Një luftëtar japonez i sumos ka humbur jetën një muaj pasi ra me gjithë peshën e tij mbi kokë gjatë një ndeshje, që ka ngritur shqetësime të reja në lidhje me kujdesin e luftëtarëve, duke marrë në konsideratë edhe vonesën për ti ardhur në ndihmë, e gjykuar “e pafalshme”. Videoja e 28-vjeçarit Hibikiryu i shtrirë i palëvizur për disa minuta para se të merrte ndihmën mjekësore, në fakt, ka shkaktuar kritika dhe pyetje pse mjekët nuk ishin të pranishëm në rreshtin e parë. Sportisti, emri i vërtetë i të cilit ishte Mitsuki Amano, mbeti i shtuar në spital që nga aksidenti në 26 mars. Ai humbi jetën të mërkurën për insuficence respiratore akute, sipas asaj që bën të ditur Federata japoneze e Sumos: “Shpirti i tij u prehtë në paqe. Ne i shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë”, thuhej në deklaratë.
Mjekët në ndeshjet sumo nuk ulen në rreshtin e parë dhe është zakon të presin që mundësit të ngrihen vetë pasi të rrëzohen në tokë ose të bien. Federata e sumos tha se “një lidhje mes vdekjes së mundësit dhe dëmtimit të tij është ende e paqartë. Për sa i përket përmirësimit të sistemeve të urgjencës mjekësore, ne do të njoftojmë diçka kur të vendosim zyrtarisht,” i tha një zëdhënës agjensisë së lajmeve Afp.
Një polemikë e ngjashme shpërtheu gjatë turneut të Vitit të Ri në Janar, kur një mundës i cili kishte pësuar tronditje cerebrale iu tha që të kthehej në ring, sipas gazetës Sports Nippon: “Thuhet se tronditja e ‘tachiai’ (sulmi fillestar i ndeshjes) është më shumë se një ton. Ethet dhe bukuria e sumos janë të mbushura me rrezik”.