AKEP miratoren rregulloren për mbrojtjen e konsumatorëve

0

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar, pas afërsisht dy vjet konsultime, rregulloren “Për mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”.

Rregullorja do të hyjë në fuqi në muajin tetor të këtij viti. Në procesin e gjatë të konsultimit, nga projekt-rregullorja fillestare është hequr detyrimi i operatorëve për transparencë mbi shpejtësinë minimale të internetit të ofruar nga rrjetet me lidhje fikse. Fillimisht AKEP propozoi që shpejtësia minimale duhet të ishte të paktën sa 70% e shpejtësisë së parashikuar në kontratë. Në praktikë, shpejtësia e reklamuar nuk i ofrohet abonentëve gjatë gjithë kohës dhe është ndjeshëm më e ulët në momente të caktuara të ditës, sidomos në oraret e pikut, kur përdorimi i rrjetit të operatorit shtohet.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, AKEP e modifikoi propozimin fillestar, duke kërkuar vetëm që operatori duhet të përfshijë në kontratën e shërbimit një shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm të shpejtësisë minimale, normalisht të disponueshme, maksimale dhe të publikuar të shkarkimit dhe të ngarkimit të shërbimit të aksesit në internet, nëpërmjet rrjeteve fikse ose celulare. Ndërsa në variantin final të rregullores, të miratuar në muajin mars, në asnjë nen nuk parashikohen detyrime që lidhen shprehimisht me transparencë mbi shpejtësinë e internetit.

AKEP ka vendosur vetëm një dispozitë me natyrë më të përgjithshme, ku parashikohet se, “si pjesë e informacionit për karakteristikat kryesore të secilit shërbim të ofruar, sipërmarrësit përfshijnë dhe nivelet minimale të cilësisë së shërbimit të ofruar, si koha për lidhje fillestare, koha për riparimin e defekteve dhe, kur është e përshtatshme, edhe parametra të tjerë të cilësisë së garantuar nga ofruesi i shërbimit sipas rregullores përkatëse të AKEP-it për treguesit e cilësisë së shërbimit, si dhe mënyrat e kompensimit dhe të rimbursimit të pajtimtarit, në rastet kur shërbimi i kontraktuar nuk plotëson nivelin e cilësisë së parashikuar në kontratë.”

Për këtë çështje, operatorët kanë shprehur rezerva, të paktën për sa kohë AKEP nuk parashikon një mekanizëm të certifikuar për matjen e shpejtësisë së internetit. AKEP nuk ka dhënë zyrtarisht një shpjegim për këtë çështje, megjithatë ndoshta ky problem mund të adresohet në një rregullore të posaçme.

Nga projektrregullorja janë hequr edhe dispozitat që parashikonin krijimin e Bazës Kombëtare të Dhënave të Numrave të Telefonit dhe një numëratori të përgjithshëm telefonik, që do të përmbante numrat e telefonit të pajtimtarëve që do të zgjidhnin të përfshiheshin në të.

Këto propozime kanë ndeshur shumë kritika nga operatorët, që janë shprehur se kishte shumë paqartësi për mënyrën se si do të ndërtohej dhe funksiononte regjistri në fjalë, për përballimin e kostove dhe për garantimin e sigurisë së informacionin. Megjithëse as në këtë rast nuk ka dhënë komente zyrtare, AKEP duket se i ka pranuar mangësitë e evidentuara nga operatorët dhe e ka hequr krejtësisht këtë çështje nga rregullorja.

Sipas AKEP, rregullorja synon një mbrojtje më të mirë të konsumatorit dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, nëpërmjet rregullave më të qarta për të drejtat tyre në marrëdhëniet me sipërmarrësit duke përfshirë: detyrime më të qarta për termat dhe kushtet të cilat duhet të përfshihen dhe të jenë pjesë përbërëse në kontratat e pajtimit për ofrimin e rrjeteve ose shërbimeve publike të komunikimeve elektronike; rregulla të qarta për aksesin në shërbimet e emergjencës dhe përcjelljen e informacionit të vendndodhjes së pajtimtarit për këto thirrje përfshirë thirrjet drejt numrit unik të emergjencave 112; saktësime për kohëzgjatjen, rinovimin dhe përfundimin e kontratave; rregulla më të qarta për trajtimin e ankesave nga operatorët dhe mbajtjen e rekordeve të tyre dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve pajtimtarë – sipërmarrës; kushtet për transparencën dhe publikimin e informacionit nga ofruesit e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike; masa për garantimin e aksesit të barabartë për personat me aftësi të kufizuar./ E.Shehu/MONITOR

Artikulli i mëparshëmSa u përdor interneti në pandemi, INSTAT: 20% për blerje, 95% e të rinjve rrinë online
Artikulli i radhës“Rama jeton si princ, shqiptarët si skllevër”/ Agron Duka befason me deklaratën që bën: Edi ka ëndërr për të qenë…