Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim online më presidentin e PPE, Donald Tusk dhe përfaqësues të lartë të PPE. Donald Tusk theksoi se zgjedhjet e 25 prillit janë vendimtare për vendin, ndërsa u shpreh besimplotë se kryedemokrati do të realizojë integrimin e vendit në BE.
Nga ana tjetër kreu i PD-së Lulzim Basha, falenderoi Donald Tusk për mbështetjen, ndërsa shtoi se Partia Demokratike është e angazhuar për të hapur rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe se dëshirën e shqiptarëve për ndryshim nuk mund ta ndalë asgjë.
“Eshtë një përgjegjësi e madhe për Partinë Demokratike dhe për mua nesër të jem në krye të popullit më pro-europian në botë dhe të jem pjesë e një familjeje politike që dominon sot Bashkimin Europian. Unë e di që kemi shumë punë për të bërë sëbashku për t’i kthyer në suksese sfidat më të cilat po përballemi.
Kështu punuam për liberalizimin e vizave, një proces shumë kompleks siç e dini shumë mirë pasi nënkryetari e theksoi gjatë bisedës time të fundit me të, se kishte shumë skepticizëm nga vendet anëtare por ne e bëmë atë realitet. Së bashku ne e bëmë atë të të mundur ashtu siç bëmë edhe me anëtarësimin në NATO.
Shqiptarët sot e dinë se… pa Europën ne nuk mund të ndërtojmë një ekonomi më të fortë. Dhe unë shpresoj dhe jam mirënjohës për mbështetjen e familjes sonë politike, për mbështetjen tuaj, për mbështetjen e të gjithë miqve tanë të dashur, për mbështetjen e vendeve anëtare për ta realizuar atë që presin sot shqiptarët, për të hapur negociatat në njëqind ditët e para të qeverisë tonë”, tha Basha.