Drejt licencimit fondi i dhjetë i investimeve në Shqipëri

0

Tregu i fondeve të investimit po vazhdon të tërheqë aktorë të rinj. Në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është paraqitur aplikimi për licencimin e një fondi të ri investimesh, Sigal Investment.

Ky fond do të krijohet nga shoqëria administruese Sigal Life Uniqa Group Austria. Aktualisht, kjo shoqëri është e licencuar vetëm për administrimin e fondeve të pensionit, ndërsa me aplikimin për fondin e ri paralelisht do të zgjerojë licencën edhe për administrimin e aseteve të sipërmarrjeve të investime kolektive.

Albsig Investment pritet të bëhet fondi i dhjetë i investimeve në Shqipëri. Vetëm vitin e kaluar, Bordi Drejtues i AMF licencoi katër fonde të reja investimesh, Albsig Standard, Raiffeisen Miks, WVP Global dhe ABI EIA.

Nga nëntë fonde të licencuara aktualisht, katër administrohen nga Raiffeisen Invest, një nga Credins Invest, dy nga WVP Fund Management Tirana, një nga Albsig Invest dhe një nga ABI Invest. Sipërmarrësit kryesorë në tregun e fndeve të investimit në Shqipëri janë bankat dhe shoqëritë e sigurimeve.

Mbështetur në statistikat e AMF, në fund të vitit 2020, tregu i fondeve të investimeve kishte një vlerë neto të aseteve prej rreth 67.4 miliardë lekësh ose rreth 545 milionë eurove. Vlera e aseteve neto të fondeve vitin e kaluar u rrit me vetëm 0.92%, ecuri e ndikuar pjesërisht edhe nga kthimet negative të fondeve të investimit në euro, që çuan në uljen e vlerës së aseteve për këtë segment të tregut. Numri i anëtarëve në fund të vitit 2020 arriti në afërsisht 32,700, me një rritje vjetore prej 11.7%.

Pas vitit 2015, tregu i fondeve të investimit duket se ka arritur një fazë ngopjeje dhe nuk po arrin më rritje domethënëse të vlerës së aseteve. Pavarësisht kësaj, në dy vitet e fundit ai ka tërhequr investitorë të rinj, më konkretisht grupet financiare Albsig, Banka Amerikane e Investimeve dhe Sigal Uniqa Group Austria. Në monedhën vendase, tregu nuk ofron alternativa të tjera të investimit financiar, veç bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare. Ky është një faktor që pengon diversifikimin e portofolit të investimit dhe nuk lejon sigurimin e kthimeve më tërheqëse për investitorët.

Pas miratimit të ligjit të ri, në mesin e vitit të kaluar, tashmë pritet edhe licencimi i fondeve të reja të investimeve alternative. Në fund të vitit 2020, AMF licencoi Credins Invest si të parën shoqëri që do të ofrojë Fonde të Investimeve Alternative, vetëm për klientët profesionistë dhe të kualifikuar. Credins Invest pritet të administrojë fondin e ri të investimeve alternative Sea Land Investment. Ky fond është themeluar në formën e një shoqërie tregtare, me aksioner kryesor Credins Bank, ndërsa pritet të licencohet nga AMF./ E.Shehu/MONITOR

Artikulli i mëparshëmShkencëtarët: Pse Covid-19 mund të shkaktojë diabet
Artikulli i radhësObligacionet me ofertë private arrijnë në më shumë se 65 milionë euro