Një denoncim i fortë është bërë sot në emisionin “Me zemër të hapur’ në ‘News24’, ku thuhet se brenda qendrës tregtare që u përfshi nga flakët është dhe një 17-vjeçar.
Ky fakt u bë i ditur në një lidhje direkte nga gazetarja, e cila kishte biseduar me një familjarin e të riut të zhdukur.
Kushëriri i 17-vjeçarit kishte pohuar se ai ishte duke shkarkuar mallin kur godina u përfshi nga flakët, ndërsa nuk kanë mundur që të komunikojnë me të. Ndërkohë që përgjegjësi i këtij biznesi ka pohuar krejt të kundërtën, pasi në listat e tij nuk figuronte emri i 17-vjeçarit.
Kujtojmë se në godinë ndodhet akoma i pagjetur shefi i sigurisë, Arjan Sala.
Familjarët e 17-vjeçarit kanë shkuar sot pranë magazinës dhe pretendojnë se kanë humbur kontaktet me të riun, i cili punonte për ngarkim-shkarkimin e mallrave, në një prej kompanive që depozitonin mallra pranë kësaj magazine.
Akuzat e familjarëve të Salës, por edhe të riut, janë se zjarrfikësit nuk kanë mjetet e duhura për të hyrë brenda magazinës, që ndodhet nën katin përdhe, dhe në rast se do të kishin ndërhyrë më herët, gjasat që ata të shpëtoheshin ishin të mëdha.
“A nuk ka një fadromë të hapin një dritare më të madhe! Ai thotë është 180 gradë, nuk futem brenda. Është komplet faji i zjarrfikëses. Iku vëllai jonë aty brenda! Pronari i objektit ka dhënë urdhër, të prishet objekti ku të duan forcat e zjarrfikëses. Nuk kanë mjete”, u shprehën familjarët e revoltuar.
Vetë babai i Salës, po ashtu ka hedhur akuza në drejtim të zjarfikësve, ndërsa ka zbuluar se për herë të fundit me të birin e tij ka folur rreth orës 14:00 .