Adhuruesja e Enverit, “shoqja Bozo” duhet të dorëhiqet pas deklaratës kriminale që bëri

0
Enver Robelli: Luljeta Bozo, deklaratë kriminale. Të dorëhiqet

Nga Enver Robelli

Domethënë gati 80-vjeçarja Luljeta Bozo, të cilën Edi Rama e ka përzgjedhur si kandidate ‘socialiste’ për ta futur në Parlament, thotë në një intervistë se Enver Hoxha ka pasur më shumë anë pozitive se negative.

Inxhinierja Luljeta Bozo e thotë këtë në vitin 2021, kur tashmë ka mjaft të dhëna mbi atë se sa njerëz ka pushkatuar regjimi i Enver Hoxhës, i cili është krimineli më i madh që ka nxjerrë ndonjëherë kombi shqiptar.

Gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri janë vrarë rreth 6000 veta, pra gati po aq sa në Srebrenicë nga kriminelët serbë. Vetëm në Shkodër u burgosën 2890 veta, prej tyre 601 u vranë, 136 nuk mbijetuan nga torturat.

Eshtrat e shumë viktimave në Shkodër ende janë të shpërndarë nëpër zona me bërllok. Dhe del ‘shoqja’ Bozo dhe thotë:

E. Hoxha kishte anë pozitive. Dhe krejt kjo në Shqipëri kalon si diçka ‘normale’. Në një vend të organizuar dhe me shoqëri aktive civile dhe media të pavarura presioni do të ishte aq i madh, saqë simpatizante të diktaturës si ‘shoqja’ Bozo jo vetëm që do t’i jepnin fund ambicieve politike dhe do të kërkonin falje, por edhe do të ballafaqoheshin me drejtësinë për lartësimin e një regjimi kriminal.

Por akrepat e orës në Shqipëri qëmoti ecin në drejtim të gabuar, andaj e pamundshmja bëhet e mundshme.

Andaj prej ‘shoqes’ Bozo nuk distancohet Partia Socialiste dhe heshtin edhe shumë intelektualë, të cilët nuk do të duhej të heshtnin. Andaj arena e poshtërsive dominohet nga tipa njerëzish si Bozo që historinë e bëjnë bozë.

Artikulli i mëparshëmTë gjitha faktet tregojnë se Meghan gënjeu me këtë deklaratë gjatë intervistës së bujshme
Artikulli i radhësSkandali me spitalet/ Qytetari lihet të vdesë jashtë, sepse ishte ‘i palarë’