Rama sulmon gazetën austriake: DerStandardat’, po përhap lajme të rreme

0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit në media ditët e fundit të dokumenteve “non paper” që flasin për ndryshime kufijsh në Ballkan.

Rama ka  reaguar me një  postim  në Twitter, duke përmendur gazetën austriake ‘derStandardat’, për të cilën thotë se po përhap lajme të rreme.

 “Unë kurrë nuk kam thënë ndonjë gjë në lidhje me “non paper dhe hartën” dhe kurrë nuk kam mbështetur ndonjë ndryshim të kufijve etnikë midis Serbisë & Kosovës”, thekson Rama.

Kujtojmë që në një shkrim të datës 27 prill, gazeta austriake shkruan se “Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha mediave në Shqipëri se ai e kishte parë non-paper dhe hartën me ndryshimet e propozuara të kufirit. Vetë Rama, së bashku me Vuçiç dhe lobistë, miratuan vizatimin e kufijve përgjatë vijave etnike midis Kosovës dhe Serbisë tre vjet më parë”.

Këtë deklarim të gazetës austriake Rama e ka përgënjeshtruar me reagimin e bërë sot në rrjetet sociale.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama në Twitter:

@derStandardat @webstandardat

Çfarë zhgënjimi të shohësh një gazetë me kaq reputacion të lartë të sillet si një përhapës i lajmeve të rreme!

Unë kurrë nuk kam thënë ndonjë gjë në lidhje me “non paper dhe hartë” dhe kurrë nuk kam mbështetur ndonjë ndryshim të kufijve etnikë midis Serbisë & Kosovës! # Turpëruese.

Çfarë ka ndodhur deri më tani 

Që nga mesi i muajit prill e deri më tash, në media janë publikuar dy të ashtuquajtur “non-paper”, si dokumente të pretenduara, në të cilat flitet për qasje të ndryshme për zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi. “Non-paperi” i parë, i publikuar më 15 prill, pretendohet të jetë i kryeministrit të Sllovenisë, Janez Jansha, i dërguar për Këshillin e Evropës. Ai përmban propozimin e supozuar për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga Jansha, por edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

Më 27 prill, në disa media në Kosovë është publikuar një “non-paper” tjetër, i cili është pretenduar të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca dhe i cili flet për themelimin e të ashtuquajturit “distriktit autonom të Kosovës së Veriut” dhe për njohjen e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjermania e ka hedhur poshtë vërtetësinë e “non-paperit” që u tha se është hartuar nga ajo dhe Franca.

I pyetur lidhur me këto dokumente, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se ai nuk punon me ‘non paper’ dhe i quajti dokumente fantazmë.

Borrell këto komente i bëri të enjten pas takimit me kryeministrin e Kosovws, Albin Kurti në Bruksel.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 27 prill se “non-paper” i publikuar nga mediat në Prishtinë, e ka bërë dikush që është “shumë shumë i mençur”.

“Ka gjëra të cilat do iu kishin pëlqyer serbëve, por aty është edhe një gjë, të pranohet pavarësia e Kosovës, e që është shumë e keqe për serbët”, ka deklaruar Vuçiq gjatë një vizitë në jug të Serbisë.

Ai po ashtu shtoi se publikimi nuk është bërë pa arsye. Vuçiq tha se do t’i analizojë porositë për palën serbe dhe palën tjetër, por shtoi se për Serbinë është e papranueshme njohja e pavarësisë së Kosovës.

Çfarë është “non-paper”?

Në gjuhën e institucioneve evropiane, “non-paper” është dokument joformal, zakonisht pa theksim të qartë, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që të kërkohet marrëveshja për ndonjë çështje të kontestuar procedurale ose politike.

“Non-paper” është formë e zakonshme komunikimi e një ose më shumë anëtareve të BE-së rreth një çështjeje të caktuar./REL

Artikulli i mëparshëmSKANDALI/ Kat shtesë në pallatin e Erion Veliajt te “Kodra e Diellit”
Artikulli i radhësLefter Koka nxjerr prapaskenat e forta të zgjedhjeve të 25 prillit/ Habit me atë që thotë për Presidentin Meta dhe LSI-në