Kanë humbur fytyrën dhe ndeshjen. Dështimi i 12 klubeve të pasura, me kapitenë Florentino Perez dhe Andrea Anjeli, është i destinuar të ndryshojë futbollin më në thellësi se sa do të bënte vetë Super Liga.
Top-klubet kanë dështuar në iniciativën e tyre për dy arsye thelbësore: lëvizja e vendosur e qeverive, – mbi të gjitha ajo e Boris Xhonson, – dhe reagimi i tifozëve. Dy gabime shumë të rënda në vlerësimin e situatës nga një grup presidentësh që konsiderohet elita e topit, por diletantizmi i tyre këtë herë ka dalë hapur.
Si ndikoi politika? Pjesa më e madhe e pronarëve të 6 klubeve angleze janë të huaj dhe kryeministri Xhonson ka shpjeguar detyrat për të cilat ata janë thirrur, duke u vënë përballë rreziqet që do të sillte zgjedhja e tyre. Dhe ata e kuptuan menjëherë. Çfarë mund të bënin studiot e shtrenjta ligjore ndaj kryeministrit dhe parlamentit?
Ceferin dhe Boban kanë bërë pjesën e tyre. Por nëse reagimi i Bashkimit Europian, i Boris Xhonsonit dhe Makronit nuk është marrë në konsideratë, duket e çuditshme që nuk është vlerësuar minimalisht nga 12 klubet roli i tifozëve. Të trajtuar si klientë, ata u kanë dhënë një leksion menaxherëve dhe financierëve se çfarë është sot futbolli.
Kjo lojë kaq e bukur është kthyer në një biznes gjigant, sepse ka ruajtur të paprekur ingredientin bazë: thjeshtësinë. Tifozët përdorin fjalë që drejtuesit e tyre i kanë harruar dhe tradhtuar, por që përfaqësojnë ende shtyllën kurrizore të biznesit të tyre. Futbolli nuk është vetëm një spektakël i madh, ka edhe gjëra të tjera të bukura dhe argëtuese. Futbolli është ndryshe.
Në asnjë sport skuadre më i dobëti nuk mund të ketë deri në fund shansin të mundë më të fortin. Në asnjë sport popullariteti nuk është kaq i thellë. Pas çdo flamuri ka një komunitet pasionant. Ka një histori, për të cilën çdo tifoz është krenar. Në NBA skuadrat ndryshojnë qytet dhe është normale. Në Spanjë, populli i Barcelonës ka refuzuar Super Ligën, sepse për të është e papranueshme dhe e patolerueshme të shohë mitin blaugrana të mbështesë Realin në një betejë.
Të 12 klubet menduan se mund ta transformonin Championsin në një turne tjetër në mënyrën më komode. Por në futboll bitcoin (monedha virtuale) nuk vlen asgjë. Problemi i të ardhurave mund të përballohej në një mënyrë tjetër, transparente dhe jo komplotiste. Ndoshta mund të humbnin sërish, por pa u poshtëruar. Kjo nuk është një Vaterlo, sepse nuk ka asgjë nga madhështia napoleonike. E gjitha kjo histori ka marrë nuanca groteske, që nuk e nderon historinë e këtyre klubeve. Drejtuesit e këtyre klubeve kanë harruar rregullin bazë që çdo president duhet të mbajë në mendje, si edhe çdo menaxher që ka të bëjë me topin.
Anjeli ka përgjegjësinë më të madhe, sepse në Ligë sabotonte fondet, duke shkurtuar burimet për klubet e tjera. Dhe këtu duhet reflektim. Marota do të bëjë mirë të japë dorëheqjen si këshilltar federal. Çfarë mund t’i thuash Gazidis, i cili e vlerësonte Super Ligën si Eldorado, ndërsa në Anglinë e tij gjithçka frenonte? Juventusi, Interi dhe Milani kanë qenë dhe janë ende një pjesë e çmuar e futbollit italian. Kanë fituar shumë në nivel europian dhe botëror.
Kanë fituar diçka që ka mbetur e skalitur në memorien e tifozëve të tyre, por edhe të çdo italiani, sepse atë ditë secili është ndjerë një gjigant. Kur nuk je më në sintoni me të gjithën këtë, kur të këputet filli magjik që mban bashkë komunitetin e vet, është më mirë të hapësh krahun.