Të kapësh momentin/ Si u rritën startup-et në vend gjatë pandemisë

0

Pavarësisht pasigurisë ekonomike dhe një tregu të paqëndrueshëm, pandemia ka nxitur rritjen e startup-eve të reja. Ka pasur më shumë nisma, ndërkohë aktorët ekzistues në treg kanë parë rritje në kërkesën e shërbimeve të tyre, përshpejtim i cili u “ushqye” nga dixhitalizimi…

Nga Deada Hyka

Ku ka vështirësi, ka mundësi. Aty ku tregu po has probleme, startup-et janë të parët që mund të sjellin zgjidhje të shpejta. Dhe zgjidhjet janë ide që përkthehen në biznese.
Pas fillimit të pandemisë së koronavirusit, jo vetëm maskat dhe mjetet pastruese shënuan rritje në kërkesë. Shumë zakone shpenzimesh ndryshuan dhe po ashtu, ekonomia e “të qëndruarit në shtëpi”. Ndërsa mundësitë e reja të tregut u bënë të qarta, startup-et shpejt u përqendruan për të përmbushur këto kërkesa të konsumatorëve.

Në këtë kontekst, startup-et kanë avantazh, sepse ato janë të shkathëta për të lëvizur shpejt, në përgjigje të ndryshimit të tregut, e thënë ndryshe “adaptues të shpejtë”.

Natyra e shumë startup-eve është e tillë që nëpërmjet një ideje, të sjellin zgjidhje të shpejta për një sektor a shërbim të caktuar. Si rezultat, këto startup-e shpesh mund të arrijnë afate të ngushta kur sjellin produkte dhe shërbime të reja në treg, siç mund të jetë ofrimi i shërbimit të website, i cili pati një bum kërkesash nga bizneset e të gjithë sektorëve vitin e shkuar. Fenomeni u nxit nga rritja e kërkesës për shitje online në vendin tonë, në kushtet e mbylljes së ambienteve fizike, të çdo sektori.

Si përgjigje ndaj krizës, shumë startup-e kanë prezantuar produkte dhe shërbime që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin dhe sigurinë. Shembuj konkretë janë startup që përqendrohen në pastrimin dhe dezinfektimin, shpërndarjen e produkteve farmaceutike, në shpërndarje ushqimi etj.

Tomi Kallanxhi, nga “Big Media Expert”, thotë për “Monitor” se, 2020 ishte vit shumë i mirë i bizneseve dhe startup-eve në fushën e teknologjisë.

“Ne jemi thuajse dyfishuar në xhiro në vitin 2020. Mundësitë ishin të mëdha sepse të gjithë bizneset shkuan drejt transformimit dixhital. Bizneset përqafuan shpejt shitjet online, menutë u bënë dixhitale, b2b u dixhitalizuan që të kishin furnitorët e tyre brenda. Ndaj e puna ishte e konsiderueshme” – thotë Tomi.

Shumë nga aktorët e tregut kanë pohuar se, pandemia ka qenë një shtysë shumë e madhe për dixhitalizimin në mjaft biznese. Gerion Treska, mentor dhe këshilltar në “Yunus Business Balkan” thotë se, për ato biznese që ishin tradicionalisht të mësuar “offline”, përshtatja ishte sfidë, dhe sidomos nëse ato ishin biznese të mëdha. “Ndërsa për sa u përket startup-eve mendoj se pandemia ishte një mundësi e mirë për të konkurruar me bizneset që aktualisht ishin ‘të mëdha’ në treg.

Startup-et normalisht lulëzojnë në terrene të vështira, sepse kanë në fokus zgjidhjen e një ose disa problemeve të klientëve në treg, ndaj pandemia shfaqi një mori të gjerë problemesh të reja dhe ekzistuese” – thotë ai. Treska shton se, startup-et në qenësinë e tyre kanë inovacionin dhe dixhitalizimin si themele, ndaj dhe pandemia u “dha një dorë” në konkurrimin në treg.

“Por kjo pikëpamje nuk mund të them se vlen për të gjithë. Për shembull, si për startup-et dhe bizneset në fushën e turizmit, pati një zhvendosje e ofertës ku ata të cilët përshtateshin më shpejt dhe më mirë do të mbijetonin në treg. Nga ana tjetër pati edhe nisma të ndryshme donatorësh për të ndihmuar mëkëmbjen të startup-eve, por edhe të bizneseve që u prekën drejtpërdrejt nga pandemia” – pohon z. Treska.

Ndryshimi i nevojave të konsumatorit

Bumi i platformës së mbledhjeve online “Zoom” kudo në botë është një shembull i qartë se si ndryshimi i zakoneve të konsumatorëve u ka dhënë përparësi risive teknologjike. Aktiviteti në platformë u rrit nga 10 milionë pjesëmarrës çdo ditë në dhjetor 2019 në rreth 300 milionë çdo ditë në prill 2020, sipas të dhënave të platformës.

Edhe në Shqipëri pati vend për sjellje të ideve të reja. Tomi Kallanxhi shton se, gjatë pandemisë krijuan dy startup-e të reja.

“Një për të ndihmuar bizneset për të krijuar menu dixhitale; tjetra, që do ta prezantojmë më 16 prill, ka të bëjë me dixhitalizimin e të gjithë porosive në b2b. Nga ana tjetër, startup-et ekzistues në fushën e real estate kanë pasur rritje, është shënuar rritje në kërkesë qirash dhe shitjesh” – thotë ai.

Kallanxhi shton se, 2020-a ka qenë vit pozitiv, edhe në ndryshimin e mendësive të kompanive shqiptare. “E them këtë, sepse në rast se deri dje, një kompani ka qenë shumë e vështirë ta bindje për marketim dixhital, nevoja lindi dhe kërkesat ishin të shumta nga të gjithë. Jo vetëm kompanitë e reja, që konsiderohen si ‘early adapters’, por edhe ‘dinozaurët’ e tregut shqiptar. Sektori që pati rritje shumë, është padyshim shitja me pakicë, pavarësisht se një pjesë e mirë janë informalë” – thotë ai.

Kallanxhi pohon gjithashtu, se ku ka probleme, është vend oportunitetesh. “Ne tani po shohim mundësinë që të hapemi në Maqedoninë e Veriut, pasi është një treg potencial, duke qenë më i ‘prapambetur’ në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Duke qenë i tillë, ofron më shumë mundësi” – thotë ai.

Problematikat e tregut

Gjatë krizës së pandemisë, startup-et kanë vazhduar të luajnë rol kritik për ekonomitë. Disa firma të reja inovative kanë reaguar shpejt dhe në mënyrë fleksibël ndaj pandemisë dhe kanë qenë kritike për të ndihmuar shumë vende të kalojnë drejt punës, arsimit dhe shërbimeve shëndetësore plotësisht dixhitale dhe kanë ofruar risi në mallra dhe shërbime mjekësore. Të tjerë sektorë kanë vuajtur mungesën e fondeve.

Konkretisht, aktorët e tregut pohojnë se shumë startup-e në fushën e turizmit, si ai i aventurës kanë hasur vështirësi deri në mbyllje. Lidhur me turizmin sërish, përmendin agjenci turistike. Apo edhe startup në fushën e transportit (taksi p.sh.), por jo në shërbimin korrier që kanë shënuar rritje për shkak të zhvendosjes së shitjeve të gjitha online.

Mjedisi në Shqipëri

Vitet e fundit, një nga trendet botërore, por edhe në rajon e Shqipëri, ka qenë ndërtimi i një startupi. Në thelb, përkufizimi i termit dhe formës së një startup-i ka ardhur duke u përshtatur lokalisht në disa aspekte, shkallës së inovacionit, modelit të biznesit, si dhe elementeve të tjera thelbësore në këtë aspekt.

Gerion Treska thotë se, në lidhje me mjedisin në Shqipëri janë bërë hapa domethënës në edukimin dhe frymëzimin e të rinjve, dhe jo vetëm, drejt ndërtimit të startup-eve. Shumë donatorë ndërkombëtarë, në bashkëpunim me OJF dhe aktorë të tjerë lokalë, kanë nxitur të menduarin sipërmarrës pothuajse në të gjithë qendrat kryesore urbane në Shqipëri.

“Infrastruktura mbështetëse për ngritjen e një startup-i ka nisur të marrë formë përmes krijimit të co-working spaces, inkubatorëve dhe akseleratorëve, si dhe programeve e kompeticioneve me tematika të ndryshme. Nga ana tjetër, donatorët po luajnë kryesisht rolin e investitorëve përmes granteve të madhësive dhe formave të ndryshme të mbështetjes. Ky aspekt është po aq i mirë sa edhe kufizues, ndaj mendoj se në tërësi, mjedisi ka zhvillim por nuk është ende i plotë, pasi aspekti ‘motivues’ i kapitalit mungon në formën strukturore, sikurse ekziston në ekosistemet e përparuara” -thotë ai.

Mundësi për të rinjtë

Tomi Kallanxhi tregon se vazhdojnë online ekosistemet e mentorimeve. Së fundmi, është prezantuar një GROWpreneur, e cila u vjen në ndihmë të gjithë të rinjve që kanë një ide në ICT dhe duan ta bëjnë realitet. Projekti është mbështetur nga BE, me një fond prej 10 mln eurosh, pjesë e “EU for Inovation”, e shtrirë për tre vjet. Fondet do të jepen si shuma parash, intubime, mundësi për t’u ndjekur në ekosisteme në Europë etj.

Një ndër organizatorët, Shkëlqen Marku, drejtues i “Yunus Social Business Program”, tha se, programi është krijuar për të qenë fleksibël, ku vetëm një pjesë e programit bazë zhvillohet për të gjitha startup-et në të njëjtën formë. Më tej, çdo startup do të ketë një program të personalizuar. Mentorët janë ndërkombëtarë, rajonalë por edhe vendas. GROWpreneur vjen me dy programe: akselerator dhe Fleksible Support Plus. Pjesë e këtij kompeticioni mund të jenë startup-et në çdo fushë të cilat nuk kanë fokus vetëm tregun e huaj.

Nga ana tjetër, Gerion Treska thotë se, të rinjtë përballen me sfidën e vetëndërgjegjësimit dhe kjo është thelbësore, pasi duhet të kuptojnë se në të pasurit e një ide nuk ka ndonjë vlerë të veçantë. “Ajo çfarë vendos të bësh me idenë tënde ka vlerë dhe merr vlerë në të vërtetë. Ne kemi shumë të rinj, të cilët mbeten në nivelin e ideve dhe nuk veprojnë për të ndërmarrë hapa eksperimentues. Mendoj se qasja e identifikimit të nevojave/problemeve në treg është pikënisje më e mbarë në rrugëtimin e sipërmarrjes.

Tregu shfaq sjellje të cilat janë në ndryshim të vazhdueshëm, të kuptuarit e faktorëve nxitës ose frenues që shkaktojnë këto ndryshime në një segment të caktuar klientësh, mund të sjellë një avantazh mjaft konkurrues në treg. Njëkohësisht duhet edhe të kuptohet madhësia e kufizuar e tregut tonë, ndaj zgjidhjet, me të cilat të rinjtë vendosin të nisin sipërmarrjet, duhet të jenë lehtësisht të replikueshme dhe në tregje të ngjashme dhe më të mëdha” – përfundon ai.

Risitë e viteve të fundit

Mentorimi dhe mbështetja me fonde në fushën e startup-eve ka qenë gjithnjë në rritje në Shqipëri dhe tashmë kemi edhe sipërmarrësit e parë, të moshës 30-40 vjeç, që i shërbejnë tregut ndërkombëtar, duke pasur kompanitë e tyre në Shqipëri. Aktorët e tregut pohojnë, se pasja e këtyre modeleve të suksesit sigurisht i ndihmon në frymëzim dhe në idenë se ‘edhe unë mund t’ia dal’. Mbështetje të tilla do vijojnë të rriten dhe ky është një parashikim mjaft optimist, për aq kohë sa do të kemi të rinj, të cilët dëshirojnë të ndërtojnë startupe. Ata shtojnë se, së fundmi, në komunitetin e sipërmarrjes ka filluar të artikulohet nevoja për ndërmjetësim dhe ekspertizë për zhvillim, pra është lëvizur nga stadi ku ‘na duhen thjesht paratë’ dhe ky është tregues maturimi dhe rrugëtimi drejt cilësisë së komunitetit.

“Vazhdojmë të kemi mungesë të strukturave financuese si business angels, por besoj se me rritjen e cilësisë së startup-eve tona, Shqipëria do fillojë që të jetë në radarin e investitorëve të huaj”- thotë z. Treska, i cili shton se dy vitet e fundit është shënuar rritje e ndjeshme në cilësinë e startup-eve.

“Më lejoni t’ju kujtoj se edhe në ekosistemet më të përparuara, raporti i suksesit mbetet 1/10, pra në 10 startup-e, vetëm 1 arrin të mbijetojë dhe të jetë i qëndrueshëm në treg. Kjo nuk duhet të jetë dekurajuese, përkundrazi nuk ka një numër të caktuar se sa herë duhet ose mund të provosh të nisësh një sipërmarrje, mjafton t’ia dalësh një herë. Po vihet re përdorimi në rritje i teknologjive bashkëkohore, si dhe një tentativë për zhvillimin e zgjidhjeve me Inteligjencën Artificiale dhe Realitetin Virtual. Megjithëse tregu ynë mbetet ende në hapat e hershëm të implementimit të këtyre teknologjive, mendoj se pandemia u dha një shtysë të gjithëve drejt dixhitalizimit, ndaj përdorimi i teknologjive VR ose AI në afatmesëm është shumë i prekshëm dhe frymëzues” -përfundon ai.

Argjiro Innovation Hub 

Blerina Hoxha, anëtare bordi e projektit të ri, i cili nisi në pandemi, si dhe mentore, thotë për “Monitor” se gjatë kësaj kohe, patën një rritje shumë të lartë startup-et dhe bizneset të cilat mbështeteshin tek e-commerce, dhe nga ana tjetër bizneset të cilat shisnin face to face/ fizikisht filluan të shikonin mundësinë e operimit online.

Ajo shton gjithashtu, se gjatë kohës së pandemisë, në Shqipëri u diskutua dhe u mbajtën takime në lidhje me projektligjin e startup-eve, i cili në fillim të jep përshtypjen e drejtimit të vëmendjes nga këto sipërmarrje, por në fazën në të cilën janë, ende nuk është kaluar si projektligj për t’i ardhur në ndihmë startup-eve me fonde dhe njohuri.

Nga ana tjetër, u shtynë në kohë shpërndarja e fondeve dhe granteve nga donatorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë për startup-et. Por një pjesë e tyre i janë kthyer një realiteti “të ri”, duke trajnuar në distancë dhe kanë orientuar grantet drejt sipërmarrjeve për të zgjidhur problemet që është duke lënë pandemia (përmend këtu projektin CoSolve19 të GIZ në Shqipëri).

“Në nivel institucional do të përmendja dy nisma shumë interesante. E para në Kosovë, ‘Hack-The-Crisis online hackathon’, me qëllim mobilizimin dhe ofrimin e zgjidhjeve inovative për përballimin e pandemisë. E dyta krijimi i inkubatorit të parë cross-boarder Shqipëri-Greqi në qytetin e Gjirokastrës. Inkubatori u krijua nën emrin ‘Argjiro Innovation Hub’ dhe ka për qëllim mbështetjen e startup-eve dhe bizneseve në këtë zonë duke trajnuar 12-15 startup-e, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe krijimin e network-ut. ‘Argjiro Innovation Hub’ mori jetë në vitin 2020 gjatë kohës së pandemisë dhe aktualisht, pavarësisht vështirësive po trajnon 15 startupe të cilat operojnë ose synojnë që aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në qytetin e Gjirokastrës”, -përfundon Blerina.

AIDA/ Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja 

Fondi në mbështetje të sipërmarrjeve të reja “Start-Up” është miratuar me VKM-në, nr. 593, datë 10.9.2014, “Për krijimin e fondit në mbështetje të sipërmarrjeve të reja “Start-Up”. Ai ka për qëllim të mbështesë bizneset e sapokrijuara “Start-Up” në Shqipëri, nëpërmjet subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë, për këtë kategori biznesi, duke përmirësuar klimën dhe kushtet operuese të tyre, me synim krijimin e bazave për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Fondi “Start-Up” jep grante deri në 500.000 (pesëqind mijë) lekë për projekt dhe mbulon 70% të kostove të angazhuara. Buxheti i miratuar për këtë fond, për vitin 2019 është 10,000, 000 lekë. Fondi në mbështetje të sipërmarrjeve të reja “Start-Up” është krijuar për t’i shërbyer Ndërmarrjeve Mikro dhe të Vogla që e ushtrojnë aktivitetin e tyre në:

  • Sektorët prodhues dhe të shërbimit
  • Sektorin e industrisë së lehtë
  • Sektorin e turizmit
  • Fushën e kërkimit dhe të zhvillimit
  • Procesin e agropërpunimit
  • Fushën e dizajnimit, modelimit, artizanatit.

Fondi ofron subvencionim për shpenzime që kanë të bëjnë me aktivitete të miratuara mbi bazën e ndarjes së shpenzimeve. Kjo nënkupton se granti nuk financon gjithë shpenzimet, por vetëm një pjesë të tyre dhe pjesa tjetër financohet nga përfituesi i grantit (në këtë rast ndërmarrja shqiptare)./MONITOR

Artikulli i mëparshëmDhjetra pemë priten gjatë natës nga një ‘maniak’ – Facebook bën bashkë vendasit për patrullime gjatë natës
Artikulli i radhësSërish hap fals, Real Madrid ndalet nga Betis, ‘asist’ Atleticos për t’u arratisur në krye