Fitorja e gjashtë në transfertë, UEFA evidenton rekordin e kuqezinjëve

0
Fitorja e gjashtë në transfertë, UEFA evidenton rekordin e kuqezinjëve

Shqipëria mposhti me rezultatin 0-2  San Marinon në transfertë, por kritikat për paraqitjen e kuqezinjve ishin të shumta, pasi skuadra vuajti jo pak deri në momentin që zhbllokoi rezultatin me golin e Manajt.

Triumfi i çon kuqezinjtë në vendin e tretë me 6 pikë, një më pak se Hungaria e tre më pak se Anglia kryesuese e grupit eliminator, megjithatë suksesi në San Marino pati një vlerë tjetër statistikore për Kombëtaren Shqiptare.

Kjo pasi skuadra e drejtuar nga Edy Reja nuk humb në transfertë prej 6 ndeshjesh radhazi dhe për më tepër, në të 6 këto sfida nuk ka pësuar asnjë gol. Humbja e fundit në transfertë për kuqezinjtë, daton më 11 tetor të 2019-ës me rezultatin 1-0 në Turqi, ku u ndëshkuam nga një gol i Tosun në minutën e 90’.

Këtë ecuri pozitive të kuqezinjve në transfertë e ka evidentuar edhe UEFA në faqen e saj zyrtare, megjithatë vlen të theksohet se të 6 këto përballje kanë qenë me kundërshtarë që pozicionohen poshtë Shqipërisë në renditjen e FIFA-s.

Gjithçka ka nisur me triumfin 0-4 në transfertën ndaj Moldavisë më 14 tetor të 2019-ës, për të vijuar më pas me suksesin 0-2 në transfertën ndaj Bjellorusisë, dy barazime pa gola në Ligën e Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë, si dhe dy fitoret e fundit 0-1 ndaj Andorrës dhe 0-2 ndaj San Marinos.

Testi i radhës zyrtar në transfertë për kuqezinjtë do të jetë më 2 shtator ndaj Polonisë, aty ku ruajtja e kësaj ecurie pozitive do të ishte mjaft e rëndësishme, për vetë forcën që ka kundërshtari.

Artikulli i mëparshëmCovid, pse antitrupat mund të zgjasin nga pak ditë deri në disa vite
Artikulli i radhësFutbollistët polakë nuk pranuan të gjunjëzohen para ndeshjes me Anglinë, ja veprimi që bënë