Nga Saloni Dattani, New Statesman
Deri më tani vetëm në Britaninë e Madhe mbi 100 mijë njerëz kanë vdekur nga Covid-19; njerëzit në të gjithë botën janë ndarë nga familja dhe miqtë e tyre, ndërsa ekonomi të tëra kanë hyrë në krizë. E gjithë kjo situatë ngre një pyetje të rëndësishme:Si mund ta parandalojë bota një pandemi tjetër?
Thelbi duhet të jetë të vepruarit në kohë që prej fillimit,përpara se një patogjen të përhapet në të gjithë botën dhe të shkaktojë dëme serioze. Nëse mund ta parashikojmë se nga do të vijë pandemia tjetër, ndoshta mund të arrijmë që ta ndalim atë në burim.
Është një ide e thjeshtë, por tejet e vështirë për t’u zbatuar. Kjo pasi sëmundjet infektive mund të rrjedhin nga një numër i madh burimesh. Disa janë lloje të reja të patogjenëve të vjetër si për shembull tuberkulozi që ka ndërtuar një rezistencë ndaj ilaçeve, apo malaria që është rezistente ndaj klorokinës.
Të tjerët vijnë nga aksidentet laboratorike. Më shumë sëmundje rrjedhin nga patogjenët që gjenden në një rajon të caktuar dhe më pas migrojnë në vende të reja. Për shembull,virusi i Nilit Perëndimor u identifikua për herë të parë në Ugandën Veriore në vitin 1937, para se të ndodhnin shpërthimet epidemike në Egjipt dhe Izrael, dhe përfundimisht edhe në Evropë dhe Amerikën e Veriut mbi 60 vjet më vonë.
Meqë ky virus transmetohet kryesisht nga mushkonjat, të cilat janë vektorë të sëmundjes, ai mund të përhapet në të gjithë botën kur ndryshon habitati i mushkonjave të infektuara. Përtej këtyre mundësive, burimi më i zakonshëm i një sëmundje të re infektive është “zoonoza”, pra rasti kur patogjenët kapërcejnë nga kafshët tek njerëzit.
Shihni për shembull pandeminë e HIV/AIDS. HIV e ka origjinën nga një virus i quajtur SIV, që infekton majmunët. Ky virus besohet se ka kaluar nga shimpanzetë tek njerëzit shumë herë gjatë gjuetisë dhe tregtimit të mishit të tyre, para se të shkaktonte një epidemi në Afrikën Perëndimore dhe përfundimisht të shndërrohej në një pandemi globale.
Në fakt, shumë epidemi të kohëve të fundit kanë qenë zoonotike, duke përfshirë SARS (që erdhi nga lakuriqët e natës), MERS (nga devetë), ethet Zika (nga majmunët), Ebola (nga lakuriqët e natës) dhe gripi i derrit (nga derrat). Zoonozat janë vërejtur në mbarë botën, por ato janë veçanërisht të zakonshme tek klima e pyjeve tropikale, në vendet që janë shtëpi për një gamë të larmishme gjitarësh, dhe në zonat tokësore që janë përshtatur kohët e fundit për përdorim bujqësor.
Mënyrat se si ne i ndeshim sot kafshët e egra janë bërë më të rrezikshme, me rritjen e shpyllëzimeve, bujqësisë, tregtisë së mishit, urbanizimit dhe ndryshimit të klimës. Që të gjitha këto e bëjnë më të mundshëm një kontakt të tillë. Këto lloj ndryshimesh mund të copëzojnë ose transformojnë habitatet e specieve pritëse, duke i shtyrë ato të afrohen në zonat urbane ku bien në kontakt me njerëzit.
Për shembull, ndërtimi i digës së madhe Argjila në Australinë Perëndimore në vitet 1970, krijoi një habitat të ri për lloje të ndryshme të zogjve të ujit (si çafkat) dhe mushkonjat, të cilat vunë në lëvizje një virusi të quajtur Murray, ose virusi i encefalitit të luginës.
Ndërsa njerëzit lëviznin në rajon dhe punonin tokat përreth digës, zogjtë e infektuar filluan të emigronin prej andej, ndaj nisën të shfaqeshin raste të reja të një sëmundje të rrezikshme të trurit. Në vitin 1974, kjo çoi në një shpërthim të madh epidemik në Australinë Juglindore, që për disa pacientë shkaktoi sëmundje neurologjike të përhershme dhe vdekje.
Në total, një gamë e larmishme mikro-organizmash, si viruset, bakteret, kërpudhat, protozooarët – mund të shkaktojnë sëmundje zoonotike, që janë në gjendje të kapërcejnë midis njerëzve dhe kafshëve. Dhjetëra mijëra specie virusesh, janë burime të mundshme të sëmundjeve të tilla, edhe pse shumica nuk janë identifikuar ende.
Vatrat më të nxehta të sëmundjeve zoonotike gjenden në zona të gjëra të botës, në Amerikën Veriore dhe Jugore, Evropë, Afrikën Qendrore dhe pjesën më të madhe të Azisë. Instituti Kombëtar Amerikan i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID),ka një listë me mbi 100 patogjenë që paraqesin një rrezik të madh epidemik për njerëzit, përfshirë ebola, hantavirusin, virusin e Nilit Perëndimor, virusin Nipah, koronaviruset, etj.
Po pse nuk ndodhin epidemi të reja gjatë gjithë kohës? Thënë thjesht:duhet më shumë se sa një infeksion i vetëm njerëzor për të shkaktuar një epidemi. Patogjenët e rinj jo vetëm që duhet të infektojnë dikë, por ato duhet gjithashtu t’ua kalojnë atë të tjerëve – dhe shumica që mund të kapërcejnë nga kafshët tek njerëzit janë rrallë në gjendje që ta bëjnë këtë.
Ndërkohë edhe nëse viruset mund të kapërcejnë midis shumë specieve, ato zakonisht janë përshtatur për të infektuar vetëm disa prej tyre. Ndonjëherë, ato mund të lidhen vetëm me receptorët që gjenden në qelizat e specieve të caktuara, por jo tek të tjerët.
Dhe patogjenë të tillë duhet të kapërcejnë shumë herë midis shumë specieve,para se të përplasen me mutacionet që i lejojnë ato të përhapen më tej. Kjo do të thotë që kur shfaqen epidemi, kjo ndodh për shkak se patogjenët kanë përfituar nga dobësitë për shkak të mënyrës se si ne jetojmë.
Sëmundjet zoonotike, kanë tendencën të vijnë nga specie që kanë një përbërje të ngjashme biologjike me njerëzit që kanë receptorë të ngjashëm në qelizat e tyre. Ose vijnë nga specie me të cilat ne jemi në kontakt të shpeshtë në mjedise të rrezikshme, si shimpanzetë e gjuajtura për mishin e tyre që ishin burimi i pandemisë së HIV/Aids:rrethana të tilla i japin patogjenëve më shumë mundësi të kapërcejnë tek ne njerëzit, dhe të kenë më shumë fat me mutacionet e reja.
Për pasojë, speciet që kanë më shumë të ngjarë të mbartin sëmundje zoonotike janë brejtësit, lakuriqët e natës, majmunët dhe gjitarët e tjerë. Disa patogjenë përdorin gjithashtu truket e tyre për të anashkaluar barrierat e specieve të tjera. Ato mund të shndërrohen shpejt, ose të kenë tipare fleksibël që u japin mundësi të infektojnë një gamë të gjerë kafshësh.
Duke i përdorur që të gjitha këto njohuri, shkencëtarët kanë kontrolluar kafshët dhe mikro-organizmat për të parashikuar pandeminë tjetër, përfshirë sekuencimin gjenetik, eksperimentet e kulturës qelizore, modelet e kafshëve dhe studimet e rasteve historike të jetës reale.
Sot shumë pak sëmundje zoonotike shkaktohen nga sipërfaqet apo ambientet e ndotura, ndërsa transmetimi i tyre nga vektorët dhe rrugët ajrore dhe orale është i zakonshëm. Disa sëmundje infektive tani janë afër zhdukjes në rang global, pavarësisht se nuk ka një vaksinë apo terapi të disponueshme për to.
Për shembull, sëmundja e krimbave e Guinesë, që shkaktoi 3.5 milion të sëmurë në vitin 1986, ka regjistruar më pak se 100 raste në vit që prej vitit 2015, si rezultat i një fushate agresive nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe politikanë si ish-presidenti i SHBA-së Xhimi Karter, që në vitin 1995 negocioi armëpushimin e luftës civile në Sudanin e Jugut.
Moderniteti është plot me shembuj të mbrojtjes kundër sëmundjeve infektive – nga kanalizimet më të mira tek pasterizimi, insekticidet dhe pengesat fizike kundër infeksioneve, si maskat, rrjeta kundër mushkonjave dhe kontraceptivët. Dhe tani, kemi shfrytëzimin e teknologjisë së re për të zbuluar patogjenët si dhe vaksinat e reja.