Pas variantit “anglez”, “brazilian”, “afrikano-jugor”, “nigerian” dhe “kalifornian” të koronavirusit, duket se në “lojë” ka hyrë edhe ai “japonez”.
Mutacioni i proteinës spike E484k, i pagëzuar si “Eek”, duket se u shpëton antitrupave të gjeneruar nga një infeksion i mëparshëm Covid dhe gjithashtu vaksinave të zhvilluara deri më tani.
Lajmi vjen nga Tokio, ku 70% e pacientëve të shtruar në mars për Covid, në një nga spitalet kryesore në kryeqytet, “Tokyo Medical and Dental University Medical Hospital”, në të cilin u rendit virusi, ishin infektuar me këtë variant. Renditja është kryer në 14 pacientë; 10 ishin infektuar me virusin e mutacionit të ri.
Një variant, që duket se ka lindur në Japoni, duke pasur parasysh se askush nga njerëzit e prekur nuk kishte udhëtuar jashtë vendit ose kishte rënë në kontakt me dikë që kishte kaluar kufijtë kombëtarë (në rastet e tjera, pavarësisht emrave – nga ai “anglez” e tutje – është pothuajse e pamundur të përcaktohet me siguri se ku u krijua për herë të parë si variant).
Lajmi vjen gjatë një rritjeje të re të infeksioneve që ka prekur veçanërisht qytetin e Osakas dhe dy prefekturat e tjera të arkipelagut, Hyogo dhe Miyagi, ku kufizimet e ngjashme me ato të revokuara dy javë më parë në kryeqytet, kanë hyrë në fuqi sot.
Zbulimi i një varianti të ri, shqetëson gjithashtu, sepse Olimpiada duhet të mbahet në vendin aziatik në 23 korrik, e shtyrë vitin e kaluar pikërisht për shkak të shpërthimit të pandemisë (dhe këtë vit të kufizuar vetëm për spektatorët japonezë).
Sipas raporteve nga agjencia e lajmeve “Reuters”, variantet e përmendura për Japoninë, duket se janë më ngjitëse; është e paqartë, nëse ato janë më rezistente ndaj vaksinave. Në Japoni, vaksinimi në shkallë të gjerë i popullsisë ende nuk ka filluar ende.
Shifrat
“Që ka variante të Covid 19, nuk duhet të jetë për t’u habitur, – vlerësohet se mund të ketë 1200, nga të cilët, 400, janë nën vëzhgim – por jo se është një fakt tmerrues”, – komenton Fabrizio Pregliasco, virolog në Universitetin e Milanos dhe drejtor mjekësor i “Irccs Galeazzi Milano”.
“Ndërsa fushata e vaksinimit vazhdon dhe më shumë njerëz imunizohen, virusi do të përpiqet të krijojë të tjera mutacione, të afta për të shmangur vaksinat, por shumë do të jenë, nëse do ta themi, ‘të parëndësishme’.
Do të jetë sikur të qarkullojnë shumë Panda blu ose të kuqe ose të verdha. Ndryshime të parëndësishme. Sigurisht, nëse shfaqet një Panda 4X4, çështja bëhet më serioze. Por modifikimi i vaksinave për t’i bërë ato përsëri efektive, nuk do të jetë i vështirë dhe ne tashmë po e bëjmë atë”.
Përhapja
“Jo të gjitha variantet kanë të njëjtin kapacitet përhapjeje, – specifikon Sergio Abrignani, imunolog, profesor i Patologjisë së Përgjithshme në Universitetin Shtetëror të Milanos, Itali. – siç kemi parë atë ‘fitues’, që është ai anglez, por që tashmë njihet nga vaksinat në përdorim.
Sapo shumica e njerëzve të imunizohen kundër këtij varianti, të tjerët do ta marrin përsëri rrugën dhe për këtë arsye, ne do të duhet të mësohemi të vaksinohemi çdo vit, ose çdo dy vjet, me produkte të studiuara ‘ad hoc’. Por le të kujtojmë, se qëllimi kryesor i vaksinave, është të shmangin vdekjen nga Covid 19. Nëse sëmuremi, falë imunizimit, me simptoma të ngjashme si me ato të gripit, do të na lejojë të rimarrim jetën”.
Zbulimet
“Dhe zbulimi i varianteve të reja, mund të lexohet si një fakt pozitiv, – përfundon Pregliasco. – Kjo do të thotë, që ne jemi bërë më të mirë në kërkimet tona. Nëse i pari që u identifikua, ishte ai britanik, nuk do të thotë se ai “lindi” pikërisht atje, por që britanikët kanë qenë në gjendje të bëjnë një punë të shkëlqyeshme të sekuencave të virusit. Dhe njohja e armikut, është thelbësore për ta luftuar atë”.(SI)