Bankat shtrënguan standardet e kreditimit të individëve në tremujorin e parë të këtij viti, ndërsa vazhdojnë të ndjekin një politikë më lehtësuese në ofertën ndaj individëve.
Vrojtimi i aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë tregoi se standarde të shtrënguara kreditimi u aplikuan si mbi kreditë për biznesin e vogël e të mesëm, ashtu edhe për biznesin e madh, për të dyja llojet e përdorimit të kredisë: atë me qëllim financimin e investimeve dhe atë në mbulimin e nevojave për likuiditet.
Zgjatja e periudhës së pandemisë, së bashku me pasiguritë rreth saj, ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit. Sipas bankave, shtrëngimi i standardeve të kreditimit për bizneset në tremujorin e parë të vitit u ndikua nga perceptimi mbi rrezikun lidhur me situatën ekonomike e perspektivën për të, si edhe mbi aftësinë paguese dhe me gjendjen aktuale të bizneseve.
Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut vijoi të raportohej si faktor që luajti rol në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për bizneset.
Shtrëngimi i kushteve e termave të përgjithshëm të kreditimit u bë nëpërmjet aplikimit të marzheve më të larta mbi kreditë me rrezik, por edhe nga komponentët joçmim, nëpërmjet reduktimit të madhësisë së kredisë dhe kushtëzimeve më të larta në marrëveshjet e kredive.
Për tremujorin e dytë të vitit 2021, standardet e kreditimit për bizneset priten të mbeten thuajse të
pandryshuara. Bankat gjykojnë të aplikojnë standarde të njëjta kreditimi mbi kreditë për bizneset e mëdha, si edhe për të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë: atë për investime dhe për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Një lehtësim pritet vetëm standardet e kreditimit për bizneset e vogla e të mesme.
Për sa i takon individëve, standardet e kreditimit vijuan lehtësimin në tremujorin e parë vitit 2021. Sipas bankave, lehtësimi i standardeve u aplikua si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato për blerjen e banesave.
Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan si pasojë e shtimit të konkurrencës në sistemin bankar, perceptimit të bankave për rrezik më të ulët lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe nga toleranca më e lartë ndaj rrezikut për kreditë dhënë individëve këtë tremujor. Lehtësimi i përgjithshëm i kushteve të kreditimit u arrit kryesisht nëpërmjet lehtësimit të kushteve joçmim.
Në këtë të fundit ndikuan shtimi i madhësisë së kredisë, kërkesat më të ulëta për kolateral në raport me kredinë e marrë, si edhe zgjatja e maturitetit maksimal të kredisë. Në tremujorin e dytë të vitit 2021, bankat presin t’i lehtësojnë më tej standardet e kreditimit të individëve, veçanërisht në kreditë konsumatore./MONITOR