Gati projektligji për mbrojtjen nga telefonatat e padëshiruara të marketingut

0

Telefonatat e padëshiruara të marketingut janë bërë shqetësuese për shumë qytetarë.

Pa marrë asnjë autorizim paraprak, bizneset telefonojnë në çdo kohë dhe ofrojnë blerjen e produkteve apo shërbimeve të ndryshme. Për të rregulluar këtë çështje, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka përgatitur një projektligj “Për krijimin e Regjistrit të komunikimeve tregtare të pakërkuara”.

Në këtë Regjistër, do të identifikohet çdo subjekt tregtar që realizon komunikime tregtare të pakërkuara për qëllime marketingu të drejtpërdrejtë në veprimtarinë e tij, dhe nga ana tjetër të gjithë personat, të cilët me pëlqimin e tyre, regjistrohen në Regjistër, me qëllim që të mos jenë subjekt i komunikimeve tregtare të pakërkuara. Regjistrimi për individët në këtë regjistër do të jetë falas dhe do të mund të bëhet në disa kanale, të ofruara nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave.

Çdo subjekt tregtar, përpara se të përdorë të dhënat e marra nga regjistra publikë për ushtrimin e aktivitetit promocional, detyrohet të aksesojë Regjistrin me qëllim konsultimin e listës së personave të cilët kanë dhënë pëlqimin e tyre, për të mos pranuar komunikime tregtare të pakërkuara. Bizneset do të paguajnë tarifa të posaçme për regjistrimin dhe aksesin në regjistër, tarifa që do të përcaktohen me masa nënligjore.

Për subjektet që do të vazhdojnë të kryejnë telefonata marketingu në kundërshtim me ligjin, parashikohen gjoba deri në 1 milion lekë. Projektligji ndalon kryerjen e komunikimit tregtar të këtij lloji në fundjavë dhe gjatë ditëve të festive, ndërsa në ditët e tjera ky komunikim do të mund të kryhet vetëm brenda intervalit kohor, nga ora 9:00 deri në 19:00. Regjistri nuk do të jetë i hapur për publikun e gjerë, me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale të individëve të regjistruar në të dhe administrator i Regjistrit do të jetë Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Për komunikimet e pakërkuara ekzistojnë pjesërisht dispozita edhe në ligje të tjera, si ai për komunikimet elektronike, për tregtinë elektronike, apo për mbrojtjen e të dhënave personale. Por, standardet e rregullimit të komunikimeve tregtare të pakërkuara janë të fragmentuara dhe projektligji i propozuar, synon të zgjidhë këtë problematikë nëpërmjet krijimit të regjistrit të centralizuar të komunikimeve tregtare të pakërkuara.

Fillimisht, problemi i telefonatave të padëshiruara të marketingut u mendua të adresohej nëpërmjet një rregulloreje të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Por, pas konsultimeve, u vendos që për këtë çështje të hartohej një ligj i veçantë. /E.Shehu/MONITOR

Artikulli i mëparshëmIbra-Milan/ Zbulohet përfundimisht e ardhmja e gjigantit suedez
Artikulli i radhësSa u përdor interneti në pandemi, INSTAT: 20% për blerje, 95% e të rinjve rrinë online