Nga Klodian Tomorri
Vizita e beftë e kryeministrit Edi Rama në Pallatin Elysee dhe dreka e punës me Presidentin francez Makron, më shumë se axhendë politike, këtë herë kishte në menu interesa të mirëfillta ekonomike. Pas drekës, Edi Rama pranoi se një nga temat kryesore të bisedës me presidenin Makron ishin investimet franceze në Shqipëri, veçanërisht ato në fushën e energjisë, por pa dhënë më shumë detaje.
Por çfarë po ndodh nën mbulesën zyrtare?
Investitori më i madh francez në Shqipëri është kompania “Voltalia”, e cila është në pronësi të një prej familjeve më të pasura dhe më me ndikim në Francë. Në maj të vitit të kaluar, “Voltalia” u shpall fituese e ankandit për ndërtimin e parkut të parë diellor në Shqipëri, atë të Karavastasë. Ndërtimi i këtij parku do të kushtojë 100 milionë euro dhe do të financohet nga vetë kompania private. Por oferta e kompanisë franceze çuditi jo pak ekspertët.
Ankandet e centraleve diellore kanë një formule mikse, ku kompanitë garojnë vetëm për çmimin me të cilin do ja shesin energjinë e prodhuar shtetit. Në rastin e Karavastasë ishte parashikuar që gjysma e energjisë do të blihej nga shteti dhe gjysma tjetër mund të shitej në treg të lirë. “Voltalia” mori përsipër që gjysmën e energjisë së prodhuar nga centrali 140 mega vatësh i Karavastasë, t’ja shesë shtetit shqiptar me çmimin 24.89 euro/mega ose dy deri në tre herë më pak se sa çmimi mesatar i energjisë në tregun ndërkombëtar. Ky ishte një përfitim i jashtëzakonshëm për shtetin dhe qytetarët shqiptarë.
Por lajmi i mirë i Karavastasë, nuk zgjati shumë. Menjëherë pas ankandit filluan të dilnin zëra se kompania franceze ishte penduar për çmimin e ofruar dhe gjatë diskutimeve për firmosjen e kontratës kishte kërkuar kompensim. Në atë kohë zgjidhja e përfolur ishte ajo e ndërtimit të një centrali tjetër diellor, që do t’i jepej kompanisë franceze, por këtë herë çmimi i shitjes së energjisë do të ishte dukshëm më të lartë sesa ai i Karavastasë. Në këtë mënyrë, “Voltalia” mund të kompesonte çmimin ulët që kishte ofruar për Karavastanë.
Fillimisht këto lajme u panë me skepticizëm, por dyshimet nisën të shtoheshin jave pas jave dhe morën një konfirmim të fortë në fund të vitit të kaluar. Në muajin nëntor, qeveria shqiptare shpalli në mënyrë të beftë ankandin për ndërtimin e një tjetër centrali diellor në Spitallë të Durrësit. Sipas dokumentave të ankandit, centrali i Spitallës do të ketë një fuqi të instaluar 100 mega dhe 70 për qind e energjisë së prodhuar nga kjo vepër do të blihet nga shteti.
Shpallja e beftë e Spitallës ishte vetëm konfirmimi i parë i zërave se qeveria po kompesonte “Voltalian”. Prova e dytë ishte edhe më e fortë. Edhe pse ankandi për centralin e Karavastasë përfundoi me çmim 24.89 euro/mega, çmimi referencë që u vendos për ankandin e Spitallës ishte 55 euro/mega, pra mbi dy herë më shtrenjtë.
Ndërsa prova e tretë ishte pjesëmarrja e “Voltalias” në ankand, ashtu sikurse flitej. Ankandi për centralin e Spitallës u mbyll në shkurt. Në të morën pjesë 5 kompani, nga të cilat 3 kompani gjermane, një joint venture indiano – shqiptar dhe kompania e pestë ishte “Voltalia”.
Sipas afateve ligjore, në datën 2 mars, qeveria duhet të kishte bërë publike ofertat dhe të shpallte fituesin e garës. Por kjo nuk ndodhi. Afatet u shkelën dhe qeveria vazhdon ta mbajë pezull garën për centralin diellor të Spitallës. Arsyeja? Spitalla është shndërruar në një patate të nxehtë.
Burime konfidenciale thonë se oferta e “Voltalias” nuk ishte më e favorshmja në ankand, ndaj Ministria e Energjisë ngurron ta shpallë fituese. Për këtë hezitim, Edi Rama u thirr dje me urgjencë në Elysse. As për të ndërmjetësuar dialogun Kosovë – Serbi dhe as për shtetin ligjor apo mbarëvajtjen e demokracisë. Thjesht dhe mirëfilli për biznes. Ndërkohë që qytetarëve shqiptarë u mbetet vetëm të luten që Edi Rama të ketë luajtur fort të paktën. Karavastanë me Spitallën në këmbim të Po-së franceze për integrimin. Nëse jo, dreka e Elysses do të jetë vetëm fatura e radhës për Shqipërinë, e cila këtë herë vjen nga Spitalla.