Vazhdojnë protestat në Mianmar, së paku 18 të vdekur

0

Të paktën 18 persona janë vrarë në Mianmar më 14 mars, gjatë shtypjes së protestave nga forcat e sigurisë, raportuan mediat lokale.

Sipas raportimeve, 14 protestues u vranë në periferi të Yangonut, ndërkaq tre të tjerë u vranë në qytete të tjera të Mianmarit. Që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, dhjetëra-mijëra qytetarë në Mianamar po kërkojnë rikthimin e qeverisë civile.

Televizioni shtetëror tha se edhe një polic është vrarë. Protestat e 14 marsit, shënojnë një nga ditët më të përgjakshme në Mianmar që prej puçit ushtarak. Videot e publikuara në mediat sociale shfaqën turmat e njerëzve duke ikur nga forcat e rendit, teksa dëgjoheshin edhe të shtëna me armë.

Një ditë më parë, katër protestues u vranë në Mandalay – qytetin e dytë më të madh në Mianmar – dy protestues u vranë në Pyay dhe një në Tuante.

Kombet e Bashkuara kanë thënë javën e kaluar se në Mianmar – që njihet ndryshe edhe si Birmani – të paktën 70 persona janë vrarë nga forcat e sigurisë, që prej se ushtria mori kontrollin më 1 shkurt.

Më 13 mars, ushtruesi i kryetarit të qeverisë civile të Mianmarit, i cili gjendet në lokacion të panjohur, Mahn Ëin Khaing Than tha se shteti po kalon nëpër “momentin më të errët”.

Mahn Uin Khaing Than është anëtar i partisë së Aung San Suu Kyisë, e cila është arrestuar nga ushtria, së bashku me bashkëpartiakët e saj.

“Ne kurrë nuk do të dorëzohemi para ushtrisë së padrejtë, por ne do të ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku, duke bashkuar forcat”, tha ai përmes një video-mesazhi të publikuar në mediat sociale. “Misioni ynë do të përmbushet”, shtoi ai.

Artikulli i mëparshëmHetimi britanik ndaj gruas së Assadit: Ka provokuar ose inkurajuar aktet e terrorizmit
Artikulli i radhësVaksinimi i mësuesve në Fier me AstraZeneca nis të martën, 1900 arsimtarë pritet të marrin dozën e parë