Shqiptarët ishin të dytët për marrje të nënshtetësisë në një nga vendet e Bashkimit Europian, pas marokenëve, me gati 42 mijë të tilla, pjesa më e madhe në Itali. Të dhënat janë bërë të ditura nga Eurostat. Në raport me popullsinë, Shqipëria rezulton e para për numrin e lartë të banorëve të saj që marrin një shtetësi në një nga vendet e Bashkimit Europian.
Sipas Eurostat, në vitin 2019, Marokenët ishin grupi më i madh në mesin e shtetasve të rinj të BE-së (66 800 persona, nga të cilët 84% fituan shtetësinë e Spanjës, Italisë ose Francës), përpara shqiptarëve (41 700, 62% shtetësinë së fituar ishte në Itali), britanikëve (29 800, 75% e shtetësinë së fituar i përkiste Gjermanisë, Suedisë ose Francës), Sirianët (29 100, 69% e shtetësisë së fituar ishte në Suedi), Turqit (28 600, 57% me shtetësinë gjermane), rumunët (26 600, 60% në Itali ose Gjermani), brazilianë (23 500, 73% në Itali ose Portugali), ukrainas (18 100, 59% në Gjermani, Poloni ose Itali), algjerianë (18 000, 82% kanë fituar shtetësinë franceze) dhe rusë (16 400, nga të cilët 31% kanë fituar shtetësinë gjermane). Krahasuar me vitin 2018, Marokenët dhe Shqiptarët mbetën përfituesit kryesorë, ndërsa Britanikët u zhvendosën nga vendi i shtatë në vendin e tretë.
Që nga viti 2002, kur Eurostat raporton të dhënat, shtetasit shqiptarë kanë marrë gjithsej 473 mijë pasaporta në një nga vendet e Bashkimit Europian, pjesa më e madhe e tyre në Itali dhe Greqi, ku jetojnë dhe shumica e emigrantëve shqiptarë, të cilët në vite po bëhen shtetas me të drejta të plota në vendet ku jetojnë. Numri më i lartë i tyre është dhënë në vitin 2016, me rreth 67.5 mijë, duke u ulur gradualisht vitet e mëpasshme (shiko grafikun në fund).
Gjermania dha më shumë shtetësi në BE në 2019-n
Sipas Eurostat, Shumica e shtetësive të reja u dhanë nga Gjermania (132 000 ose 19% e totalit të BE), Italia (127 000 ose 18%), Franca (109 800 ose 16%), Spanja (99 000 ose 14%) dhe Suedia (64 200 ose 9%) që përbën 75% të shtetësive të reja të dhëna në BE në 2019 pr të gjithë shtetasit e tjerë.
Shkalla e natyralizimit është raporti i numrit të personave që fituan shtetësinë e një vendi gjatë një viti mbi stokun e rezidentëve të huaj në të njëjtin vend në fillim të vitit. Në vitin 2019, normat më të larta të natyralizimit u regjistruan në Suedi (7.0 shtetësi të dhëna për 100 banorë të huaj), Rumani (4.7) dhe Portugali (4.4), ndjekur nga Finlanda (3.8), Hollanda (3.2) dhe Belgjika (2.9).
Në skajin e kundërt të shkallës, normat e natyralizimit për 100 të huaj rezidentë u regjistruan në Lituani (0.2), Danimarkë (0.3), Estoni (0.4), Çeki (0.5), Letoni (0.6), Austri (0.7) , Bullgaria dhe Sllovakia (0.8 secila) si dhe Malta dhe Irlanda (0.9 secila).