Tregu i fluturimeve nuk rimëkëmbet; Eurostat: Në Shqipëri është i përgjysmuar

0
This image has an empty alt attribute; its file name is 4q.jpg

Tregu i fluturimeve nuk ka arritur të rimëkëmbet as në dy muajt e parë të këtij viti.

Eurostat raportoi ecurinë e fluturimeve tregtare për vendet e Europës, përfshirë dhe Shqipërinë, bazuar në informacionin e Eurocontrol. Sipas të dhënave, në janar, numri i fluturimeve nga Shqipëria ra me 55.6%, ndërsa në shkurt me 54.9%, në raport me muajt përkatës të një viti më parë, kur ende nuk kishin filluar kufizimet e pandemisë.

Që nga muaji mars, kur e gjithë Europa vendosi kufizimet e lëvizjeve si një masë për të frenuar pandeminë, fluturimet tregtare ranë me 51.4%, ndërsa në dy muajt në vijim (prill-maj) u tkurrën me mbi 90% dhe mbi 80% në qershor. Pas një përmirësimi në muajt e verës, ku tkurrja u reduktua në 30-40%, fundi i 2020-s sërish solli një përkeqësim të tendencës, teksa në Europë nisi një valë e re e pandemisë.

Eurostat raporton se pas kufizimeve në Europë dhe ndryshimeve në preferencat e udhëtimit, rënia më thelbësore e numrit të fluturimeve komerciale u regjistrua në prill 2020 (-91 % krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2019),  maj (-90 %) dhe qershor (-84 %). Edhe viti 2021 filloi me tkurrje të lartë, teksa në shkurt, fluturimet tregtare ranë me -73 % (krahasuar me të njëjtin muaj në vitin 2020).

Në shkurt 2021, numri i fluturimeve tregtare ra më pak në Turqi (-50%) dhe Shqipëri (-55%), ndërsa tkurrja më e lartë u konstatua në Austri (-84%) dhe Suedi (-85%).

Që prej qershorit, fluturimet nga Shqipëria kanë shënuar një rënie më të ulët në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian.  Edhe në raport me rajonin, Shqipëria ka pasur një ecuri më të mirë, sidomos në muajt e verës, kur kulmon dhe sezoni turistik, teksa vendi ynë nuk aplikoi kufizime për hyrjet e turistëve të huaj, ndryshe nga Mali i Zi, që kishte rregulla më të ashpra.

Industria ajrore kudo në botë ka shënuar humbje të mëdha si rrjedhojë e pandemisë së Covid-19. Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO) tha se në vitin 2020 fluturuan vetëm 1.8 miliardë pasagjerë, krahasuar me rreth 4.5 miliardë në 2019, me një rënie prej 60% me bazë vjetore.

Kjo ka bërë që industria të humbë rreth 370 miliardë dollarë, “ndërsa aeroportet dhe ofruesit e shërbimeve ajror humbën edhe 115 miliardë dhe 13 miliardë të tjerë, përkatësisht”, tha ICAO në një deklaratë për shtyp.

Situata ka ndikuar rëndë turizmin global, duke pasur parasysh se më shumë se 50% e udhëtarëve ndërkombëtarë arrinin destinacionet e tyre me aeroplan.

ICAO tha se ndarja rajonale e humbjeve tregoi një humbje prej 120 miliardë dollarësh nga viti në vit në rajonin Azi-Paqësor, 100 miliardë dollarë në Europë, 88 miliardë dollarë në Amerikën e Veriut, e ndjekur nga 26 miliardë dollarë, 22 miliardë dollarë dhe 14 miliardë dollarë në Amerikën Latine dhe Karaibe, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, përkatësisht.

Artikulli i mëparshëmOBSH “veçanërisht i shqetësuar” për situatën e Covid në Ballkan dhe Europën Qendrore
Artikulli i radhësNdryshime në kodin rrugor/ Ndëshkim edhe për monopatinat që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor