Babai i Erling Haaland dhe menaxheri i tij Mino Raiola bënë një udhëtim në Spanjë ditën e djeshme, ku zhvilluan diskutime me drejtuesit e Barcelonë se më pas me ata të Realit të Madridit, dy klube të interesuara për shërbimet e sulmuesit norvegjez.
Ky i fundit po spikat me fanellën e Borussia Dortmund dhe ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha europiane, teksa përveç Realit e Barcelonës, kanë shfaqur interes edhe skuadra si Liverpool, Manchester City e Chelsea.
E përditshmja britanike “The Sun” raporton se Raiola dhe babai i Haaland do të kalojnë fundjavën në Angli, ku pritet të kenë takime me drejtuesit e tre klubeve angleze, teksa zbulohet se në agjendë nuk ka asnjë takim me drejtuesit e Manchester United. Duket se “djajtë e kuq” janë të zhgënjyer nga bashkëpunimi me Raiolën, që është edhe menaxheri i Paul Pogba dhe nuk kanë ndërmend të hyjnë në garë për shërbimet e Haaland, ndonëse sulmuesi 20-vjeçar kërkohet me ngulm nga norvegjezi i pankinës, Solskjaer.
Erling Haaland ka një klauzolë largimi nga Borussia e Dortmundit me vlerën e 70 milionë eurove, e cila hyn në fuqi vetëm verën e 2022-shit, por paraqitjet mahnitëse të tij këtë sezon, kanë bërë që shumë klube të vihen në lëvizje për ta marrë që këtë verë. Nga ana tjetër klubi gjerman ka bërë të qartë se dëshiron ta mbajë gjatë Haaland në “Signal Iduna Park” dhe se mund të pranojë largimin e tij vetëm në këmbim të 140 milionë eurove.