Grupet e të drejtave kanë dënuar një direktivë të re që ndalon qytetarët të regjistrojnë çdo pamje të policisë gjatë protestave, duke e quajtur atë një akt censure dhe një goditje si ndaj përgjegjësisë ashtu edhe për gazetarinë e qytetarëve.
Nga Hamdi Fırat Buyuk
Policia turke të premten nxori një direktivë që ndalon të gjitha regjistrimet audio-vizuale të qytetarëve në protesta.
“Këto lloj regjistrimesh audio-vizuale e pengon policinë të përmbushë detyrat e saj dhe kjo nuk duhet të lejohet. Ata duhet t’i ndalojnë ata që filmojnë një protestë ose aksion”, thuhej në direktivë.
Ajo tha se do të merren masa ligjore ndaj çdo qytetari që regjistron policinë në ndonjë ngjarje sociale.
Policia pretendon se regjistrimi audio-vizual i oficerëve ndërsa ata janë duke përmbushur detyrat e tyre shkel privatësinë e tyre dhe zbulon identitetin e tyre.
Grupet e të drejtave e dënuan direktivën e re si një censurë të qartë.
Dega në Stamboll e Shoqatës së Avokatëve Progresivë tha se ajo është parashtruar qartë për të garantuar anonimitetin e policisë përpara çdo incidenti më 1 maj, Dita Ndërkombëtare të Punëtorëve.
“Nëse personeli juaj regjistrohet ndërsa torturoni dikë, kjo mund të paraqitet si provë. Edhe një herë, detyra juaj nuk është të torturoni. Ky është një krim!” shkroi CHD në Twitter. CHD u tha qytetarëve se nëse shohin se po kryhet një krim, ata mund të marrin regjistrime audio-vizuale si “provë”.
Brutaliteti dhe torturat nga ana e policisë janë probleme kryesore në Turqi.
Raporti i vitit 2021 i Human Rights Watch vuri në dukje një rritje në Turqi të akuzave për torturë, keqtrajtim dhe trajtim mizor e çnjerëzor ose degradues nga personeli i sigurisë.
“Një recetë për katastrofë – pa kamera, pa përgjegjësi”, shkroi në Twitter Emma Sinclair-Webb, Drejtoreshë e Asociuar e HRW për Evropën dhe Azinë Qendrore në lidhje me direktivën e fundit.
Policia turke është e njohur për ndërhyrje brutale në protesta në vitet e fundit, pasi qeveria e presidentit Rexhep Tajip Erdogan po bëhet gjithnjë e më autoritare.
Policia përdori plumba gome, gaz lotsjellës në protestat e fundit të studentëve në Stamboll, të cilët kundërshtonin emërimin politik të një rektori në Universitetin prestigjioz Bogazici të Stambollit. Disa protestues, banorë lokalë dhe gazetarë u plagosën.
Shoqata Mjekësore Turke tha se 22 persona humbën jetën dhe të paktën 8,000 njerëz u lënduan dhe 63 u plagosën rëndë gjatë protestave për Parkun Gezi në vitin 2013 – protesta e parë masive kundër qeverisë së Erdoganit.
Protestat filluan pasi qeveria vendosi të imponojë një plan të ri urban për zonën, duke përfshirë një qendër tregtare në Parkun Gezi, pjesa e vetme e gjelbër e sheshit ikonik të Stambollit. Në një kohë të shkurtër, protestat u përhapën në shumë qytete të tjera dhe policia reagoi ashpër për këtë.
“Po të kishte qenë në fuqi kjo direktivë, njerëzit nuk do të ishin në gjendje të mësonin për ndërhyrjen e policisë kundër vëzhgimit të 1 majit në Izmir, kur një oficer policie i vendosi gjurin në qafë një protestuesi, duke mos e lënë të merrte frymë”, raportoi Dokuz8 News, një media e pavarur, duke e përcaktuar direktivën e re si një ndalim të gazetarisë së qytetarëve.