‘Do e ngremë prej leckash’/ Skandalet e patronazhistëve

0
‘Është me pampersa, do e ngremë prej leckash’/ Skandalet e patronazhistëve

Skandali i të dhënave që ka shpërthyer në Shqipëri do të kishte sjellë tërmet politik në çdo vend tjetër normal. Asnjë qeveri normale nuk do të kishte rezistuar ndaj këtij tërmeti, por nuk ndodh kështu në Shqipëri.

Të dhënat kanë nisur të shpërndahen masivisht dhe njerëzit kanë nisur të shohin jo vetëm se si iu janë vjedhur të dhënat, por edhe se çfarë preferencash politike iu janë caktuar. Për më tepër, në disa raste janë bërë edhe komente nga më të rëndat për qytetarë të ndryshëm.

“Ndoshta nuk vjen, është me pampersa, por do e ngremë prej leckash,” thuhet në një koment viral.

BIRN ka sjellë edhe të tjera komente.

Në njërën prej kolonave të databazës të emërtuar “koment”, patronazhistët kanë lënë shënime të ndryshme: njëri shkruan se ka kontaktuar një votues dhe ai i ka kushtëzuar votën me një vend pune për gruan (një vepër penale kjo e dyfishtë: nga ana e qytetarit dhe nga ana e patronazherit që nuk e ka denoncuar krimin).

Një tjetër se i ka kërkuar legalizimin e pallatit. Në një tjetër është shënuar: Punon për xxx, eksponent i LSI. Apo akoma më tutje, “përfituese në legalizim”. Dhe akoma më tutje: “nuk ka votuar. As faleminderit nuk tha që mori hipotekën e shtëpisë”. Apo: “babai, anëtar organizate PD”.

Në një rast tjetër, një socialist pyet një punonjës të bashkisë Tiranë për votën dhe shënon në databazë se punonjësi i është përgjigjur se ‘vota është sekrete’. Në një tjetër shkruhet: “Nul votojn jehovaj”, apo “myslimane ekstremist, nuk vijnë te votojnë, nuk ua lejon feja.” Ose: “të pakënaqur”.

Të gjitha të dhënat personale që shkelin sekretin e votës gjenden aty. Njerëzit janë identifikuar nëse kanë votuar këtë apo atë parti më 2013 dhe nëse kanë marrë apo jo pjesë në votime më 2019. Pjesëmarrja ose jo në votimet e vitit 2019, dukshëm shërben si referencë për të vlerësuar qytetarin si votues ose jo të PS. Edhe vëzhgimi i rrjeteve sociale nuk është lënë pas dore, Në një rast, një patronazhist shkruan: “nga hetimi në Facebook, mund të jetë votues i PS.” Ose në një tjetër: “referuar fillimisht si PDIU. Të mbahet në monitorim”.

Patronazherët kanë hyrë deri në të dhënat më private të mundshme të qytetarëve duke u informuar edhe për sherret brenda familjes. Në një votues është shënuar: “djali i xhajës së xxx, por nuk flasin”. Në një tjetër: “mamaja e xxx, punësuar në bashki”. Patronazherët kanë krijuar profil votuesi edhe për të punësuar të tillë sensitivë si ushtarakët apo policët.

Databaza tregon gjithashtu se Partia Socialiste ka marrë nën kontroll segmente të tjera të shtetit dhe se shumë nga institucionet e pavarura janë të kapur nga militantë socialistë. Një drejtor në INSTAT rezulton referues të dhënash personale për partinë.

Në një rast tjetër, një votues i identifikuar si pronar biznesi mban shënimin: “Do kontaktohet për punonjësit”.

Image
Artikulli i mëparshëmCovid i merr jetën ish-futbollistit të njohur (EMRI)
Artikulli i radhësGazetares së njohur i vjedhin… / Arjan Çani thirrje publike: Dikush ta ndihmojë, sepse është gjithë jeta e saj!