Çifti i çuditshëm; Putin dhe Erdogan kanë formuar një vëllazëri pushteti

0

Kremlini ka akuzuar NATO-n se po përpiqet të rrëzojë nga pushteti presidentin Vladimir Putin. Ai e ka quajtur Alexei Navalny, kundërshtarin kryesor të Putinit, një agjent të Amerikës.

Gjithashtu e ka konsideruar Bashkimin Europian, i cili dënoi helmimin dhe burgimin e zotit Navalny, si një “partner jo të besueshëm”. Por ka një vend që është anëtar i NATO-s dhe kandidat i BE-së, të cilin zoti Putin duket se e pëlqen: Turqia. Recep Tayyip Erdogan, presidenti i Turqisë, nuk ka thënë asgjë në lidhje me keqtrajtimin e zotit Navalny ose arrestimet e mijëra rusëve që protestuan kundër tij, shkruan The Economist.

Heshtja e tij është dëshmi e një tërheqjeje të jashtëzakonshme të zhvilluar midis dy udhëheqësve autoritarë. Kjo është një marrëdhënie e çuditshme. Rivalitetet e thella historike e ndajnë Rusinë dhe Turqinë dhe interesat e tyre përplasen në shumë zona, ndonjëherë edhe me dhunë. Megjithatë, të dy burrat ndajnë një lidhje të përbashkët në pushtetin me dorë të fortë që po ndryshon politikën rajonale dhe po paraqet probleme të vështira për aleatët perëndimorë të Turqisë.

Historikisht, Rusia dhe Turqia kanë shkuar shumë herë në luftë kundër njëra-tjetrës, megjithëse jo qëkur të dyja perandoritë u transformuan nga revolucioni në fund të Luftës së Parë Botërore. Kolosët që shtrihen në dy kontinente kanë pasur vazhdimisht përplasje me njëri-tjetrin në zonat ku interesat e tyre mbivendoseshin dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Ata, për shembull, kohët e fundit kanë marrë pjesë në luftërat civile të Libisë dhe Sirisë. Në shtator, u përballën me njëri-tjetrin në Kaukazin e Jugut, të cilin Rusia e sheh si oborrin e saj të pasmë. Me Turqinë e armatosur që udhëzon Azerbajxhanin turqisht folës dhe mysliman dhe, nga ana tjetër, me Rusinë që qëndron pas Armenisë së krishterë, shumë shqetësoheshin se një konflikt rreth zonës Nago-Karabak, një enklavë etnike armene brenda Azerbajxhanit, do të përhapej në një luftë edhe më të madhe.

Megjithatë, edhe ndërsa dronët e Turqisë goditën tanket ruse të përdorura nga pala armene, Putin e vlerësoi Erdoganin si dikë me të cilin mund të bënte biznes. “Puna me një partner të tillë nuk është vetëm e këndshme, por edhe e sigurt”, tha ai për një auditor ekspertësh të huaj në Valdai Discussion Club në tetor. Zoti Erdogan e përshëndeti zotin Putin, duke testuar sistemin e raketave S-400 që Turqia kishte blerë nga Rusia. Në nëntor, ata u dhanë fund luftimeve duke bërë një pazar që i jepte Rusisë një prani ushtarake në Nago-Karabak dhe Turqisë një bastion ekonomik në Kaukazin e Jugut.

Marrëveshja përfaqëson një nga tronditjet më të mëdha gjeopolitike që nga fundi i Luftës së Ftohtë, kur Rusia dhe Turqia ishin në anë kundërshtare. Ajo gjithashtu mbart një mesazh në lidhje me përdorimin e fuqisë dhe realitetin e një bote multipolare. “Ata të dy e kuptojnë se nuk është ekuilibri i forcave ai që ka rëndësi, por gatishmëria për t’i përdorur ato”, thotë Andrey Kortunov, kreu i Këshillit Rus të Çështjeve Ndërkombëtare.

Amerika mund të ketë pasur një ushtri superiore, por ngurrimi i saj për t’u angazhuar në Siri, bëri që Rusia dhe Turqia të dilnin në krye të atij rajoni të rrënuar nga lufta. Dhe pas gati 30 vjet bisedimesh të pafrytshme mbi zonën Nago-Karabak, ishte mbështetja ushtarake e Turqisë dhe pranimi i Rusisë që ndihmuan Azerbajxhanin të rifitonte territorin dhe të zbuste një nga konfliktet më të ndërlikuara në Kaukaz.

Për zotin Putin, ky ishte demonstrim i një rendi të ri multipolar, diçka që ai e kishte mbrojtur që nga viti 2007, kur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai kundërshtoi rendin e formuar pas Luftës së Ftohtë me “një qendër të re autoriteti, një qendër e forcës, një qendër e vendimmarrjes”. Misioni i Rusisë ishte të kufizonte hegjemoninë e re të Amerikës.

Historia përsëritet

Konflikti mbi Nagorno-Karabakh nuk ishte hera e parë që Rusia kishte bashkëpunuar me Turqinë për të minimizuar ndikimin e fuqive perëndimore. Pas revolucionit bolshevik dhe shembjes së Perandorisë Osmane, Kemal Ataturk lidhi për njëfarë kohe aleancë me Leninin kundër Perëndimit perandorak dhe bolshevikët e panë Turqinë si një bashkëpunëtore në përpjekjen e tyre për dominim në botë.

Ata e furnizuan Turqinë me armë, për të luftuar grekët dhe britanikët, dhe turqit i lejuan bolshevikët të merrnin kontrollin e fushave të naftës në Azerbajxhan dhe të vendosnin sundimin në Kaukazin e Jugut. Marrëveshja midis Ataturkut dhe Leninit në vitin 1921, që fiksoi kufirin verilindor të Turqisë dhe kufizoi praninë në Kaukazin e Jugut, ka vazhduar që prej asaj kohe.

Lufta e vitit të kaluar mbi zonën Nago-Karabak ishte pasqyrë e asaj marrëveshjeje. Tani është zoti Putin ai që po e josh Turqinë në përballjen me Perëndimin, duke shpresuar ta përdorë atë si një pikë interesi në NATO, ndërsa Erdogan po projekton Turqinë në ish-sferat e saj të influencës.

Kjo miqësi është edhe më e pazakontë, duke pasur parasysh se Turqia është i vetmi vend anëtar i NATO-s që është përplasur ushtarakisht me Rusinë në vitet e fundit. Në vitin 2015, Turqia rrëzoi një aeroplan luftarak rus që kishte shkelur hapësirën e saj ajrore pasi fluturoi mbi Siri.

Rusia u përgjigj duke vendosur sanksione ndaj produkteve turke, duke i urdhëruar turistët rusë të qëndronin larg plazheve turke dhe duke bombarduar luftëtarët etnikë turq në veri të Sirisë. Turqia e kishte të pamundur të përndiqte Shtetin Islamik (IS) dhe militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në anën siriane të kufirit. Për të shtuar tensionin, zyrtarët dhe mediat ruse akuzuan anëtarët e familjes së zotit Erdogan se kishin blerë naftë nga Shteti Islamik. Siç tha një zyrtar turk më vonë, “Ne luajtëm rëndë dhe ata luajtën edhe më rëndë”.

Pengesa

Çfarë ndryshoi? Marrëdhënia nisi të përmirësohej në verën e vitit 2016, kur zoti Putin mbështeti presidentin turk pas një grushti shteti abortiv në Turqi që vrau rreth 270 njerëz. “Putin telefonoi menjëherë”, tha një zyrtar turk. “Pavarësisht nëse e pëlqejmë apo jo, u tregua mjaft i zgjuar duke ofruar solidaritet”. Shumica e udhëheqësve perëndimorë reaguan më ngadalë. Zoti Erdogan udhëtoi në Rusi, ku nënshkroi një marrëveshje për tubacionin e gazit dhe ra dakord të rifillohet puna për një fabrikë bërthamore ruse në Turqinë Jugore. Dy pilotët që rrëzuan aeroplanin rus në vitin 2015 përfunduan në burg, të akuzuar për përfshirje në grusht shteti.

“Kriza e avionëve luftarakë ishte një pikë kthese në mënyrën se si Turqia u soll me Rusinë”, thotë Emre Ersen, ekspert i Rusisë në Universitetin Marmara në Stamboll. “Pasi NATO nuk vrapoi në ndihmë të Turqisë, Turqia e kuptoi se e vetmja mënyrë për të përparuar interesat e saj në Siri ishte marrëveshja me Rusinë. Ajo marrëveshje qëndron ende”.

Që nga viti 2016, zoti Erdogan ka mbajtur më shumë takime me zotin Putin sesa me ndonjë udhëheqës tjetër. Rusia është kthyer nga kundërshtare e Turqisë në luftën civile të Sirisë, në partnerin e saj më të rëndësishëm atje. Turqia ka qenë në gjendje të kryejë operacionet e saj ushtarake në veri të Sirisë, vetëm me pëlqimin rus. Ndërkohë, mediat ruse kanë depërtuar në audiencat turke. Rrethi i ngushtë i Erdoganit tani përfshin një grup “Euroazianistësh”, të cilët janë të hapur për bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën dhe armiqësorë ndaj Europës dhe NATO-s. Qeveria e Turqisë dhe makina e saj propagandistike tani rrisin tension me Perëndimin, po aq sa tentojnë të ulin tensionin me Rusinë.

Vendimi për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 është elementi më i rëndësishëm i marrëdhënies së re. Dy vjet më parë, zoti Erdogan e quajti këtë blerje “marrëveshjen më të rëndësishme në historinë tonë”. Sistemi nuk ka qenë i lirë. Çmimi që Turqia pagoi përfshinte 2.5 miliardë dollarë për hardware, dëbimin nga programi amerikan F-35 dhe humbjen prej 9 miliardë dollarësh në kontratat për industrinë turke të armëve. Në dhjetor, Amerika vendosi sanksione shtesë kundër agjencisë së prokurimit të mbrojtjes në Turqi.

Zoti Erdogan mund të ketë qenë i dëshpëruar për një sistem armësh që mund të kundërshtonte llojin e kërcënimit që çoi në një grusht shteti në vitin 2016, kur vetë F-16 të Turqisë bombarduan pallatin e tij. Shumë nga mbështetësit e tij besojnë se Amerika kishte gisht në atë grusht shteti. Në shkurt, ministri i tij i Brendshëm e akuzoi SHBA-në për orkestrimin e dhunës. Kishte gjithashtu zëra se inteligjenca ushtarake ruse informoi zotin Erdogan për një kërcënim ndaj jetës së tij.

Në boshllëkun amerikan

Në Siri, turqit thonë se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të bënin biznes me Rusinë, pasi Amerika iu shmang konfrontimit me regjimin, duke vendosur vija të kuqe, por duke mos arritur të merrte masa vendimtare. Turqia u zemërua me vendimin e Amerikës për të transferuar në luftë tokësore konfliktin për kurdët. Zyrtarët turq thonë se Amerika, jo vetëm që lejoi Rusinë të dilte si ndërmjetësi kryesor i fuqisë në Siri, por armiqësoi Turqinë, duke u bashkuar me degët lokale të PKK-së.

Ndonjëherë, përplasjet midis Turqisë dhe Rusisë ndodhin ende, si një vit më parë, kur një autokolonë turke u godit nga avionët rusë në shërbim të ushtrisë siriane. Të paktën 36 ushtarë turq u vranë. Megjithatë, Turqia ishte e kujdesshme për të mos u ballafaquar me Rusinë drejtpërdrejt dhe fajësoi për sulmin presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad.

Nga ana e tij, zoti Putin ishte po aq reciprok dhe e lejoi Turqinë të hakmerrej dhe të pozicionohej në Siri me dronë luftarakë, ndërkohë që avionët rusë qëndronin të palëvizshëm. Për sa i përket zotit Putin, përdorimi i Turqisë për të gërryer NATO-n nga brenda është edhe më i rëndësishëm sesa ndihma ndaj Asadit në Siri.

I njëjti motiv shpjegon pjesërisht pranimin e Rusisë në luftën e Azerbajxhanit në lidhje me zonën Nago-Karabak, kur Turqia ndihmoi azerianët. Zoti Putin ka arritur ta shndërrojë rolin e Rusisë si një ndërmjetëse duke instaluar ushtrinë tokësore, në formën e paqeruajtësve, për të mbikëqyrur marrëveshjen e re. Turqia ka fituar prestigj në rajon dhe një premtim për një korridor transporti përmes Armenisë në Baku, i cili mund të bashkohet me Nismën e Rrugës së Mëndafshit të Kinës. Perëndimi nuk fitoi asgjë.

Tregtia dhe investimet luajnë një rol në lidhjen e Turqisë me Rusinë. Për shkak se eksportet e energjisë ruse përbëjnë pjesën më të madhe të tregtisë së saj, Turqia ka një deficit prej 13.4 miliardë dollarësh me Rusinë. “Por ne nuk duhet të nënvlerësojmë lidhjet e biznesit”, thotë Behlul Ozkan nga Universiteti Marmara. “Kompanitë turke të ndërtimit të lidhura me partinë AK (partia e Erdoganit) po marrin tenderë të mëdhenj”. Midis viteve 2010 dhe 2019, Rusia ishte tregu më i madh për kontraktorët turq, me mbi 40 miliardë dollarë në projekte të përfunduara.

Mbështetje e ndërsjellë

Këto lidhje kanë marrë rëndësi sidomos sepse dy udhëheqësit kryesojnë ekonomi në vështirësi (shih grafikun 1). Në Turqi, inflacioni dhe papunësia kanë mbetur dyshifrore që nga viti 2018. Në më pak se katër vjet, lira turke ka humbur sa gjysmën e vlerës së saj në dollar.

Ekonomia e ngecur e Rusisë dhe një rënie 6-vjeçare e të ardhurave reale kanë rritur pakënaqësinë e gjerë me Kremlinin. Putin dhe Erdogan kanë rënë dakord me idenë se të dyja vendet e tyre janë një “kështjellë e rrethuar” nga armiq, dhe përdorin agresionet jashtë vendit për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e brendshme.

Turqia dhe Rusia ndajnë edhe ndjenjën e përbashkët të hidhërimit në të qenët të përjashtuar nga Europa. Përpjekjet e Turqisë për t’u bashkuar me BE-në janë kundërshtuar për gati gjashtë dekada. Turqia e sotme luftarake dhe autoritare duket qartë se nuk ka vend në klub. Por duke pasur parasysh frikën e Europës nga ideja e një kombi mysliman me mbi 80 milionë njerëz, Turqia ndoshta nuk do të lejohej të hynte, edhe nëse do të bëhej një demokraci e lulëzuar.

Të dy autokratët kanë nostalgji për perandoritë. Zoti Putin e portretizon veten si një patriot, i cili po rindërton pjesë të perandorisë sovjetike dhe ka zhvilluar luftëra kundër Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Ai përpiqet të mbajë pranë ata që i sheh si shtete kliente, midis të cilëve Bjellorusinë dhe Armeninë. Zoti Erdogan e ka vendosur të kaluarën osmane të vendit të tij në shërbim të një politike të jashtme më agresive, duke bërë zhurmë për rivendosjen e sundimit turk mbi ishujt grekë afër brigjeve në Egje dhe duke u përballur me Greqinë, Qipron dhe Francën në Mesdheun Lindor të pasur me gaz. Atij i pëlqen ta quajë veten si zëri i botës myslimane.

“Erdogani ka me Putinin një marrëdhënie personale që nuk e ka me shumë udhëheqës perëndimorë”, thotë zoti Ersen. “Të dy janë burra me tendenca autokrate që nuk sfidohen në vendin e tyre dhe secili e di se tjetri ka fuqinë për të zbatuar vendimet që merr”. Zoti Erdogan e di se marrëveshjet që lidh me Amerikën rrezikojnë të pengohen nga burokracitë e pavarura, opinioni publik dhe Kongresi. Me zotin Putin, nuk ka nevojë të shqetësohet për asgjë të tillë.

Zoti Erdogan ka qenë gjithashtu i vëmendshëm në përqafimin e politikës së jashtme fait accompli nga ana e Putin. Rusia dëmtoi interesat e Turqisë në Siri dhe kapi terrenin e vlefshëm në veri të saj, duke aneksuar Krimenë. “Erdogan njohu vlerën e pushtetit të fortë”, thotë Suat Kiniklioglu nga Instituti Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë. Pas Krimesë, udhëheqësi i Turqisë kuptoi se agresioni nuk ndëshkohet gjithmonë. “Ankaraja sheh dobësi, mosmarrëveshje, pavendosmëri dhe konfuzion në Perëndim dhe e sheh këtë si një mundësi për të ndërhyrë në lagjen e saj”, thotë zoti Kiniklioglu. Erdogan ka filluar të zbatojë disa udhëzime nga manuali i zotit Putin. Rusia dërgoi “njerëz të vegjël të gjelbër” dhe mercenarë në Krime, Donbas dhe Libi. Turqia përgatiti qindra mercenarë sirianë për t’u bashkuar me luftimet në Libi dhe më pas në Azerbajxhan, ndoshta përmes një kompanie private të sigurisë. Rusia përdor gazin për të ushtruar presion mbi qeveritë europiane. Turqia përdor emigrantë dhe refugjatë.

Sigurisht që ka dallime të mëdha midis dy burrave dhe vendeve që ata drejtojnë. Pas një grushti shteti kushtetues që hoqi kufirin në mandatet e tij presidenciale, Putin është afruar shumë më pranë diktaturës, megjithëse zemërimi për burgosjen e zotit Navalny, ende mund të lirojë kontrollin e tij. Fuqia e zotit Erdogan nuk është e ngulitur aq fort. Konglomeratet më të mëdha të Turqisë drejtohen nga anëtarë të klasës laike, të cilët e akomodojnë presidentin, por nuk e duan atë.

Zoti Erdogan ka burgosur shumë nga kundërshtarët e tij, ka sfiduar median dhe ka marrë nën kontroll gjykatat, por ende duhet të përballet me zgjedhje të kontestuara ngushtë. Mbështetja për partinë e tij në sondazhe ka rënë. Dy vjet më parë, në zgjedhjet lokale, ajo humbi kontrollin e Stambollit, motorit ekonomik të Turqisë dhe Ankarasë, kryeqytetit të vendit.

“Vive la différence”

Rusia dhe Turqia nuk mund të quhen aspak një aleancë e vërtetë. “Nuk po flasim për një partneritet strategjik”, thotë Onur Isci, kreu i Qendrës për Studime Ruse në Universitetin Bilkent. “Unë nuk mendoj se Turqia ka luksin që të rrezikojë kolapsin e të gjithë marrëdhënies së saj institucionale me Perëndimin”. Megjithëse të dy kanë bashkëpunuar në Siri, ata mbeten në anët e kundërta të luftës. E njëjta gjë është e vërtetë në Libi dhe konfliktin Nago-Karabak.

Të dyja fuqitë gjithashtu kanë interesa kryesisht të papajtueshme në Gjeorgji dhe Ukrainë, të cilat Turqia do të dëshironte t’i shihte si anëtare të NATO-s. Kjo është absolutisht e papranueshme për Rusinë, e cila zhvilloi luftëra për t’i mbajtur të dyja vendet larg nga Perëndimi. Si rezultat, Gjeorgjia dhe Ukraina tani e shikojnë Turqinë si një kundërforcë të rëndësishme ndaj Rusisë, një rol që zoti Erdogan ka qenë i lumtur ta shfrytëzojë. Turqia i ka forcuar marrëdhëniet ekonomike dhe të mbrojtjes me Ukrainën.

Në vitin 2019, ajo i shiti Ukrainës gjysmë duzinë të dronëve të saj luftarakë, blerja e parë e tillë nga ushtria e Ukrainës. “Turqia nuk është Turqia e 30 viteve më parë”, thotë një zyrtar turk. “Kapaciteti ynë mbrojtës dhe ekonomik është përmirësuar. Ne nuk e shohim veten sikur bisedojmë me Rusinë nga një pozicion dobësie”.

Rusia dhe Turqia do të kërkojnë një gjuhë të përbashkët kudo që të munden, thotë zoti Ersen, por do ta kenë të vështirë të pajtojnë interesat e tyre, veçanërisht në Detin e Zi dhe Kaukaz, ku pozicioni i Turqisë vazhdon të jetë më afër Perëndimit, sesa Rusisë. “Problemet rajonale, – thotë zoti Ersen – janë baza e butë e marrëdhënies Turqi-Rusi”. Perspektivat e tyre afatgjata gjithashtu ndryshojnë. Perspektiva demografike dhe perspektivat e rritjes ekonomike të Turqisë janë shumë më të ndritshme. Popullsia e saj po rritet; ajo e Rusisë po tkurret.

Aktualisht, Turqia është një vend jo i qetë. Ajo po largohet gjithnjë e më shumë nga aleanca perëndimore. Por partneriteti i saj me Rusinë është i ri, i dobët dhe i ndryshueshëm. Midis shumë çështjeve që konkurrojnë për vëmendjen e presidentit Joe Biden, ndalimi i largimit të Turqisë nga Perëndimi dhe në krahët e zotit Putin, meriton të jetë në krye të listës.

Përktheu: Lira Muça/MONITOR

Artikulli i mëparshëm40% e popullsisë e imunizuar nga Covid: Tirana arrin imunizim e tufës përpara verës
Artikulli i radhësGoogle, nën akuzë për modalitetin incognito të Chrome, mbledh gjithsesi të dhëna