Në kohën kur e tërë bota është në pritje të vaksinimit kundër COVID-19, kompani të ndryshme po e shfrytëzojnë këtë mungesë, duke bërë edhe oferta jo të zakonshme të udhëtimeve, duke ofruar në “pako” edhe vaksinën kundër coronavirusit.
Një e tillë është edhe një kompani turistike nga Turqia, e cila ka ofruar kohët e fundit udhëtime turistike për në Serbi, brenda të cilave, gjoja, pasi të keni vizituar pamjet kulturore të Beogradit, ju gjithashtu mund të merrni një vaksinë kundër coronavirusit.
Po sipas klix.ba, përcjell Telegrafi, në reklamën e agjencisë së udhëtimeve thuhet se shtetasit turq mund të hyjnë në Serbi pa vizë.
Përveç informacionit standard nga oferta në lidhje me akomodimin dhe aktivitetet turistike, thuhet se është e mundur të merrni dozën e parë të vaksinës PfizerBiontech në periudhën nga 23 në 25 prill, ndërsa rivaksinimi është planifikuar për periudhën nga 14 deri më 16 maj.
Dhe çmimi i “ofertës”, siç thuhet në reklamë, është 799 euro.
Sidoqoftë, vë në pah ky medium, në faqen zyrtare të Ambasadës Serbe në Ankara, që nga dje, thuhet se tani për tani nuk ka vaksinim të shtetasve të huaj në Serbi.
“Ambasada dëshiron të informojë të gjithë shtetasit e huaj (pa leje qëndrimi në Serbi) se shtetasit e huaj nuk mund të vaksinohen në Republikën e Serbisë. Republika e Serbisë aktualisht është e përqendruar në vaksinimin e shtetasve të saj, dhe si më parë, ne do të vazhdojmë të ndihmoni të gjithë miqtë tanë. Bazuar në një numër të madh të aplikacioneve, ne informojmë qytetarët e huaj që kanë shprehur interes për vaksinimin në Serbi përmes e-Qeverisjes, që pa marrë një telefonatë dhe konfirmim me datën dhe vendin e vaksinimit nuk duhet të vijnë në pikat e kontrollit vetëm sepse nuk do të pranohen”, citohet të ketë thënë ambasada serbe në Turqi në një deklaratë.
“Nëse në periudhën e ardhshme ekziston mundësia e vaksinimit të shtetasve të huaj pa vendbanim të regjistruar në Serbi”, thonë ata, “publiku do të informohet”.