Kriza ka dhënë një ndikim të ndjeshëm në tregun e mikrokredisë konsumatore.
Të dhënat nga Shoqata Mikrofinanca Shqiptare tregojnë se për vitin 2020 janë disbursuar më pak se 155 mijë kredi të vogla konsumatore, ndërsa në vitin 2019 numri i këtyre kredive kishte qenë rreth 250 mijë.
Rënia drastike e numrit të kredive të disbursuara dëshmon që sektori i mikrofinancës i vuajti më shumë pasojat e krizës krahasuar me sektorin bankar. Moratoriumi tremujor i pagesave i vendosi shumë prej kompanive të këtij sektori në vështirësi likuiditeti. Duke pasur rezerva më të vogla krahasuar me sektorin bankar dhe në mungesë të aksesit në instrumentet e furnizimit me likuiditet të Bankës së Shqipërisë, institucionet e mikrokredisë u detyruan të kufizojnë shpenzimet dhe të ngadalësojnë ose të ndërpresin tërësisht huadhënien e re gjatë tremujorit të dytë 2020.
Me rihapjen e ekonomisë dhe rifillimin e pagesave të kësteve të kredisë, aktiviteti i institucioneve të mikrofinancës rifilloi, por larg ritmeve të periudhës së parakrizës. Këto institucione kreditojnë kryesisht në segmentin me rrezik më të lartë të tregut, ndaj edhe standardet e huadhënies pësuan një lloj shtrëngimi. Përveç një kujdesi të shtuar nga ana e ofertës, tregu vuajti edhe nga rënia e kërkesës, shpesh të ndikuar direkt nga ecuria e epidemisë së Covid-19.
“Ne vërejmë që ka kërkesë të ulët për kredi dhe vështirësi në pagesa. Njerëzit sëmuren nga Covid-19, shpenzojnë shuma të mëdha për barna, ekzaminime dhe mjekime dhe kjo po e ndikon tregun, si në kuptimin e kërkesës, ashtu edhe të aftësisë paguese. Edhe psikologjikisht, njerëzit nuk janë të prirur të bëjnë shpenzime që i konsiderojnë jo të domosodshme. Pra, është një moment i vështirë dhe pandemia po jep pasoja serioze,” thotë për revistën “Monitor” Akan Ajdini, drejtor i përgjithshëm i Iute Credit.
Sipas disa të dhënave nga Banka e Shqipërisë, rreth 68% e kërkesave në regjistrin e kredisë, vijnë prej institucioneve të mikrofinancës, fakt që tregon se numri më i madh i kërkesave për kredi adesohet në institucionet e mikrofinancës. Këto institucione aplikojnë kritere më të lehtësuara për kredidhënien dhe kanë procedura shumë të shpejta të procesimit të aplikimeve.
Por, nga ana tjetër, ato aplikojnë norma interesi efektive shumë më të larta interesi, që në disa raste mund të shkojnë deri në 250%. Banka e Shqipërisë në muajin shkurt prezantoi një projekt-rregullore që pritet të vendosë një normë tavan interesi për kredinë konsumatore. Një projekt i tillë kundërshtohet nga institucionet e mikrofinancës, që argumentojnë se një masë e tillë do të ulte ofertën për kredi dhe do të kufizonte aksesin e publikut në produktet financiare./MONITOR