Eksportet rriten me 22% për tremujorin, dhe kapërcejnë nivelet e parakrizës/ Tekstilet e këpucët me rrënie

0

Marsi 2020 ishte muaji i parë ku ekonomia vendase u përball me pasojat e karantinës së brendshme dhe europiane, ndërsa eksportuesit vuajtën ndërprerjen e menjëhershme të porosive nga partnerët e tyre.

Më të goditurat në mars 2020 ishin “tekstilet e këpucët”, “Minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “Mat. Ndërtimi, metale”, që u tkurrën nga 41-50% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.

Një vit më pas, në mars 2021, situata me eksportet është shumë më e përmirësuar.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në mars 2021, eksportet u rritën me 78.6% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë. Edhe në raport me marsin 2019, kur ishte një vit normal, rritja është e fortë me 14%, duke sinjalizuar një ecuri të mirë të pothuajse të gjitha grupeve, me përjashtim të tekstileve e këpucëve, që mbeten poshtë niveleve të parakrizës.

Përmirësimi i ndjeshëm i marsit, ka bërë që për tremujorin eksportet të rriten me 22%, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2020-s, ndërsa për 2 mujorin e parë, tendenca kishte qenë me një rënie të lehtë prej 1%.

Në krahasim me tremujorin e parë 2019, kur ekonomia ishte në një situatë normale, eksportet janë sërish 11% më të larta.

Tekstilet e këpucët ende në vështirësi, 12% më pak se 2019-a

Grupi kryesor i eksporteve, ai i tekstile e këpucë, nuk ka arritur të marrë veten dhe vijon të jetë në një situatë të vështirë, sidomos prodhuesit e këpucëve. Në mars 2021, ky grup u rrit me 70% në krahasim me të njëjtin muaj 2020, kur eksportet u përgjysmuan për shkak të pandemisë.

Për tre mujorin, grupi është me një rritje prej 6.2%, me bazë vjetore.

Por, sektori nuk është kthyer ende në nivelet e parakrizës. Në raport me tremujorin 2019, kur sektori po shënonte një ecuri pozitive, eksportet janë 12% më të ulëta.

Fasoneria po ecën më keq se parashikimet në fillim të vitit kur rikuperimi pritej të ndodhte në 6-mujorin e dytë. Bizneset e sektorit presin të nisin rimëkëmbjen në muajin tetor, nëse vaksinohet 60% e popullsisë së Europës, ndërsa niveli i vitit 2019 do të arrihet në vitin 2023 ose më vonë.

Kryetari i Shoqatës Pro-Eksport Albania, Edvin Prençe tha për Monitor se ecuria e sektorit në muajin Mars ishte negative dhe po përshkallëzohet me rënie akoma më të rëndë në Prill. “Faktor kryesor është mbyllja akoma e vendeve europiane. Për periudhën mars-prill parashikojmë trendin e rënies me 70% në krahasim me të njëjtën periudhë me vitin 2019 dhe rreth 55% në krahasim me 2020. Rënia e kërkesës për prodhim automatikisht çon në mbylljen e një pjesë të linjave prodhuese me një mesatare prej 200 vende pune në javë që mbyllen.

Parashikojmë përmirësim të situatës në muajin Maj, në rast hapje të vendeve europiane. Mungesa e likuiditetit të bizneseve, për investime në diversifikim, modernizim të impianteve prodhuese na bën të lodhur për të përfituar nga kërkesat e momentit në prodhimin e materialeve Anti Covid-19.”

Fabrikat e këpucëve dhe veshjeve pritet të nxjerrin të papunë rreth 20 mijë persona në 6-mujorin e parë të vitit, si pasojë e thellimit të mëtejshëm të krizës. Përllogaritjet i bëri Shoqata e Fasonëve “Pro-Eksport”, e cila grumbulloi të dhënat nga fabrikat, shumica e të cilave kanë pësuar rënie të porosive me mbi 70%.

Florjan Zekja, i cili zotëron një fabrikë veshjesh, tha se masat kufizuese në BE kanë ndikuar negativisht kërkesën për veshje pune. Shumë fabrika në vendin tonë qepin veshje pune me porosi për kompanitë e mëdha europiane. Ky shërbim, që nuk kërkon kualifikim të lartë dhe ka një ofertë të sigurt, ishte i përhapur në fabrikat tona, por tani masat kufizuese në BE kanë ulur aktivitetin ekonomik dhe për pasojë edhe porositë për veshjet e punës.

Grupet e tjera rikuperojnë pas krizës

Grupi me ecurinë më të mirë është “Mat. Ndërtimi, metale”, që është rritur me 64% për 3 mujorin, ndërsa në raport me janar-mars 2019 shifrat janë 32% më të larta. Rimëkëmbja e këtij sektori filloi që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, ndërsa Kurum, prodhuesi më i madh zgjeroi edhe tregun rajonal në Serbi, krahas kërkesës që u rrit nga shtetet e tjera fqinjë.

Mineralet dhe lëndët djegëse shënuan rritje 39%. për tre mujorin. Krahas përmirësimit të aktivitetit të prodhuesit kryesor të naftës Bankers Petroleum në mars, ndikim pozitiv dhanë dhe eksportet e energjisë pas rritjes së prodhimit nga moti i favorshëm.

Ushqimet pijet dhe duhani kanë vijuar tendencën e tyre pozitive, duke shënuar një rritje prej 26% në janar-mars me bazë vjetore. Ky është dhe grupi që ishte më pak i ndikuar nga kriza pandemike.

Me tendencë pozitive ishin dhe Mak., pajisje, pjesë këmbimi (+4.8 % për 3 mujorin), që ka shënuar ecuri pozitive muajt e fundit pas rritjes së numrit të fabrikave që montojnë pjesë këmbimi për sipërmarrjet e mëdha të automjeteve. Megjithatë, ritmet e rritjes së tij u ngadalësuan në mars.

Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +6,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +2,4 pikë përqindje. Në uljen vjetore të eksporteve ka ndikuar grupi: “Prodhime druri dhe letre” me -0,6 pikë përqindje.

Rritet deficiti tregtar

Importet në muajin Mars 2021 u rritën me 24,3 %, krahasuar me mesataren mujore të muajve mars për periudhën 2018-2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 33 miliard lekë, duke u rritur me 23,4 %, krahasuar me Mars 2020 dhe me 19,3 %, në krahasim me Shkurt 2021.

Deficiti tregtar në muajin Mars 2021 u rrit me 18,5 %, krahasuar me mesataren mujore të muajve mars për periudhën 2018-2020.

Në tremujorin e parë 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 80 miliard lekë, duke u rritur me 21,9 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 162 miliard lekë, duke u rritur me 17,5 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 82 miliard lekë, duke u rritur me 13,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Në muajin Mars 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2020 janë: Italia (83,7 %), Kosova (92,8 %) dhe Gjermania (85,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Ukraina (30,1 %), Francë (44,7 %) dhe Japonia (49,0 %).

 Rikthehet Italia, me rënie Spanja

Gjatë këtij tremujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (16,4 %), Kosova (35,5 %) dhe Greqia (53,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Spanja (15,6 %), Mbretëria e Bashkuar (27,2 %) dhe Ukraina (14,9 %).

Në muajin Mars 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Mars 2020 janë: Italia (63,4 %), Turqia (118,5 %) dhe Kina (95,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Gjermania (20,2 %), Zvicra (23,3 %) dhe Rusia (53,9 %).

Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (27,2 %), Turqia (36,9 %) dhe Kina (31,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania (5,4 %), Zvicra (11,9 %) dhe Rusia (51,7 %).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 63,7 %, të gjithë tregtisë. Në Mars 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,0 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 58,7 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,1 %), Turqia (8,1 %), Greqia (7,6 %) dhe Gjermania (7,0 %).

Shkëmbimet tregtare, për tremujorin e parë 2021, me vendet e BE zënë 63,5 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Mars 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,4 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,5 %), Turqia (7,6 %), Greqia (7,4 %) dhe Kina (7,0 %).

Artikulli i mëparshëm60 shtetet që po mirëpresin turistët duke hapur tashmë kufijtë e tyre/ Shqipëria e para në listë
Artikulli i radhësDeklarata zyrtare e policisë për ngjarjen në Elbasan: U vu në pranga i dyshuari si autor i vrasjes