Bota ka dëgjuar jo pak histori të njerëzve, madje edhe fëmijëve të vegjël të bllokuar në mesin e detit. Por historia e Terri Xho Dapero është e veçantë. pasi u desh të rezistonte për 3 ditë e vetme në mesin e oqeanit. Në kohën e ngjarjes tragjike, Terri ishte vetëm 11 vjeçe, dhe ishte një vajzë shumë e ndrojtur.
Babai i saj, Artur Dapero ëndërronte gjithmonë të kursente mjaftueshëm para për ta shëtitur familjen e tij nëpër ishuj të ndryshëm ekzotikë. Artur ishte një okulist dhe merrte një pagë të mirë. Kjo gjë i dha mundësi të mblidhte mjaftueshëm para deri në vitin 1961, për të nisur me familjen e tij disa pushime të gjata.
Familja ishte me origjinë nga shteti i Uinksonsin në SHBA, një nga më të ftohtit, gjë që justifikonte edhe dëshirën e familjes për të shkuar në vende ekzotike me një klimë të ngrohtë. Pjesa tjetër e familjes përbëhej nga nëna e Territ, Zhanë Dapero, vëllai i saj Brajan, që në atë kohë ishte 14 vjeç, dhe motra e saj Rene vetëm 7 vjeç.
Destinacioni i tyre ishte ishulli i Bahamasit, ku ata donin të shkonin me një anije të vogël. Në Fort Loderdelj (Florida) ata u takuan me Xhulian Harvin (një mik i vjetër i Arturit) dhe gruan e tij Deni, të cilët iu bashkuan udhëtimit me ta.
Familja Dapero e mori me qira anijen, dhe Xhulian do të ishte kapiten. Ai ishte një veteran i Luftës së Dytë Botërore, ndaj dukej një person i besueshëm në atë mision. Xhulian vendosi që udhëtimi të niste natën e 8 nëntorit 1961. Megjithëse kjo iu duk disi e çuditshme, familja Dapero i besoi, ndaj të gjithë u nisën me anijen me emrin “Bluebelle”.
Udhëtimi po ecte shumë mirë. Kishin kaluar 5 ditë dhe të gjithë po e shijonin jetën në det, sidomos Arturi, që po jetonte ëndrrën e tij. E megjithatë për Terrin kishte diçka që nuk shkonte. Natën e pestë, ajo u zgjua nga britmat e vëllait të saj që vinin nga kuverta e anijes. Ajo doli me shpejtësi jashtë për të parë skenën më të tmerrshme, të përshkruar më së miri me fjalët e saj:“Unë vrapova në majë të kuvertës për të parë se çfarë ndodhi. Pashë nënën
dhe vëllain tim në një pellg gjaku”.
Vetëm imagjinoni një moment tronditjen psikologjike që pësoi 11-vjeçarja kur pa vëllain, të motrën dhe prindërit e vdekur. Ajo u frikësua aq shumë saqë vrapoi sërish brenda dhe u shtri në shtratin e saj duke shpresuar qëe gjitha të ishte një makth i keq. Terri vendosi të kthehej në kuvertë për të parë se ku ishte familja e saj. I vetmi person që mbeti në kuvertë ishte Xhulian, që e shtyu atë përsëri poshtë kuvertës. Ai hodhi në ujë një kanoe ku vendosi kufomën e gruas së tij, dhe u largua por jo para se të sabotonte anijen që të fundosej.
Terri mendoi më vonë se Xhulian nuk e vrau pasi ishte i sigurt se ajo do të mbytej bashkë me anijen. Ndërsa po qante poshtë kuvertës, ajo pa se si uji po vërshonte në anije nga të gjitha anët. E dinte se duhej të bënte patjetër diçka, përndryshe do të mbytej. Terri u kujtua se babai i saj i kishte treguar në fillim një varkë të vogël shpëtimi në pjesën e pasme të anijes. Ajo hipi në varkën e vogël të shpëtimit,para se anija të fundosej. Por çfarë kishte ndodhur? Në atë kohë Terri nuk e dinte arsyen pse u vra familja e saj, por ajo ishte e sigurt që vrasësi ishte Xhulian Harvi.
Më vonë, historia u zbardh nga hetuesit. Deni Harvi kishte sigurim të jetës me vlerë 20.000 dollarë dhe Xhulian i donte ato para. Ai ishte aq i dëshpëruar, saqë ishte i gatshëm ta vriste me supozimin se do të fitonte besimin e familjes Dapero, për të cilën supozonte se do të binte dakord ta quanin ngjarjen një aksident.
Por Artur e kapi Xhulianin në momentin që po vriste bashkëshorten e tij, ndaj nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse t`i hiqte qafe të gjithë dëshmitarët. Prandaj ai vrau të gjithë familjen, dhe e braktisi Terrin duke menduar se ajo do të mbytej. Xhulian u gjet nga një anije tregtare që e shpëtoi.
Ai i shpjegoi ekuipazhit se anija në të cilën ndodhej, u përball me një stuhi të fortë, që shkatërroi anijen, se gruaja e tij kishte vdekur ndërsa edhe të tjerët në bord ishin mbytur. Xhulian u rikthye në SHBA dhe varrosi gruan e tij. Terri ishte bllokuar në mesin e detit pa ushqim dhe pa ujë. Ajo ishte aq e lënduar shpirtërisht për vdekjen e familjarëve të saj, saqë nuk kishte asnjë shpresë se do të mbijetonte. E vetmja gjë për të cilën mund të mendonte ishin peshkaqenët në fund të detit që prisnin ta hanin. Një problem tjetër për Terrin, ishte dielli i fortë që i provokonte të vjella pasi nuk kishte asgjë për të mbuluar veten.
E dehidratuar dhe e shokuar psikologjikisht, u duk sikur fati i saj ishte vendosur. Por pas 84 orësh bllokimi në det, fati ishte në anën e saj, pasi një anije mallrash e zbuloi. Anija greke drejtohej nga kapiteni Teo, që në fillim nuk po u besonte syve me atë që pa. Ai nuk kishte parë asnjëherë një person të bllokuar në det.
Vajza u shpëtua shpejt nga një helikopter i spitalit, pasi ishte shumë e sfilitur. Pas 11 ditësh u shërua. Ndërkohë, ndërsa Terri u gjet e gjallë, Xhulian po merrej në pyetje nga autoritetet. Ai u kishte thënë hetuesve se të gjithë vdiqën, dhe kur i thanë se Terri ishte gjetur e gjallë, ai u trondit.
Madje e cilësoi një lajm të mahnitshëm për të mos ngjallur dyshime, edhe pse në kokën e tij e dinte se do ta kalonte pas hekurave pjesën tjetër të jetës së tij, sapo Terri të merrte veten dhe të rrëfente gjithçka. Më 16 nëntor, Xhulian Harvi u gjet i vetëvrarë në një dhomë moteli. Autoritetet nuk patën kurrë shansin që ta dënojnë për 4 vrasjet e kryera.