Konkurrenca: Në tregun celular po përdoren çmime grabitqare

0

Autoriteti i Konkurrencës (AK) ka ngritur këtë muaj dyshime se në tregun e telefonisë celulare po përdoren praktika të konkurrencës së pandershme, në formën e çmimeve grabitqare.

Në muajin shkurt të këtij viti, shoqëria ONE Telecommunications kishte depozituar pranë AK një ankesë mbi ofertën e shoqërisë Vodafone Albania për klientët e saj (të ONE), në rast të portabilitetit të numrit. ONE shprehet se elementet e ofertave promocionale dhe çmimi i shërbimit janë nën kosto.

Sipas përmbajtjes së mesazhit zanor të depozituar si provë nga ONE, shoqëria Vodafone Albania nëpërmjet thirrjeve telefonike drejtuar abonentëve jo-Vodafone, në rast të bartjes së numrit, ju ofron dy lloje paketash: paketën 400 lekë me kohë komunikimi 2500 minuta, internet në sasinë 8 GB dhe 2200 SMS, dhe paketën 1000 leke me kohë komunikimi 3000 minuta dhe internet në sasinë 20 GB për një periudhë 1 vjeçare.

Me një vendim të datës 15 prill, AK vlerëson se ofertat e shoqërisë Vodafone Albania, me një çmim më të ulët krahasuar me ato të dy shoqërive të tjera që operojnë në tregun e telefonisë celulare, ngrenë dyshim të arsyeshëm se ndodhemi përpara një sjellje me orientim drejt “çmime grabitqare” (predatory pricing). Mbështetur në të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare rezulton se shoqëria Vodafone Albania zotëronte 47% të numrit të përdoruesve aktive celular në fund të vitit 2020, nga të cilët 72.8% janë përdorues me parapagim.

Duke qenë se Vodafone Albania është ndërmarrje me fuqi dominuese në tregun e shërbimeve celulare, asaj i është vendosur detyrimi të mos hedhë në treg oferta promocionale, të cilat sjellin vendosjen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të çmimeve të padrejta të tregtimit; vendosjen e palëve në kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta, e të pafavorshme për konkurrencën; vendosjen e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, ku këto të fundit të pranojnë detyrime shtese, të cilat nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

Këto detyrime burojnë nga neni 9 i ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, që praktikat e mësipërme i përcakton si forma të abuzimit me pozitën dominuese. Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve të mësipërme, kompania në fjalë mund të gjobitet deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

Gjithashtu, bazuar në katër ankesa të përdoruesve të paraqitura pranë saj, AK i ka vendosur Vodafone detyrimin të sigurojë portabilitetin e numrave për klientët e saj drejt operatorëve të tjerë.

Artikulli i mëparshëmLajmi që të gjithë po e prisnim! Mjekja e njohur tregon muajin kur do t’i heqim maskat dhe do të lëvizet lirshëm
Artikulli i radhësSKANDALI/ Kat shtesë në pallatin e Erion Veliajt te “Kodra e Diellit”