Pfizer njofton efikasitet 100% të vaksinës për fëmijët 12-15 vjeç

0
Pfizer njofton efikasitet 100% të vaksinës për fëmijët 12-15 vjeç

Pfizer ka bërë të ditur sot se testimet e kryera kanë treguar se vaksina e saj kundër Covid-19 është 100 për qind efektive te fëmijët e moshës 12 deri 15 vjeç, duke hapur rrugën për të kërkuar autorizimin urgjent nga autoritetet amerikane.

Në testime morën pjesë 2,260 adoleshentë të moshave 12-15. Pati 18 raste Covid-19 midis atyre që morën injeksione placiboje dhe zero raste në grupin që mori vaksinën, duke rezultuar me efikasitet 100 për qind në parandalimin e Covid-19, sipas Pfizer.

Shumica e vaksinave të përdorura në botë janë për të rriturit, të cilët janë më tepër të rrezikuar nga virusi. Vaksina e Pfizer është aktualisht e autorizuar për moshat 16 vjeç e lart.

Pfizer dhe partneri gjerman BioNTech në javët e ardhshme planifikojnë të kërkojnë miratimin urgjent nga autoritetet mjekësore amerikane dhe evropiane.

Kompania bëri të ditur se fëmijët patën efekte anësore të ngjashme me të rriturit. Ato përfshijnë dhimbje, ethe, të ftohtë e lodhje, sidomos pas dozës së dytë. Studimi do të vazhdojë të gjurmojë pjesëmarrësit për dy vjet, për të pasur më tepër informacion për sigurinë dhe mbrojtjen afatgjatë.

Pfizer nuk është kompania e vetme që po punon për uljen e limitit të moshës. Së shpejti pritet dalja e rezultateve të studimit për vaksinën Moderna për moshat 12-17 vjeç.

Por, si një shenjë që tregon se rezultatet janë premtuese, FDA tashmë i ka lejuar të dyja kompanitë të nisin studimin në SHBA për fëmijët 11 vjeç e poshtë, deri në 6 muajsh.

Muajin e kaluar, AstraZeneca nisi në Britani studimin për vaksinat për moshën 6 deri 17 vjeç, Johnson & Johnson po planifikon kërkimin e vet pediatrik. Në Kinë, Sinovac njoftoi së fundmi se u ka paraqitur të dhënat paraprake rregullatorëve kinezë, që tregojnë se vaksina e saj është e sigurt edhe te fëmijët 3 vjeç.

Artikulli i mëparshëmRritja ekonomike në tremujorin e fundit të 2020-ës 3%/ Buxheti mbahet vetëm nga ndërtimet
Artikulli i radhësKE i UEFA-s heq kufizimet për praninë e tifozëve në stadiume/ Tani priten vendimet e qeverive