Yuri Kim kërcënon politikën/ Do të ketë emra të rinj “non grata” për SHBA,

0
Yuri Kim kërcënon politikën, paralajmëron emra të rinj

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka paralajmëruar edhe një herë dje krerët e partive politike dhe armiqtë e reformës në drejtësi. Në një intervistë për RTSH, ajo u ndal te procesi zgjedhor, ndërsa deklaroi se në lista ka ende emra shumë problematikë. Ajo u shpreh se vetë zyrtari i DASH Matthew Palmer ua bëri të qartë krerëve të partive se kush nuk duhet të jetë aty. Nga ana tjetër ajo tha se DASH ka marrë në dorë dosjet për emrat e shpallur “non grata”. Kim kërkoi nga shqiptarët që të mos votojnë kriminelët, ndërsa sulmoi Tom Doshin. Po ashtu ajo tha se po shqyrtohen disa mënyra për të ndërhyrë nëse preken zgjedhjet, duke paralajmëruar se mund të kemi emra të tjerë “non grata”.

-Kur takoheni me drejtues politikë siç ndodhi në Elbasan apo qytete të tjera, çfarë ju thonë?

Më thonë se zgjedhjet janë të rëndësishme për ta. Që po punojnë fort. Dhe pastaj më tregojnë për shqetësimet që kanë për palën tjetër dhe iu them se duhet të merren me veten në fillim dhe pastaj të lejojnë ekspertët të merren me të tjerët. Kam ndjesinë se njerëzit e morën seriozisht – me njerëzit kam parasysh partitë politike – morën në konsideratë këshillat që iu kemi dhënë për rëndësinë e kandidatëve të pastër dhe, sinqerisht, kriminelët më të dukshëm nuk janë përfshirë por, a ka emra shqetësues? Po, ka.

-Mund t’i përmendim?

Zëvendës ndihmës sekretari Matt Palmer ishte këtu virtualisht javën e kaluar dhe bëri të qartë që ka emra që përbëjnë shqetësim. Ata e dinë kush janë. Drejtuesit politikë e dinë kush janë. Ne i kemi shprehur mendimet. Në fund, ka një proces. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i shohë dhe tani kanë referuar 30 emra tek prokurorët për informacion shtesë dhe, në varësi të asaj që do të dalë në fund në fletën e votimit, votuesit do të kenë mundësinë këtë radhë sepse është listë e hapur, për të vendosur se kush duhet t’i përfaqësojë. Ju pyetët për emra. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për 3 emra. Nuk e bëjmë lehtë këtë; merr vite të tëra kërkim; një pjesë e informacionit është në dispozicion dhe të gjithë e dinë; një pjesë e informacionit është e klasifikuar dhe nuk mund ta diskutoj, por mund të them që është shumë serioz dhe Sekretari i Shtetit nuk e vendos emrin e tij/saj lehtë në këto përcaktime që bën.

-Kur flisni për emrat, dhe informacionin në dispozicion, pyetja është: Ky informacion – një pyetje retorike kjo – është në dispozicion të prokurorëve apo SPAK-ut apo ligjzbatuesve të tjerë?

Mendoj që informacioni është gjerësisht në dispozicion.

-Çfarë mungon?

Ajo që mungon është – të jem e ndershme – ajo që mungon është kurajo. Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajo. Mendoj se duhet të shohim më shumë. Kam besim që investimi i Amerikës tek reforma në drejtësi, tek SPAK, do t’ia vlejë por ky është një moment i vështirë. Siç e them shpesh, reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate. SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor dhe deri tani kanë raportuar se kanë bërë 588 ndjekje penale, kanë konfiskuar pasuri me vlerë 70 milionë euro. Kanë hetuar 746 individë. Kanë dërguar shumë prej tyre në gjykatë dhe 114 janë dënuar deri më sot.

-Do të kthehemi tek reforma në drejtësi dhe rezultatet. Dua të marr pak minuta të tjera për zgjedhjet. Shqipëria ka një nga ligjet më të ashpra të dekriminalizimit, por ka opinioned he përpjekje, përfshi deputetë nga kjo legjislaturë, që ligji duhet amenduar që të përfshijë persona që kanë kryer dënime në vende si Zvicra, Kosova, për të mos përmendur listën e zezë të SHBA.

Ka mjaft boshllëqe dhe mendoj se votuesit shqiptarë janë të mençur. E dinë se kush bën çfarë. Kur kërkoni ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ju kemi treguar qartë se kush nuk duhet të jetë në parlament, kush nuk duhet t’ju përfaqësojë. Ky person është dikush të cilit i ndalohet të hyjë në Shtetet e Bashkuara, në të gjithë vendin, nga Sekretari i Shtetit, për korrupsion madhor, ndaj mendoj që kjo ka më shumë peshë se çfarëdo fatura dyqanesh që paguan, çfarëdo fature spitali që ka paguar. Fakti që vjen në dasmën e vajzës tënde nuk do të thotë se është njeri i mirë. Dakord? Ndaj, mendoj se votuesit duhet ta mendojnë këtë. Duhet të vrasin mendjen, kur kriminelët dhe të tjerët vijnë tek ata për t’iu blerë votat… Pse i quaj kriminelë? Sepse përpjekja për të blerë vota është një krim ndaj jeni një kriminel. Nëse përpiqeni të bleni një vote, jeni një kriminel. Për votuesit, duhet të vendosin. Do ta shes pushtetin që kam? Do ta shes dinjitetin? Do ta shes të ardhmen e fëmijëve? Mendoj se përgjigja duhet të jetë: Jo. Nëse dikush s’ka bërë asgjë për ty përveç gjërave të tmerrshme, duke vjedhur nga publiku për 4 vjet apo sado gjatë dhe pastaj para zgjedhjeve vjen dhe paguan faturat e tua ose të jep një iPhone të përdorur, e dini, ju vleni më shumë se kaq. Shqipëria vlen më shumë se aq. Fëmijët e Shqipërisë vlejnë më shumë se aq prandaj ky është një çast i vërtetë. Mos e merrni lehtë; mos shisni votën; mos u përpiqni të bleni një vote dhe nëse e bleni, duhet të shkoni në burg dhe shpresoj se prokurorët kudo në vend do t’i marrin detyrat e tyre seriozisht. E di që ka shumë ankesa nga zgjedhjet e fundit, që njerëzit që qartësisht kryen krime nuk u ndoqën penalisht. Nuk mendoj se duhet të ndodhë edhe këtë herë. Kjo është një situatë ku mendoj se njerëzit kanë të drejtë të jenë të inatosur; kanë të drejtë të jenë të pakënaqur; dhe kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe të kërkojnë llogari.

-Ajo që përmendët është që kemi persona që qartësisht nuk e nderojnë emrin e Shqipërisë duke qenë në parlament dhe nëse flasim për një trekëndësh – kemi institucione apo prokurorë të ndrojtur, udhëheqës politikë që nuk kanë kurajë dhe duket se shpresa juaj e fundit më e mirë janë votuesit shqiptarë?

Votuesit shqiptarë janë shpresa e parë më e mirë. Kjo është baza e çdo demokracie, votuesit. Ndaj mendoj që njerëzit i kanë bombarduar të besojnë se nuk kanë pushtet. Fakti që dikush përpiqet të blejë votën tënde duhet të tregojë se nuk jeni pa pushtet. Ky është pushteti juaj. Vota jote është pushteti yt. Shqiptarët që takoj kudo në vend më thonë se iu ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni; iu ka ardhur në majë të hundës nga pandëshkueshmëria; iu ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët që ulen në parlament. Epo, ky është momenti. Ma tregoni me veprime, tregojeni me veprimet tuaja se e keni seriozisht. Nuk mund të ndodhë që më kërkoni opinionin tim si Shtetet e Bashkuara, unë jua jap dhe pastaj ju vazhdoni të bëni të njëjtën gjë. Nëse doni ndryshim, votoni për ndryshim. Nëse doni kriminelë, votoni për kriminelë. Por ajo që bëni duhet të përputhet me atë që thoni se doni. Dhe 25 prilli është momenti.

-A do të veprojë SHBA si arbitër nëse ka mosmarrëveshje lidhur me zgjedhjet?

Mendoj se është mënyra e gabuar e të menduarit. Mendoj se nuk është ky roli ynë. Nëse po pyesni, a e vrasim mendjen për çfarë ndodh? Po, e vrasim mendjen. A kemi një kandidat të preferuar? Jo, nuk kemi. Nuk është ky pozicioni i Shteteve të Bashkuara. Ajo për të cilën vrasim mendjen janë institucionet dhe proceset. Dhe, prandaj nuk flas për këtë kandidat apo atë kandidat, këtë apo atë parti, por flas për rëndësinë, rëndësinë kritike që ka që të sigurohemi që rregullat dhe proceset janë të ndershme, janë transparente, që fusha e lojës është e njëjtë për të gjithë, dhe që rregullat të zbatohen edhe në kohë, që të gjithë të kenë të njëjtat shanse. Kjo është ajo për të cilën kemi interes.

-Pyetja e fundit. Thatë, ‘ritheksoj se do t’i kërkojmë llogari udhëheqësve. Do të ndërmarrim veprimet e duhura në përgjigje të atyre që pranojnë apo nxisin dhunë, pranojnë apo nxisin shkeljen e ligjeve zgjedhore dhe standardeve ndërkombëtare, dhe që përndryshe përpiqen të minojnë integritetin dhe besimin tek procesi zgjedhor dhe rezultatet e tij.’ A keni një plan në tryezë?

Mendoj që kemi disa opsione por nuk i diskutoj në publik. Mendoj që njerëzit e kuptojnë që për Shtetet e Bashkuara, kjo është diçka serioze dhe mendoj që Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë shumë shumë të qartë rëndësinë qëndrore të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, dhe forcimit të demokracisë kudo në botë. Dhe nuk e bëjmë sepse mendojmë se është diçka e këndshme, nuk është bamirësi. E bëjmë sepse është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara që të kenë aleatë që janë të fortë, të aftë, dhe të begatë. Duam të sigurohemi që Shqipëria si aleate e NATO-s është maksimalisht e fortë, sepse ne besojmë tek ju ashtu si ju besoni tek ne; kjo është ajo që mendoj teksa shohim këtë 30-vjetor por edhe teksa ecim drejt zgjedhjeve. Është koha për të vendosur se çfarë vendi do të jetë Shqipëria.

-Zonja ambasadore, kur flasim për reformën në drejtësi, ju keni thënë se të kërkosh përsosmëri është një mënyrë për të frenuar përparimin. Mund ta shpjegoni pak se çfarë doni të thoni dhe se si kjo frazë lidhet me reformën në drejtësi?

Kemi një thënie në Amerikë, “mos lejo të përsosurën të bëhet armike e së mires,” dhe ajo që duam të themi është se ndonjëherë, kur kërkon përsosmëri, është një mënyrë për të frenuar ecjen përpara. Kur ndërton një shtëpi, është si të thuash që duhet shkatërruar se perdet janë më të shkurtra se sa duhet. Pra, kërkesa për përsosmëri mund të të pengojë rrugën. Në lidhje me reformën në drejtësi, e them dhe e rithem, mos ia vini veshin propagandës. Kërkesa për përsosmëri është propagandë, apo jo? Ia vini veshin fakteve. Çfarë është e ndryshme sot nga ku ishte vendi, nga ku ishte sistemi i drejtësisë një vit më parë, 2 vjet më parë, 3 vjet më parë dhe ndërton rrugën përpara bazuar në atë përparim. Më herët në program, ju përmenda numrin e ndjekjeve penale, sasinë e aseteve të sekuestruara, numrin e njerëzve që futen në burg. Ato shifra do të rriten ngadalë dhe po kështu do ndryshojë edhe lloji i individëve që do të japin llogari, pak nga pak. Edhe një herë, nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur, por e sigurt që shohim përparim dhe mendoj njerëzve nuk duhet t’i shpëtojë nga sytë përparimi apo synimi fundor dhe duhet të vazhdojnë të kërkojnë më shumë. Mos hiqni dorë, nuk është momenti për të hequr dorë.

-Kur flisni për reformën në drejtësi, përmendët përparimin dhe keni thënë se ka mjaft përparim për të alarmuar ata që nuk e duan…

…e saktë …

-…por jo mjaft sa shqiptarët të ndjejnë se ka drejtësi. Kur mendoni do vijë koha kur shprehja “të gjithë të barabartë para ligjit” nuk është veç një parrullë?

Mendoj se jemi në atë pikën e majës këtu, ndaj përmenda se është mjaft sa për të trembur kundërshtarët por jo mjaft sa për të kënaqur ata që duan drejtësi të plotë. Nuk e di nëse mund ta identifikoj saktë…

-Folëm deri tani për atë që mund ta përmbledhësh me një fjalë, demokracinë – zgjedhjet, sundimi i ligjit, reforma nëd rejtësi. Le të flasim pak për mbrojtjen dhe po i kërkoj regjisë të tregojë një foto, Defender 21. Fotoja është në Rinas, tek Aeroporti Nënë Tereza, dhe pyetja është, ‘Cili është mesazhi i stërvitjes më të madhe ushtarake në rajon?’

Mendoj që tregon se Shtetet e Bashkuara janë serioze. Kur themi se do të forcojmë marrëdhëniet me miqtë dhe aleatët tanë, se kemi në plan të mbetemi aleanca ushtarake, forca ushtarake më e pashoqe në botë, për ta bërë këtë, duhet të stërvitesh, të praktikohesh dhe kjo është një nga ato ngjarje ku do të provojmë sa shpejt dhe efektshëm mund të sjellim trupa dhe pajisje nga e gjithë bota në Europë, sa shpejt dhe efektshëm mund t’i lëvizim ato drejt Detit të Zi dhe në fund të sigurojmë që, nëse ndonjëherë do të bëhet e nevojshme për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, që do të fitonim në çdo konfrontim ushtarak. Ky është synimi dhe zgjodhëm ta bëjmë këtë në Shqipëri sepse, e para, kushdo që sheh hartën do kuptojë rëndësinë gjeostrategjike të Shqipërisë. Mendoj edhe se ky është çasti i duhur për të ecur përpara në këto tre drejtime: demokraci, mbrojtje, biznes. E përsëris prapë, këto tre gjëra janë të lidhura, nuk janë të pavarura ndaj e presim me kënaqësi atë. Do të jenë deri në 6,000 trupa që do të vijnë. Koj do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme që do të kontribuojnë trupa dhe pajisje dhe besoj se stërvitjet do të zhvillohen në rreth 30 pika të ndryshme nëpër 12 vende në Europën Qendrore dhe Ballkanin Perëndimor. Domethënë do të jetë diçka e madhe. Ka qenë e planifikuar shumë kohë përpara se të caktohej data e zgjedhjeve në Shqipëri ndaj nuk dua të ketë ndonjë konfuzion për këtë. Ka qenë…

Artikulli i mëparshëmShtohen tensionet/ Marina ruse nis befas një operacion masiv ushtarak në Detin e Zi. Ja çfarë po ndodh!
Artikulli i radhës“Po jepen shuma marramendëse”/ Mesila Doda plas deklaratën e fortë: Kjo parti po blen votat!