Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga shërbimet e punës me porosi për subjektet e huaja vitin e kaluar ranë me rreth 15 milionë euro.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria ishin 437 milionë euro, ose rreth 3.3% më pak krahasuar me një vit më parë. Kjo rënie erdhi kryesisht nga rezultati i tremujorit të parë të vitit, ndërsa në vazhdim bilanci i sektorit ishte në vlera të përafërta ose në rritje të lehtë krahasuar me tremujorin përkatës të vitit 2019. Megjithë rënien e lehtë, të ardhurat në këtë zë ishin ndjeshëm më të lartë krahasuar me mesataren e pesë viteve të mëparshme.
Mbështetur në të dhënat e tregtisë së jashtme dhe deklarimet e sipërmarrësve, fasoneria u prek ndjeshëm nga pandemia. Vetëm për sektorin kryesor, atë të tekstileve dhe këpucëve për vitin 2020, eksportet pësuan rënie me 16 miliardë lekë ose pothuajse 130 milionë euro. Por, po t’iu referohemi shifrave të Bankës së Shqipërisë, impakti real, i shprehur në rënien e të ardhurave të subjekteve nga shërbimet e punës duket se ka qenë më i vogël. Megjithë vështirësitë nga kufizimet dhe humbjen e disa kontratave, sektori u përpoq të përshtatej, duke e zhvendosur prodhimin drejt produkteve të reja. Fasoneria ishte kontribuesi i dytë më i rëndësishëm neto në bilancin e pagesave, pas remitancave, duke tejkaluar për vitin 2020 edhe turizmin. Krahu i lirë i punës është “produkti” kryesor ku janë mbështetur eksportet shqiptare pas rënies së komunizmit. Fasoneria është përqendruar kryesisht tek prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit.
Mbështetur në të dhënat e Instat, vetëm në sektorin e tekstileve dhe veshjeve në fund të vitit 2019 numëroheshin 695 ndërmarrje, që punësonin gjithsej mbi 31 mijë punonjës. Megjithatë, sipërmarrësit e këtij sektori gjithmonë kanë këmbëngulur se punësimi në këtë industri është shumë më i lartë, deri në dy herë më shumë nga sa tregojnë shifrat zyrtare. Veç tekstileve dhe këpucëve, prodhimi me porosi është e shtrirë edhe në sektorë të tjerë të industrisë ushqimore apo pjesëve të këmbimit për automjetet dhe produkte të tjera industriale. Ndryshe nga tekstilet dhe këpucët, aktivitetet e tjera të fasonerisë nuk janë të ndara në seksione statistikore të veçanta dhe kjo e bën të vështirë llogaritjen e kontributit të tyre në prodhim dhe punësim./ MONITOR