Rama paralajmëron masa më të rrepta për COVID-in/ Tubimet e Bashës janë rrezik…

0

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar nga Fieri kryedemokratin Lulzim Basha për takimet elektorale në disa qytete dhe grumbullimet referuar pandemisë. Nga takimi me kandidatët në Apollonia Rama ka paralajmëruar me masa më të rrepta duke theksuar se nuk kemi preferuar që të ndëshkojmë ekonominë por nga ana tjetër kjo nuk duhet të thotë që njerëzit të lëshohen përtej nevojave të punës, të jetës së përditshme në situata që bëjnë të kundërtën e vaksinës.

“Të mos ushqehemi me iluzionin se duke mbledhur ato tufa me dy gishta marrin ndonjë votë më shumë. Është komplet absurde dhe realisht dëm i madh. Paralelisht me vaksinimin, rregullat duhet të respektohen dhe çdokush duhet të shtrëngojë veten në raport me ato masa që janë të thjeshta, por nuk duhen shkelur. Ne nuk kemi preferuar që ta shtrëngojmë ekonominë, të shtrëngojmë mundësinë për punë të të gjithë njerëzve, por ama nga ana tjetër kjo nuk duhet të thotë që njerëzit të lëshohen përtej nevojave të punës, përtej nevojave të jetës së përditshme në situata që faktikisht bëjnë të kundërtën e vaksinës, bëjnë të kundërtën e përpjekjes së përbashkët. Unë besoj që ne duhet realisht që të marrim një vendim shumë të qartë të gjithë bashkë. Ne e kemi marrë si PS, por duhet ta marrim të gjithë bashkë”, tha kryeministri.

“Nëse është nevoja për të zgjeruar më shumë se sa një numër i kufizuar njerëzish që mund të grumbullohen së bashku, këtë nevojë do ta adresojmë së bashku dhe do ta adresojmë duke iu drejtuar autoriteteve. Nuk më takon mua dhe nuk na takon ne ta bëjmë të vetëm këtë gjë pasi ne nuk e kemi problem, mund të shkojmë deri më 25 prill me 10 veta në çdo event dhe na mjafton të mbajmë distancat dhe kaq. Por nëse është e nevojshme mund t’i drejtohemi autoriteteve, por nuk mund dot të vazhdohet kështu. Unë i ftoj të gjithë shqiptarët të mos jenë tolerantë në opinionin e tyre në raport me këto shfaqje që të kujtojnë ato mitingjet pa shije të viteve ‘90″, deklaroi Rama.

Artikulli i mëparshëmVangjel Dule flet për herë të parë për zgjedhjet e 25 prillit
Artikulli i radhësTRONDITËSE/ U vaksinua me AstraZeneca, mësuesja vdes nga hemorragjia në tru