Kaso: Plotësimi i listës, fitorja e parë. Beteja më e madhe në 25 Prill

0
PD, Kaso: Plotësimi i listës së deputetëve, fitorja e parë. Beteja më e madhe në 25 Prill

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso ka dhënë një deklaratë për mediat, pas vendimit të KAS pro kërkesës së bërë.

Sipas Kasos, plotësimi i listës së deputetëve është fitoja e parë në këtë përballje.

Ai u shpreh se beteja kryesore është 25 prilli.

Reagimi i plotë i Ivi Kasos:

 Vendimi i sotëm i Komisionit të Apelimit konfirmoi qendrimin e drejtë të Partisë Demokratike për listën e përfaqësimit në zgjedhjet politike të 25 Prillit.

Si gjithmonë, ne jemi në anën e ligjit dhe vendosim të parin interesin publik, përfaqësimin sa më të plotë dhe dinjitoz të të gjitha shtresave të shoqërisë.

Vendimi i mëparshëm i KQZ-së për të mos regjistruar listat e plota të koalicionit ishte një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, diktuar nga interesat politike të shumicës.

Pas ndryshimit të rregullave të lojës në mënyrë të njëanshme, shumica synoi të vendoste rregulla të tjera, të cilat parandaluan përfaqësimin e plotë dhe të drejtë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit tonë.

Tani, koalicioni ynë po konkurron në potencialin e tij të plotë, njerëzor dhe programatik.  Por përfaqësimi i koalicionit PD në zgjedhjet e 25 Prillit me listat e plota është vetëm beteja e parë e fituar.

Beteja më e madhe është ajo e ditës së zgjedhjeve, 25 Prill.

Qytetarët e dinë që këto zgjedhje nuk janë për Ramën apo Bashën: Këto zgjedhje janë për të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Këto zgjedhje vendosin nëse Shqipëria do të përparojë drejt Bashkimit Evropian.

Njerëzit e dinë që kjo nuk mund të bëhet nga Edi Rama, i cili dështoi për 8 vjet dhe na la mbrapa të gjitha vendeve të tjera.  Njerëzit do të votojnë për Lulzim Bashën, misioni i të cilit është të ndërtojë në Shqipëri një qeveri evropiane, të përgjegjshme dhe me një fytyrë njerëzore.

Asgjë nuk do të na ndalojë të sjellim ndryshimin në Shqipëri me njerëzit tanë të mrekullueshëm, të cilët kanë nevojë dhe e duan kaq shumë ndryshimin!  Ne do ta bëjmë të mundur këtë në 25 Prill me ndihmën e të gjithë shqiptarëve.

Artikulli i mëparshëmRrëzohet vendimi i Celibashit/ KAS miraton listën e plotë të kandidatëve të PD
Artikulli i radhësRama kërcënon BE-në: Po bëni fushatë për PD-në, mos fusni hundët këtu!