Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule e gjykon pozitivisht ecurinë e angazhimit opozitar në fushatën për zgjedhjet e 25 prillit.
Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Dule shprehet se duke u bazuar tek entuziazmi i qytetarëve, 25 prilli do të jetë një ditë vendimtare për Shqipërinë.
“Është një fushatë interesante, e një natyre të ndryshme nga ajo që ne ishim mësuar nga vitet e shkuara. Kontakti është i drejtpërdrejtë. Komunikimi me qytetarin është i sinqertë dhe nuk mund të shmangë përgjegjësitë për atë që s’ka ndodhur, jemi duke përjetuar momente politike të paprecedenta pozitivisht. Edhe rezultati do të jetë i tillë. Jemi të surprizuar këndshëm. Jo se nuk e prisnim një motivim të tillë, por është një fakt i prekshëm: ora e ndryshimit të fillojë sa më parë që të jetë e mundur. Kjo është e konstatueshme edhe prej jush.”
Sa i përket variantit të fletës së votimit me numra, sipas tij, ky model do të shkaktojë konfuzion.
“Do të dëshironim të ishim me emra. Në mënyrë sistematike dhe të njëanshme, mazhoranca po synon të kemi një proces të verbër. Nuk e ndihmon procesin për një demokraci përfaqësuese. Për rrjedhojë, e konsiderojmë negative këtë zhvillim. Të gjithë kemi nevojë për preferencën e zgjedhësve…Kur bëhet fjalë për Ramën, gjithmonë ka shmangur debatin. Nuk do të ketë opozitë në Parlament, do të shkojë në zgjedhje pa debatuar me sfidantin e tij Basha. Kjo është një dëshmi e faktit që PS vjen në këto zgjedhje si një kostum bosh, pa program.”