Nuk fitoi PS-ja, na grabiti shteti

0

Nga Andi Bushati

Këto zgjedhje nuk u fituan nga rilindja, ato u rrëmbyen nga makineria shtetërore. Sa më shumë ditë kalojnë, aq më të qarta bëhen faktet se, në 25 prill, në garë ka qenë partia shtet. Jo më kot drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR,Urszula Gacek foli për “keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore” dhe “qëndrimin e turbullt në kufirin mes partisë dhe shtetit”.

Provat janë tepër të dukshme. Përgjimet për votat që u blenë me anë të legalizimeve të shtëpive, dalja e të dhënave nga bashkia Durrës, që vetëm në muajt e fushatës ka shpërndarë po aq të ardhuara sa përgjatë gjithë vitit që shkoi, për ata që humbën shtëpitë nga tërmeti, fakti se Erion Veliaj u kujtua të japë në mars 50 mijë lekshin e bonusit të bebeve për të cilin nuk ishte kujtuar që prej 2017 -ës, shtimi i vendeve të punës në administratën shtetërore dhe nëpër bashki, paratë që u hodhën në fushatë nga kompanitë publike janë vetëm pjesëzat e një pazlli manipulimi teknologjik.

Pra, ndonëse kryesuesja e vëshguesve të OSBE/ODHIR flet për një kufi të papërcaktueshëm mes shtetit dhe partisë, ai nuk ka të bëjë vetëm me përdorimin e inagurimeve në shkolla e spitale për të bërë fushatë, në përdorimin e maskave të PS nga anëtarët e kabinetit qeveritar, por me një mendësi totalitare shumë me të strukturuar dhe të thellë.

Këtë e shikojmë në degradimin e institucioneve shtetërore që nuk u sollën për anjë çast si garantë të zgjedhjeve. Vetë personalisht si gazetar i Lapsi.al, unë pata mundësi të testoja një organet e reja të dala nga reforma në drejtësi, SPAK-un. Një nga drejtimet kryesore të punës së tij janë dhe krimet zgjedhore. Por kur kjo prokurori speciale u ndesh me njërin prej tyre, zbulimin prej nesh të databazës me vjedhjen e të dhënave personale të 910 mijë qytetarëve, kryqëtarët e drejtësisë së re nuk guxuan të hetonin, as E-Albanian që dyshohej se i kishte nxjerrë ato, as Partinë Socialiste që i kishte në përdorim për të blerë dhe transferuar votën falë patronazhistëve. Si një organ krejtësisht “KAPS” prokuroria speciale u mjaftua të merrej vetëm me ne gazetarët.

Edhe më i rëndë është roli i saj në mosveprimin që solli si pasojë krimin e tmershëm të Elbasanit. Ndonëse opozita i kishte denoncuar me emër dhe mbiemër ata që mblidhnin karta dhe blenin vota, SPAK as e vuri ujin në zjarr, e mbajti një javë në sirtar denoncimin dhe pastaj e përcolli në prokurinë e Elbasanit, ku prokurori ishte në konflikt interesi, pasi qe vëllai i një kandidati të rilindjes. Pikërisht kjo blerje kohe në favor të PS, jo vetëm i la udhë të lirë trafikantëve të votave, por i hapi rrugën edhe një vetëgjyqësie që rezultoi fatale.
Po në këtë ngjarje doli bllof edhe policia e shtetit. Vetë kreu i saj Ardi Veliu, manipuloi personalisht provat duke mashtruar se në vendin e krimit, në Elbasan, nuk u gjentën elementë të vjedhjes së votës si: para, lista zgjedhësish dhe karta identiteti.

E njëjta polici, u shndërua në një trupë kamikazësh politikë, e cila përgjatë gjithë fushatës, sipas urdhërit të udhëheqësit, u vu në shërbim të gjurmimit vetëm të partisë së Monika Kryemadhit. Vërtet uniformat blu arritën të kapin me sukses disa përfaqësues të LSI që tentuan të blejnë vota, por ata nuk dëshmuan asnjë paanësi dhe profesionalizëm për të kapur edhe hajdutët e tjerë. Kjo bëri që në listat e PS të shkëlqenin nga hiçi dy pjestarë të familjes Rakipi dhe që PSD e Tom Doshit të merrte 3 deputetë, që s’ishin dëgjuar kurrë më parë, as për ndonjë ide politike, as për ndonjë aksion qytetar dhe as se ekzistonin mes kastës “elitare” të atyre që shkojnë në parlament.

Natyrisht, i gjithë ky involvim i instutucioneve gjoja të pavarura do të vazhdojë në ditët e ardhshme të prodhojë prova të tjera. Por edhe kaq mjaftojnë për ti njollosur në mënyrë të pakthyeshme këto zgjedhje, ku të gjithë ata që rivalizonin me rilindjen, nuk kishin përballë vetëm atë, por të gjithë makinerinë shtetërore./lapsi.al

Artikulli i mëparshëmNetanyahu: Një nga katastrofat më të mëdha në historinë e Izraelit
Artikulli i radhësInter programon festën e titullit: Gjithçka është gati për sfidën me Sampdorian