Tregu financiar jo bankar shënoi rritje të ngadaltë vitin e kaluar

0

Tregu financiar jobankar u rrit me ritme të ngadalta gjatë vitit 2020. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se aktivet e këtij tregu në fund të vitit kishin vlerën e afërsisht 181 miliardë lekëve ose rreh 1.5 miliardë eurove.

Krahasuar me fundin e vitit 2019, tregu financiar jobankar është rritur me vetëm 1.6%, nga rreth 7% që ishte rritja e tregut bankar. Një vit më parë, për 2019, tregu financiar jobankar ishte rritur me ritme dyshifrore, në masën 11.3%. Ngadalësimi i rritjes vitin e kaluar tregon se efekti i krizës për këtë treg ka qenë më i prekshëm, ndryshe nga sa ndodhi me bankat. Tregu financiar jobankar përfshin institucionet financiare jobanka, kompanitë e sigurimit, fondet e pensionit, fondet e investimit dhe ndihmësit e tjerë financiarë. Peshën kryesore brenda këtij tregu e zënë fondet e investimeve, të ndjekura nga kompanitë e sigurimeve dhe nga institucionet financiare jobanka.

Kjo ndarje përcakton në një masë të madhe edhe strukturën e aseteve të tregut financiar jobankar. Peshën kryesore e përbëjnë letrat me vlerë, që në fund të vitit 2020 kishin vlerën e 66.7 miliardë lekëve ose sa rreth 37% e totalit të aktiveve të sektorit financiar jobankar. Vitin e kaluar investimet në letra me vlerë të sektorit u rritën me rreth 4.4%. Investimet në letra me vlerë janë dominuese kryesisht për fondet e investimit dhe të pensioneve, që nuk ka shumë alternativa të tjera, sidomos në monedhën vendase. Fondet e investimit vitin e kaluar mbyllën një vit në stanjacion, ndërsa kontributin kryesor besohet se e kanë dhënë fondet e pensionit që, ndonëse kanë përmasa të vogla, vijuan rritjen pozitive vjetore, me rreth 24%.

Huatë janë zëri i dytë për nga pesha në bilancin e institucioneve financiare jobanka, me 38.2 miliardë lekë ose rreth 21% e aktiveve totale. Për vitin e kaluar, huatë e dhëna nga aktorët e tregut financiar jobankar pësuan në rënie me 1.7% krahasuar me një vit më parë. Kjo është hera e parë që prej vitit 2015 që portofoli i kredisë dhënë nga institucionet financiare jobanka e mbyll vitin me rënie. Në pjesën dërrmuese, portofoli i huasë i përket institucioneve të mikrofinancës

Nëse huadhënia nga sektori bankar vijoi me ritme të kënaqshme, mikrofinanca e vuajti më shumë krizën, për shkak të problemeve të përkohshme me likuiditetin, por edhe për shkak të rënies së kërkesës.

Elementi i tretë më i rëndësishëm në strukturën e aseteve të tregut jobankar janë depozitat dhe vendosjet në banka, me një vlerë prej rreth 33 miliardë lekësh ose rreth 18% e aktiveve. Depozitat i takojnë kryesisht kompanive të sigurimit, që i mbajnë kryesisht fondet e tyre në formë likuide, për shkak të natyrës së aktivitetit të tyre, si edhe në një pjesë më të vogël fondeve të investimit dhe institucioneve të tjera financiare. Fondet e mbajtura në banka vitin e kaluar u rritën me pothuajse 14%. / E.Shehu/MONITOR

Artikulli i mëparshëmTre kompani rifillojnë fluturimet Tiranë – Londër
Artikulli i radhësPas Brexit vjen Dexit/ Opozita Gjermane nis fushatën për dalë nga BE