Biznesmeni Gjergj Luca i cili njihet si një nga oligarkët përfitues dhe me lidhjet të ngushta me Edi Ramën, PS-në, por edhe me klanet e saj kriminale në Elbasan, ka nisur një fushatë për të mbledhur vota.
Në pamje të parë ai nuk bën thirrje për të votuar PS-në dhe Ramën, por atë vetë dhe miqtë e tjerë biznesmenë pranë kryeministrit, të cilët gjatë këtyre 8 viteve kanë dhjetëra-fishuar pasurinë në kurriz të buxhetit dhe pronave publike.
Në videon e mëposhtme Luca gërthet dhe bën thirrje që të votohen biznesmenët e qeverisë, duke futur edhe veten e tij, pasi vetëm ata e bëjnë Shqipërinë.
Në një video tjetër të ditës së djeshme, Gjergj Luca bëri të njëjtën gjë. Përpara disa të punësuarve të tij në Elbasan ai fliste për një qeveri përtej partive dhe flamujve të tyre, duke nënkuptuar planin dëshiror të Edi Ramës që pasi të humbasë zgjedhjet, të ketë një rrugë mbijetese nëpërmjet një qeverie teknike.
Duhet të kujtojmë se Luca është një nga përfituesit më të mëdhenj, të pasurive publike të dhuruara nga Edi Rama. Para pak kohe për shkak të ndikimeve të dyshimta në qeveri ai mori në koncesion një pasuri kombëtare si liqeni i Butrintit, duke larguar prej andej dhjetëra biznese të tjera që ushtronin prej shume vitesh aktivitetin në atë zonë.
Vetëm në muajin dhjetor 2020 gllabëroi ish-fabrikën e Sheqerit në Maliq, për ta bërë fabrikë konservash e terminal dogane të zonës Korçë.
Gjithashtu miku për kokë Edi Rama, përveç tuneleve të ushtrisë nëpër Shqipëri së fundmi i ka dhuruar edhe 14 km katrorë det në Jon.
Sipas një njoftimit në rubrikën ‘Njoftime punësimi’ e jo në rubrikën ‘Koncesione’; APP-ja ka publikuar vendimin e Ministres së Bujqësisë, Milva Ikonomi, për dhënien e një sipërfaqeje të detit Jon, në përdorim të firmës ‘Rozafa shpk’ për krijimin e një rezervati të mbyllur nga firma ‘Rozafa’, me aktivitet ‘kultivimin me përparësi intensive për interesa kombëtare, të species së peshkut Ton. Luca ka garuar me veten në këtë koncesion, i cili nuk ka as afat kohor të shkruar.
Por si Luca ka edhe një duzinë biznesmenësh të tjerë, të cilët Rama nuk ka si ti lërë rrugëve, ndaj ka planifikuar që të bëjë një qeveri me ata; përtej PD-së dhe përtej PS-së!
Meqenëse Luca u zgjodh që të ishte ai që do të hapte fushatën për këtë lloj qeverie, me shumë gjasa kryeministër do të jetë po ai. Kurse për ministra, Rama i ka gati ata 10-15 oligarkët që nuk kanë lënë troje, koncesione, punë publike e tendera pa marrë gjatë këtyre 8 viteve.
Së fundmi në këtë fushatë elektorale Luca u shfaq duke prishur një takim të kandidatit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, duke shkaktuar një incident të dhunshëm.