Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Opinion’, ku dha intervistën e parë televizive pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Në fund të emisionit, moderator Blendi Fevziu i dhuroi një shishe verë, ndërsa i tha Ramës se e kishte përgatitur këtë dhuratë për pensionin politik të kryeministrit, që ai të pinte ndonjë gotë në mbrëmje.
Ndërsa Rama u shpreh se Fevziu kishte bërë plan që këtë të enjte të kishte në emision Lulzim Bashën si kryeministër, teksa shtoi se për fatin e mirë të moderatorit, kjo nuk ndodhi.
Pjesë nga biseda:
Fevziu: Ju kisha përgatitur një shishe vere “Kallmet” , mendova që do ta kishit për pensionin politik
Rama: E kishe përgatitur për Lul Bashën
Fevziu: Për pension politik e kisha përgatitur, por vera nuk vjetërohet, pret derisa të dilni ju në pension.
Rama: Pse nuk e more në emision kryetarin e opozitës. Apo e kishe lënë ta merrje si kryeministër?
Fevziu: E kisha lënë kur të humbje. Thashë të pinit ndonjë gotë verë darkave kur s’kishit çfarë të bënit.
Rama: Këtë e kishe bërë gati për Lul Bashën të vinte si kryeministër, por për fatin tënd të mirë si shqiptar, se për fatin tënd të keq si demokrat…
Fevziu: Ku e di ti se për kë votojnë njerëzit?
Rama: Patronazhisti të japin i sigurt PD.