Kandidati demokrat për Elbasanin, Luçiano Boçi është përplasur paraditen e së enjtes fizikisht me biznesmenin Gjergj Luca.
Në një bisedë në emisionin “Radari Informativ” , Boçi shpjegoi sesi nisi përplasja fillimisht verbalisht e më pas edhe në dhunë fizike.
“Isha i ftuar në një takim me banorë të zonës. Pasi mbarova takimin, dola dhe duke biseduar, shfaqet Luca nga një hyrje anësore e fillon të provokojë. Bëri sharje banale, që morën reagimin tim. Ai u afrua dhe unë qëndrova i qetë.”
Më tej, Boçi rrëfeu se biznesmeni Luca tentoi ta godiste, por ai u shmang e më pas u detyrua që të vetmbrohej. Po ashtu, kandidati i PD për deputet në Elbasan tha se Gjergj Luca e kërcënoi edhe me jetë.
“Tentoi të më godiste, dhe jam shmangur, e u vetëmbrojta. Zgjati pak minuta. Personi që më shoqëronte nuk lejoi që përplasja të ishte më i thellë. Më ka kërcënuar për jetën. Në mënyrë më banditeske të mundshme, me atë fjalorin e rrugës që Rama e ka përzemër.”
Më tej Boçi tha:
“Ky gangsteri i famshëm do të më mbushte barkun me plumba. Me banditë jemi gati të bëjmë përballje. Janë të dëshpëruar e të trembur.”
Mes Boçit dhe biznesmentit Luca nuk ka pasur përballje të mëparshme dhe as njohje të afërta. Por mesa duket, sipas versionit të thënë nga Luçiano në ABC, përkrahja që ai u ka bërë banorëve e ka bezdisur Lucën.
“Kam qenë përkrahës i banorëve në dy rastet kur ka dashur t’u rrëmbejë pronën, kur i ka ndotur me mbeturina… Unë kam qenë afër qytetarëve, ai tek interesi i tij i ngushtë. Tek vjedhja.. Do që të rrëmbejë territore të tëra. Jo, në asnjë moment në bisedë nuk u përmend as ai, as bizneset e tij.”