Ekzekutimi i gazetarit George Karaivaz tronditi sot Greqinë. Ai ishte duke u kthyer në shtëpi pas një emisioni në televizionin “Star”, ku punonte, ndërsa u qëllua për vdekje disa metra pasi parkoi makinën.
Drejt tij u qëllua 17 herë me silenciator, ndërsa 5 plumba e kapën në kokë dhe zemër duke i marrë jetën në vend. Autorët u larguan me motor duke humbur gjurmët.
Disa nga qytetarët që ishin pranë vendit të ngjarjes rrëfyen për mediat greke vrasjen brutale. “Ata e qëlluan dhe pastaj u larguan. Unë parkova makinën, ishin tre punonjës komunalë në park që po pastronin, menjëherë shkova dhe i pyeta se çfarë ndodhi djema” tha një grua.
Një tjetër qytetar u shpreh se mendoi se ishte dikush që i kishte rënë të fikët, por “ndërsa shkova pashë gjakun. Ai ishte shtrirë në trotuar, ndoshta sapo kishte zbritur nga makina”. Të paktën katër persona thanë se dy vrasësit kishin veshur rroba të errëta por nuk i kishin mbuluar fytyrat.