 

Shyti ka një vëlla binjak me të cilin është thuajse identik. Në momentet e para, Policia e Tiranës ka shoqëruar pikërisht vëllain, sepse ADN e përftuar nga rrobat e gjetura tek kodrat e liqenit përkonte atë të ekzekutorit 23-vjeçar.

Binjaku i Shytit ka pranuar përpara hetuesve se jetonte me të atin sepse prindërit ishin të divorcuar, ndërsa i vëllai qëndronte me të ëmën. Më pas ka treguar banesën e tyre, dhe kjo ka çuar në marrjen e dëshmisë së nënës së Shytit, e cila ka deklaruar se 23-vjeçari punon si punëtor krahu në Mal të Zi, dhe se ishte larguar në ditën që ishte kryer edhe krimi.

Çfarë provash ka në dorë Prokuroria

Ka dhjetra pamje filmike të kamerave të sigurisë ku shfaqen personat e përmendur nga Ernejt Shyti duke kontaktuar me njëri-tjetrin, dhe duke bërë plane për ekzekutimin e Behar Sofisë. ADN-ja e Shytit, e marrë fill pasi u vendos në pranga, është gjithashtu një provë e pakundërshtueshme, sikundër edhe rrëfimi i vet ekzekutorit. Po kështu ka pamje filmike të lëvizjeve të Xhuliano Vishës dhe Ernejt Shytit nga Tirana në drejtim të Krrabës dhe ndërkohë ka dhe lëvizje të tyre me autobusë të linjës.

Përse u vra Behar Sofia

Behar Sofia, i konsideruar nga Policia e Shtetit si “baron i drogës”, është vrarë për shkak të konflikteve të hershme për trafikun e heroinës nga Turqia në drejtim të Shqipërisë dhe më pas në vendet e BE-së.

Artikulli i mëparshëmHemorragji dhe mpiksje gjaku edhe te të rinjtë/ Pezullohet vaksina e AstraZeneca
Artikulli i radhës“Ik merr maskën”/ Rama nuk shtyn me duar Kushin, siç bëri me gazetaren