Qytetari Kreshnik Kaçi ka ndërruar jetë ditën e sotme, pas sorollatjes që iu bë për 48 orë sepse ishte i palarë, siç denoncuan fqinjët e tij. Lajmi për ndarjen nga jeta e 42 vjeçarit që u nxor nga spitali dhe u la në mes të rrugës konfirmohet nga komshinjtë e të ndjerit.
Ndihma iu mohua nga spitali i Traumës, ndërkohë mësohet se Kaçi ka ndërruar jetë në spitalin Covid 2, ku dhe u dërgua pas denoncimit.
Pak ditë më parë, në redaksinë e Fax News ka mbërritur një denoncim ku një qytetar ka denoncuar rastin e një qytetari i cili banonte i vetëm në shtëpi i ka kërkuar ndihmë autoriteteve shëndetësore për ndihmë dhe ata nuk kanë pranuar.
Denoncuesit, komshinjë të qytetarit të cilit nuk i është ofruar shërbimi, tregojnë për FaxNews se si ambulanca refuzoi fillimisht të merrte qytetarin për ta çuar në spital, pasi ai nuk ishte pastruar.
Ndërkohë pasi komshinjtë e kanë pastruar edhe kanë thirrur sërish ambulancën, ata e çuan në spitalin e Traumës. Të nesërmen miqtë e tij kishin shkuar për ta vizituar atë dhe shohin se qytetari ishte lënë jashtë dhe nuk kishte marrë asnjë shërbim.
Pas kësaj qytetarët i kërkuan llogari stafit të spitalit se përse ky i sëmurë është lënë pa shërbim dhe në rrugë. Qytetarët nuk kanë marrë asnjë përgjigje për rastin, ndërsa menjëherë kanë telefonuar redaksinë e FaxNews ku i bëjnë thirrje autoriteteve që të marrin të moshuarin dhe ta mjekojnë, pasi nuk e dinë se nga çfarë vuan.
30 minuta pas denoncimit në FaxNews, ambulanca e ka marrë sërish burrin dhe nga Spitali i Traumës e kanë dërguar në Spitalin Nënë Tereza.