Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili fitoi mandatin e deputeti në Durrës në radhët e PS-së, ka komentuar sot ën emisionin ‘Breaking’ zgjedhjet e 25 prillit. Ai i cilësoi ato si një ndër sfidat më të vështira të jetës së tij.
“Kanë qenë ditë shumë të angazhuara, sot jemi në jetë normale. Ka qenë më të vërtetë një nga garat më të vështira të jetës sime në politike. Forca që përfaqësoja kërkonte një mandat të tretë, jo e zakontë për shqiptarët”, tha Koka.
Ai u shpreh se për shkak të marrëdhënies me qytetarët dhe profilit të krijuar, ka një bazë të mbështetësve të tij, ndërsa tregon se nuk ishte e lehtë të kërkojë mandatin e tretë.
“Kisha qytetarë që thonin se kanë kaluar tetë vite dhe ishte koha për ndryshim. Unë u ndalova për punën e bërë nga PS-ja, që fatmirësisht do të ndryshojë pamjen e Durrësit dhe të gjithë vendit.”, tha Koka.
Deputeti i zgjedhur i Durrësit, i cilësoi deklaratat e Metës për sfurqet dhe kosoret si të papranueshme, ndërsa i cilësoi zgjedhjet si më të mirat të bëra ndonjëherë.
“Ka qenë një gjuhë e pazakontë. Përfshirja direkt në fushatë është e paligjshme. Thirrjet e tij për dhunë mund të degradonin situatën. Shqipëria kishte nevojë për zgjedhje të lira. Zgjedhjet ishin më korrektet të bëra ndonjëherë.”, tha Koka.
Duke folur për sulmet e Metës, Koka tha se LSI është kthyer në një parti familjare, ku nuk gjendet asnjë prej themeluesve të saj.