Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë kërkesë IKMT-së që të lirojë ambientet rreth stadiumit ‘Air Albania’, të cilat janë zënë nga bizneset.
Në letrën e dërguar IKMT-së dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, shkruhet se qendra ka humbur funksionin kryesor dhe sigurinë për ndeshjet ndërkombëtare për shkak të lokaleve, strukturave të betonit dhe hekurit në trotuaret e stadiumit.
Kjo letër vjen vetëm pak kohë para ndeshjes me Anglinë.
Në ambientet komerciale të këtij impianti sportiv janë instaluar biznese dhe subjekte të ndryshme, të cilat operojnë në fusha të ndryshme, kryesisht shërbime bari-kafeterie. Paraprakisht, për ne si federatë është shumë e rëndësishme të theksojmë se prania e këtyre operatorëve i jep jetë dhe kontribuon jo vetëm në mirëqenien e bizneseve, por edhe në larmishmërinë e shërbimeve që ofron ky impiant gjigant.
Gjithsesi, me shqetësim kemi konstatuar se zgjerimi i pazakontë i bizneseve në perimetrin e stadiumit ‘Air Albania’, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një problematikë që del përtej zhvillimit të një biznesi, e duke u kthyer në një element penalizues dhe bllokues për funksionin bazë të këtij impianti, organizimin e ndeshjeve të futbollit.
Operatorë të ndryshëm bar-kafe kanë avancuar me ngritjen e strukturave permanente prej hekuri dhe betoni në trotuaret e stadiumit, duke cenuar seriozisht standardet e sigurisë për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, por në fakt, elemente themelore sigurie për çdo organizim ndeshjeje të çdo natyre.